Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vlerëson rëndësinë e veçantë që ka zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit 2017, sidomos pas miratimit të ndryshimeve të ndjeshme në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë që sapo ka filluar nga zbatimi. Synimi kryesor është që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme dhe demokratike duke arritur kështu standartet që kërkohen.
Por KShH shpreh shqetësimin se kundërshtimet dhe qëndrimet e ndryshme partiake midis mazhorancës dhe opozitës po vonojnë hartimin e projekt ndryshimeve të nevojshme mbështetur në rekomandimet e OSBE/ODHIR-it.
Është kjo arsyeja që KShH sugjeron që duke anashkaluar interesat e ngushta partiake, problemet e konstatuara të zgjidhen nëpërmjet dialogut konstruktiv.
KShH vëren se pasojat e vonesës mund të shoqërohen së pari me faktin që projekt ndryshimet në Kodin Zgjedhor të mos i nënshtrohen diskutimeve dhe debatit konsultues gjithëpërfshirës. Së dyti kjo vonesë mund të pengojë KQZ-në në ushtrimin e funksioneve të saj ligjore. Së treti kjo vonesë mund të çojë në ngushtimin e afateve ligjore për regjistrimin e subjekteve zgjedhore, ngritjen dhe trajnimin e KZAZ-ve, paraqitjen e listave shumë emërore të kanditatëve etj. Rrjedhimisht vonesa mund të prekë mbarëvajtjen e aspekteve të rëndësishme të procesit parazgjedhor dhe rrjedhimisht do të ndikonte në cenimin e standarteve të kërkuara për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Gjithashtu, miratimi me vonesë i këtyre ndryshimeve mund të ndikojë në ndërgjegjësimin jo të plotë të zgjedhësve, të cilët duhet të njihen në kohë dhe me cilësi, me ndryshimet që do të pësojë Kodi ynë Zgjedhor.
Edhe pse siç dihet, partitë politike (subjektet zgjedhore) janë faktor i rëndësishëm për përgatitjen e opinionit të gjerë publik, ato nuk mund të kenë monopolin në hartimin e reformës zgjedhore. E drejta e votës është një akt vullnetar dhe qytetar i secilit, e sanksionuar në Kushtetutë dhe në Protokollin 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.