Në zbatim të Projektit “Për një transparencë dhe pjesëmarrje më të lartë të grupeve të interesit në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse të organeve publike”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) po monitoron zbatimin e Ligjit nr. 146/2014 “Për njoftim dhe konsultimin publik” nga autoritetet publike.
Në këtë kuadër, bazuar në të drejtën e informimit, KShH kërkoi nga 20 institucione qendrore (19 Ministri dhe Kryeministria) të informohet lidhur me përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga ky ligj. Nga përgjigjet zyrtare rezultoi se disa ministri kanë kthyer përgjigje brenda afatit, disa të tjera jashtë afatit, ndërsa dy prej tyre nuk kanë kthyer përgjigje. Po ashtu, vlerësohet se informacioni dhe dokumentacioni i kërkuar nuk është paraqitur i plotë. |
Ndodhur në këto kushte, bazuar në Ligjin Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, KShH paraqiti ankime tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Njëkohësisht, KShH iu drejtua zyrtarisht këtyre institucioneve për të adresuar problematikat e konstatuara për respektimin e të drejtës për njoftim dhe konsultim publik për projekt-aktet të cilat kanë qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes të institucioneve përkatëse. |
Pas shqyrtimit të tyre dhe zhvillimit të seancës dëgjimore, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është shprehur me 13 vendime deri më tani nëpërmjet të cilave, ankimet e KShH janë pranuar tërësisht ose pjesërisht, duke urdhëruar autoritetet publike për vendosjen në dispozicion të KShH-së, të dokumentacionit të kërkuar.
Me anë të këtyre ndërhyrjeve, KShH synon zbatimin e plotë të detyrimeve që rrjedhin nga Ligji nr. 146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik” nga autoritetet publike, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit si dhe pjesëmarrjes së grupeve të interesit, në konsultimin e projektakteve që janë pjesë e fushës së veprimtarive të tyre në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
KShH falënderon Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), për mbështetjen financiare të kësaj iniciative.