Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të nismës “Të lëmë të kaluarën pas: ndërtojmë rezistencë ndaj ekstremizmit të dhunshëm nëpërmjet mbështetjes dhe edukimit” zbatuar në bashkëpunim me Linjën e Këshillimit për Gra dhe Vajza dhe financuar nga GCERF, hap thirrjen për angazhimin e një eksperti ligjor i cili do të realizojë një raporti kërkimor dhe analitik mbi legjislacionin primar dhe sekondar në vendin tonë, përfshi këtu edhe praktikat institucionale shtetërore por jo vetëm (psh. ato të sektorit të OJF-ve) lidhur me ri-integrimin e:
- luftëtarëve të huaj kthyer nga vendet luftës (Siri, Irak etj) përfshi këtu edhe familjarët e tyre të cilët mund të jenë ose jo të radikalizuar (ose kanë premisa radikalizimi)
- personave të tjerë të radikalizuar apo me rrezik radikalizimi që nuk janë luftëtarë lufte.
Eksperti i përzgjedhur, bazuar në kërkesat dhe të dhënat e vendosura në dispozicion nga stafi përgjegjës i KShH-së, do të përmbushë shërbimet e mëposhtme:
- Të analizojë kuadrin ligjor, politikat dhe strategjitë e shtetit shqiptar, se sa të plota e gjithëpërfshirëse janë ato sa i takon konceptit të ri-integrimit të këtyre shtetasve. Në fokus të veçantë të analizës do jetë pajtueshmëria e këtij kuadri ligjor me standartet ndërkombëtare, referuar zhvillimeve më të fundit në rrafshin ndërkombëtar (detyrimet që burojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës, OSBE).
- Të analizojë edhe kapacitetet institucionale të institucioneve shtetërore përgjegjëse që kanë në mision dhe veprimtarinë e tyre ri-integrimin e tyre, sa i takon aspekteve të lidhura me arsimin, punësimin apo programe të dedikuara sociale, por edhe në sistemin peniteciar, nëse janë perballur me drejtësinë penale për veprat penale në fushën e terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm etj.
- Raporti duhet të pasqyrojë rekomandime konkrete, që identifikojnë qartë dhe në mënyrë të argumentuar masat që sugjerohen në vijimësi për përmirësimin e situatës, në drejtim të plotësimit të vakumeve ligjore dhe institucionale, apo përmirësimeve në legjislacion dhe në drejtim të praktikave dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
- Eksperti do të propozojë një skaletë metodologjie dhe skaletë për realizimin e këtij raporti, e cila duhet të konsultohet me stafin e KShH-së. Metodologjia duhet të ndërthurë metodat desk research, intervistat me pyetësorë të dedikuar që do të realizohen me aktorë institucionalë që mund të kontribuojnë me informacionet dhe të dhënat e tyre për këtë raport, organizata të shoqërisë civile.
- Eksperti i përzgjedhur pritet që të angazhohet gjatë periudhës Qershor-Korrik 2023, periudhë gjatë të cilës do të hartojë strukturën e raportit dhe draftin e raportit studimor.
KShH inkurajon ekspertët e interesuar që të dërgojnë në formë elektronike në adresën e e-mailit të KShH-së office@ahc.org.al deri në datën 04.06.2023 dokumentacionin e mëposhtëm (në mënyrë kumulative):
- CV (Curriculum Vitae);
- Punime të ngjashme të realizuara më pare (në gjuhën shqip ose anglisht), të preferueshme mbi trajtimin e fenomeneve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
- Kopje të diplomave, studimeve pasuniversitare apo kualifikimeve në fushën përkatëse apo të ndërlidhur me të.
- Të paktën dy letra rekomandimi nga punëdhënës apo staf akademik.
- Ofertë finaciare në monedhën Lekë.
Shënim: Vlera maksimale e cila mund të mbulohet nga KShH për realizimin e këtij shërbimi është 300,000 ALL (TVSH e përfshirë).
Me konsideratë,
Komiteti Shqiptar i Helsinkit