Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në përmbushje të misionit të tij Ju drejtua me shkresë zyrtare Kryetarit të Kuvendit për rishikimin e nenit 159, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Kur të dhënat janë të domosdoshme për të provuar veprën penale dhe vërtetësia e të dhënave mund të dalë vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit, gjykata urdhëron gazetarin që të tregojë burimin e informacionit të tij”. KShH mendon se kufizimi i vendosur në këtë dispozitë në thelb nuk pajtohet me lirinë e shprehjes të sanksionuar në nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut
Liria e shprehjes është një e drejtë njerëzore e rëndësishme, thelbësore për shoqërinë që të jetë demokratike. Kjo liri i shërben debatit publik dhe mbështet median e lirë dhe të pavarur, informimin e qytetarëve dhe funksionimin në mënyrë transparente të shtetit. Një media e pavarur dhe gazetaria profesioniste konsiderohen si rojtarë të shoqërisë demokratike.
KShH vëren se formulimi i pikës 3 të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale detyron gazetarin të identifikojë burimin e informacionit, në çdo rast që gjykata do ta vlerësojë këtë, pavarësisht nëse jemi ose jo në rrethanat kufizuese të parashikuara në nenin 10 të KEDNJ-së, siç janë integriteti territorial, sigurimi publik, sigurimi kombëtar etj. Formulimi i nenit 159 pika 3 e K.Pr.P mund të krijojë hapësira për interpretim të gjerë dhe subjektiv, me pasoja cenimin e lirisë së medias.
Gazetaria serioze nuk mund të ekzistojë pa burime sekrete të informacionit. Pa këto burime, mjaft çështje me rëndësi publike, nuk do të ishin zbuluar në dritën e diellit. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në jurisprudencën e saj është shprehur se “Nëse gazetarët do të detyroheshin të zbulonin burimet do ta kishin shumë të vështirë për të arritur tek faktet dhe si rezultat të informonin shoqërinë për çështje me interes publik” (gjykimi 17488/91 për çështjen Godvin kundër Britanisë së Madhe).
Në vlerësimin e KShH-së, shfuqizimi i kësaj dispozite do të ishte i justifikueshëm, me qëllim që legjislacioni ynë i brendshëm të mos vijë në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas Kushtetutës, kufizimet e të drejtave dhe lirive të njeriut të sanksionuara në Kushtetutë nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.