I nderuar Z. Celibashi,
Së fundmi, në vëmendjen e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) ka ardhur një sinjalizim nga disa qytetarë të shqetësuar të Bashkisë Elbasan, mbi pilotimin e procesit të votimit dhe numërimit elektronik.
Sipas tyre, eksponentë të lartë të subjektit zgjedhor Partia Socialiste në Bashkinë Elbasan po u bëjnë presion votuesve duke i përcjellë informacion se ditën e votimit, vota e tyre do të jetë lehtësisht e identifikueshme nëpërmjet kryqëzimit të të dhënave midis pajisjes PEI (Pajisja Elektronike e Identifikimit) dhe pajisjes PEVN (Pajisja Elektronike e Votimit dhe Numërimit). Në vijim të këtij presioni, atyre u kërkohet të votojnë për kryetarin aktual të Bashkisë, njëkohësisht kandidat i subjektit zgjedhor PS.
Sipas sinjalizuesve, ky presion po ushtrohet masivisht tek votuesit që kryesisht nuk kanë njohuri të mira mbi teknologjinë dhe përdorimin e saj, duke i kushtëzuar kështu që të besojnë informacionin e përcjellë prej personave përgjegjës dhe se vota e tyre do të zbulohet prej tyre.
KShH vlerëson se nëse këto shqetësime janë të drejta, përbëjnë ushtrim të drejtpërdrejtë presioni ndaj zgjedhësve, ndërkohë që fshehtësia e votës është element substancial i kësaj të drejte që mbrohet në nenin 45, pika 4 të Kushtetutës.