Të parandalohen incidentet, të shmanget gjuha e urrejtjes


Mediat e datës 2 maj 2015, informuan publikun e gjerë lidhur me një incident të ndodhur në qytetin e Durrësit, gjatë mitingut të organizuar nga znj. Grida Duma, kandidate e Partisë Demokratike për Bashkinë Durrës. Incidenti ishte me element të veprës së kundraligjshme dhe për pasojë, siç informohemi, ka filluar dhe ndjekja penale.

KShH dënon këtë akt dhe u sugjeron subjekteve zgjedhorë, jo vetëm të distancohen nga veprime të tilla, por dhe të marrin masat e duhura që militantët dhe aktivistët e tyre të manifestojnë sjellje korrekte dhe të garantojnë që kontributi i tyre, në këtë proces zgjedhor, do të jetë në përputhje me ligjin dhe me standardet e shoqërisë demokratike.

Nga ana tjetër organeve kompetente të drejtësisë u sugjerojmë të zhvillojnë hetime të shpejta dhe objektive, si lidhur me ngjarjen e sipër cituar, ashtu dhe me çdo rast tjetër të ngjashëm. Kjo do t’i shërbente jo vetëm vënies së fajtorëve përpara përgjegjësisë penale, por dhe parandalimit të rasteve të tilla në të ardhmen.

Incidente të tilla duhet të shmangen me çdo kusht, me qëllim që gjatë fushatës zgjedhore, që ligjërisht duhet të fillojë 30 ditë para datës së zgjedhjeve (pas datës 20 Maj), zgjedhësit të mund të ndjekin me vëmendje dhe në qetësi programet e subjekteve zgjedhore, debatet e kandidatëve të tyre, me qëllim që të mund të krijojnë bindje personale, e të pavarur, në lidhje me votën që do të ofrojnë. Gjithashtu duhet të shmanget gjuha e urrejtjes dhe provokimet ndërmjet kandidatëve dhe mbështetësve të tyre, sepse ato mund të çojnë në tensionimin e situatës në prag të zgjedhjeve dhe të cenojnë standardet e procesit zgjedhor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit