Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në ushtrim të misionit të tij për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, është njohur me ankesën e shtetasit XH.K., i cili aktualisht ndodhet në IEVP Rrogozhinë. Shtetasi XH.K. ishte dënuar në vitin 2016 me 4 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Përmes asistencës së stafit të shërbimit ligjor falas të KShH-së, në nëntor të vitit 2020, ai ju drejtua Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë për rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit, për shkak se nuk kishte ushtruar këtë të drejtë ndaj vendimit që e shpalli fajtor.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më 27.01.2021, rrëzoi kërkesën e ankuesit. Ndaj këtij vendimi, shtetasi XH.K. ushtroi të drejtën e ankimit pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, më 01.02.2021. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dha vendimin më 18.11.2024, me një vonesë prej 3 vitesh e 10 muajsh. Vetëm pas referimit të situatës në rrugë zyrtare nga ana e KShH-së, Gjykata e Apelit pranoi kërkesën dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të kërkuesit për shkak se ai e kishte përfunduar vuajtjen e dënimit, nëse ai nuk mbahej i burgosur për shkaqe të tjera.
Në të njëjtën datë, Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dërgoi urdhrin e ekzekutimit pranë IEVP Rrogozhinë, ku ndodhej i izoluar shtetasi XH.K. Ky urdhër në fakt nuk u zbatua dhe ai vazhdoi të mbahej i izoluar pa u vënë në dijeni dhe pa u siguruar për shkaqet lidhur me mos lirimin e tij. Në këto kushte, XH.K ju drejtua KShH-së me ankesën se urdhëri i mësipërm nuk po zbatohej.
KShH më datë 27.11.2024, ju drejtua për këtë çështje Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për ta informuar se urdhëri për lirimin e tij nuk ishte ekzekutuar. Në vend që prokurori të verifikonte këtë njoftim informon që KShH lidhur me këtë rast duhet ti drejtohet IEVP Rrogozhinë. Referuar parashikimeve të nenit 252 të Kodit Penal, mbajtja në burg, pa vendim të organit kompetent ose tej afatit të caktuar në vendim apo në ligj, prej personit të ngarkuar me detyrën e administratorit të burgut, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
KShH sjell në vëmendje se në nenin 5 të ligjit nr. 79/2020, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, parashikohet se “Ekzekutimi i vendimit penal kufizon vetëm ato të drejta, në atë masë dhe kohë sa përcaktohet nga vendimi penal, duke respektuar të gjitha të drejtat e tjera të njohura dhe të mbrojtura nga legjislacioni në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.” Në nenin 8 të po këtij ligji, parashikohet përgjegjësia e Prokurorit, i cili është i detyruar të marrë të gjitha masat për ekzekutimin e vendimit penal në përputhje me urdhërimet e gjykatës dhe kërkesat e këtij ligji, si dhe të kontrollojë rregullsinë e ekzekutimit. Në rast të konstatimit të parregullsive, prokurori ka të drejtë t’i kërkojë organit përgjegjës ose gjykatës rivendosjen e të drejtës së shkelur dhe marrjen e masave ndaj personave përgjegjës.
KShH vlerëson të theksojë se neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut garanton të drejtën për një proces të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm. Vonesa prej gati katër vitesh në shqyrtimin e apelimit përbën një shkelje të rëndë të këtij standardi. Në përputhje me standardet ndërkombëtare të parashikuara nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe instrumentet e OKB-së, zbatimi i drejtësisë duhet të jetë i qartë, i shpejtë dhe i paanshëm, për të garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave të individit.
Më tej, neni 5 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut garanton të drejtën e lirisë dhe sigurisë, duke parashikuar që privimi i saj mund të bëhet vetëm sipas procedurave të përcaktuara në ligj. Në çështjet Loizou kundër Greqisë dhe R.M. kundër Turqisë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 5 për shkak të ndalimeve që kanë tejkaluar një afat të arsyeshëm, duke u njohur kërkuesve të drejtën për dëmshpërblim. Gjithashtu, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton si një të drejtë themelore lirinë e personit, e cila nuk mund të hiqet, veçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj.
KShH vlerëson se Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rrogozhinë dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm duhet të marrin në mënyrë të menjëhershme të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Privimi nga liria i shtetasit XH.K, në kushtet e mësipërme cenon rëndë standardet dhe parimet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare. Vlen të theksohet se nëse ka një vendim tjetër gjyqësor penal për dënimin e këtij shtetasi me burg, të paekzekutuar ose është dhënë ndaj tij një masë sigurie “arrest në burg” për ndonjë akuzë/procedim tjetër penale, kjo gjë duhet ti bëhet me dije menjëherë shtetasit, duke i vendosur në dispozicion kopjen e dokumentacionit përkatës. Në të kundërt, KShH vlerëson se qëndrimi në burg i këtij shtetasi është i padrejtë dhe përbën shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive të tij.
Shqipëria ka në fuqi ligjin nr.9381, dt. 28.04.2005 “Për komepnsimin e burgimit të padrejtë”, sipas të cilit, një person që është mbajtur në burg tej kohës së caktuar në vendimin e dënimit ka të drejtë të kërkojë kompensim për burgim të padrejtë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN Shqipëri në vitin 2021 tregojnë se gjykatat kompensuan mbi 190 mijë ditë ose 522 vite në total si “burgim të padrejtë” – me një faturë financiare prej 343 milionë lekësh [2.8 milionë euro] përgjatë pesë viteve të fundit. https://www.reporter.al/2021/11/16/shqiptaret-e-paguajne-shtrenjte-faturen-e-deshtimit-te-ndjekjes-penale/