Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dënon ashpër goditjen me breshëri plumbash të Televizionit Kombëtar “Top Channel” mëngjesin e datës 27 Mars 2023.
Ky sulm mafioz tepër i rrezikshëm ka tronditur dhe shqetësuar mbarë opinionin publik dhe në veçanti komunitetin e gazetarëve.
Televizioni dhe media në tërësi, siç dihet janë mjaft të fuqishme, në shërbim dhe informim të vazhdueshëm të publikut. Në një vend demokratik, media ka gjithashtu një status të veçantë, si edhe gëzon edhe një mbrojtje të veçantë.
Është kjo arsyeja që ky akt kriminal dhe i paprecedent kërkon angazhim me përparësi, për zbulimin e shpejtë të autorëve dhe motiveve të këtij krimi dhe vënien para përgjegjësisë penale të tyre.
KShH i bën thirrje organeve të specializuara ligjzbatuese, në mënyrë të veçantë atyre të ndjekjes penale që kjo vepër me rrezikshmëri të theksuar shoqërore të hetohet veҫanërisht shpejt, në mënyrë të paanshme dhe të gjithëanshme. Kjo do t’i shërbente parandalimit të krimeve, si dhe nevojën për krijimin e një fronti unik të ndëshkimit të tyre, veҫanërisht kur kërcënohet haptazi media e pavarur dhe fjala e lirë.
KShH në këtë rast i shpreh ngushëllimet e thella familjarëve dhe të afërmve të viktimës P.K. që humbi jetën në krye të detyrës.