Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në ushtrim të misionit të tij për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut është njohur me ankesën e familjarëve të shtetasit J.LL, i cili ndodhet në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës. Në këtë ankesë ata referojnë se ndaj tij mund të jetë përdorur forcë në ambientet e IEVP-së për shkak se ka shfaqur probleme në një prej gishtave të dorës.
Veç kësaj familjarët kanë shprehur shqetësim edhe për faktin se prej muajit tetor 2025 nuk po ekzekutohet vendimi i datës 07.10.2025 i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur pushimin e procedimit penal për të pandehurin J.LL, për shkak se ai ka qenë i papërgjegjshëm në kohën e kryerjes së veprës penale. Gjykata për këtë shtetas ka vendosur si masë mjekësore “Mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor” duke urdhëruar vendosjen e tij në institucionin mjekësor të ndodhur në Shënkoll, Lezhë.
Lidhur me pretendimin për ushtrim dhune, KShH i është drejtuar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve. Në përgjigje, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve njofton se në takimin që është marrë me J.LL në ambientet e IEVP Durrës ai ka mohuar ushtrimin e dhunës ndaj tij dhe nuk ka paraqitur asnjë kërkesë tjetër veç asaj të transferimit të tij në IEVP Lezhë. Megjithatë, pohohet se është konstatuar frakturë në gishtin e J.LL.
Për KShH tërheq vëmendjen fakti se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve verifikimin e ankesës e ka përqëndruar në intervistimin e shtetasit J.LL, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor. KShH ka sugjeruar që dëshmitë e J.LL duhen vlerësuar së bashku me prova të tjera, të cilat do të vërtetonin përtej dyshimit të arsyeshëm se nga ana e punonjësve të IEVP Durrës nuk janë kryer shkelje të legjislacionit në fuqi.[1] Kjo do të përfshinte verifikimin e kamerave të sigurisë, kartelën e tij mjekësore të mbajtur në IEVP Durrës si dhe diagnozat e përcaktuara nga mjekët specialistë të Spitalit Rajonal Durrës.
Hetimi i plotë dhe i gjithëanshëm i pretendimeve për shkelje të mundshme që referohen nga shtetasit e privuar nga liria përbën garanci për evidentimin e shkeljeve që lidhen me ndalimin e torturës e trajtimit çnjerëzor, veçanërisht kur ato paraqiten nga shtetas që i përkasin kategorive vulnerabël. KShH nënvizon se pavarësia nga punonjësit e sistemit të burgjeve duhet të jetë parimi bazë që udhëheq veprimtarinë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, në funksion të mbledhjes dhe verifikimit të të dhënave që mund të kenë elementë të veprës penale.
Sa i përket ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, KShH ka konstatuar me shqetësim disa elementë:
- Fillimisht rezulton se shtetasi J.LL është arrestuar më datë 06.09.2024 dhe prej atij momenti deri sot, familjarët nuk kanë mundur ta takojnë në ambientet e paraburgimit, për shkak se sipas tyre nuk kanë marrë aprovimin nga organi i prokurorisë për lejimin e takimeve fizike, siç e kërkon parashikimi i pikës 6 të nenit 70 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve.[2]
- Së dyti, rezulton se vendimi i datës 07.10.2025 i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka marrë formë të prerë pasi ndaj tij nuk është ushtruar ankim. Megjithatë, ky vendim ende nuk është ekzekutuar dhe si pasojë J.LL vazhdon të mbahet në IEVP Durrës. Për këtë problematikë, KShH i është drejtuar më datë 24.12.2025 IEVP Durrës, e cila me shkresën e datës 09.01.2026 informon se nuk ka të administruar asnjë vendim gjyqësor apo ekzekutiv të formës së prerë që përcakton transferimin e të burgosurit J.LL.
- KShH i drejtohet sërish IEVP Durrës dhe kësaj here edhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ku ndan edhe një kopje të vendimit të sipërpërmendur, së bashku me dëftesën e komunikimit që provon se vendimi i është komunikuar shtetasit J.LL në IEVP Durrës, më datë 31.10.2025.
- Më datë 28.01.2026 IEVP Durrës njofton KShH se ende nuk disponon një urdhër ekzekutimi për të vijuar veprimet e mëtejshme.
KShH thekson se është plotësisht i vetëdijshëm për faktin që sistemi i drejtësisë aktualisht po has vështirësi të mëdha në drejtim të ngarkesës me të cilën përballet organi i akuzës, si dhe vakancave në radhët e magjistratëve. Megjithatë, KShH vlerëson se vonesat në ekzekutimin e vendimit të datës 07.10.2025 nuk i shërbejnë trajtimit të diferencuar dhe në përputhje me nevojat shëndetësore që paraqet J.LL, i cili duhet të mbahej në një institucion shëndetësor dhe jo në burg.[3] Sipas parashikimeve të nenit 12 dhe 13 të ligjit nr. 8331/1988 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, prokurori është organi përgjegjës që vë në lëvizje procedurën e ekzekutimit të vendimeve penale përmes lëshimit të urdhrit të ekzekutimit.
Mungesa e kontaktit të tij me familjarët prej muajit shtator 2024 bie ndesh me synimin e rehabilitimit social dhe riintegrimit të shtetasve të burgosur, garantuar nga nenet 12, 40 e 48 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” dhe KShH vlerëson se institucionet ku shtetasi ka qenë i akomoduar gjatë kësaj kohe duhet të kishin marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar ruajtjen e lidhjeve të shtetasit J.LL me familjen.
Në vitin 2020, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Strazimiri kundër Shqipërisë konstatoi shkelje të nenit 3 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues) për shkak të mungesës së një institucioni të specializuar psikiatrik dhe privimit nga liria të shtetasve me probleme të shëndetit mendor.[4]
[1] Në përputhje me standardet e nenit 17 të ligjit nr. 9397/2005 “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve”.
[2] I paraburgosuri ka të drejtën e vizitës me anëtarët e familjes ose me persona të ndryshëm nga anëtarët e familjes me miratimin paraprak me shkrim të prokurorit.
[3] Në përputhje me nenin 17 të Kodit Penal[3] dhe kategorizimin që bën neni 15 i ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
[4] https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/Ceshtja_strazimiri_kunder_shqiperise_2020_3739_49957f0f60.pdf





