Letër e hapur lidhur me ecurinë e punës për reformën zgjedhore


Nga: znj. Vasilika Hysi
Drejtore ekzekutive
Komiteti Shqiptar i Helsikit


Për: z. Ilir Rusmajli
z. Fatmir Xhafa
Bashkëkryetarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën
Zgjedhore

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

 

Të nderuar Bashkryetarë,

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH-ja) nëpërmjet kësaj letre, rishpreh shqetësimin e tij të thellë për vonesën e theksuar dhe të pajustifikuar lidhur me realizimin e detyrës për ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor, gjë që kërkon ndërhyrje të shumta dhe thelbësore.

Është për të ardhur keq, që edhe pas 21 prillit 2008, kur Kuvendi miratoi ndryshimin e sistemit zgjedhor, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore filloi të funksionojë vetëm në muajin korrik, madje me ndërprerje. U bënë deklarata se në muajin korrik 2008 do të përfundonte procesi i hartimit të reformës zgjedhore, por kjo gjë nuk ndodhi.

Edhe në muajin shtator 2008, po hidhen hapa të ngadalta. Megjithëse deri në fundin e këtij muaji, mbeten 14 ditë nga përfundimi i mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, nuk dihet konkretisht çfarë është bërë dhe çfarë mbetet për të bërë. Deklaratat se ne muajin shtator 2008 do të përfundojë reforma duken të nxituara.

KShH nuk paragjykon aftësitë dhe kontributin e specialistëve të angazhuar në këtë komision, por siç dihet, për vonesat e këtij procesi, Komisioni është përgjegjës para Kuvendit. KShH nuk paragjykon punën e Komisionit në tërësi, por tërheq vëmendjen fakti i një pune relativisht të mbyllur, jo trasparente për publikun. Informacionet që jepen në
media janë të cunguara dhe se çështjet kryesore nuk diskutohen në publik dhe media.


Duke patur parasysh se Kodi Zgjedhor, për nga rëndësia e tij, vjen pas Kushtetutës së RSHsë, mungesa e transparencës dhe e debatit paraprak, gjithëpërfshirës mund të shoqërohet me vonesa të mëtejshme dhe me pasoja të dëmshme.

Është e qartë se miratimi i Kodit Zgjedhor kërkon konsensus të gjerë. Pikërisht për këtë arsye, KShH-ja mendon se ky konsensus, duhet të ndihet dhe konkretizohet edhe gjatë procesit të punës së këtij Komisioni. Një gjë e tillë nuk ka rezultuar deri më sot.

Në këtë vështrim, kemi parasysh se debati nënkupton dëgjimin dhe vlerësimin e mendimeve të ndryshme, madje edhe të kundërta. Kontributi në këtë drejtim, nuk duhet kufizuar vetëm në atë të dy partive të mëdha, por të krejt faktorit politik në Shqipëri. Debati nuk mund dhe nuk duhet të anashkalojë opinionin publik dhe ndihmesën e një rrethi
më të gjërë specialistësh me përvojë në këtë fushë. Askush nuk ka monopolin e së vërtetës. Për reformën zgjedhore janë të interesuar të gjithë.

Misioni i OSBE/ODIHR-it dhe Komisioni i Venecias kanë dhënë rekomandime të shumta dhe të rëndësishme lidhur me reformën zgjedhore. Një pjesë prej tyre janë parimore; një pjesë janë vërejtje për dispozita të paqarta dhe kontradiktore, madje edhe për dispozita që bien ndesh me Kushtetutën, siç janë për shembull ato ku bëhet fjalë për referendumet.
Marrja parasysh e këtyre rekomandimeve është e lidhur me arritjen e standarteve që kërkohen në zgjedhjet e ardhshme dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Krahas reformës ligjor, rëndësi të veçantë i duhet kushtuar edhe infrastrukturës zgjedhore. KShH, edhe më parë ka shprehur shqetësimin për plotësimin në kohë dhe me cilësi të infrastrukturës zgjedhore. KShH mendon se kjo, edhe pse është detyrë kryesisht e qeverisë, në kushtet e vendit tonë, që nuk i ka munguar përvoja negative, ajo merr një rëndësi të veçantë. Pa realizimin e saj në kohë dhe në cilësi, mund të kompromentoheshin standartet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

KShH, si një organizatë që vazhdimisht ka monitoruar zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore në vend dhe që ka dhënë kontributin e tij modest në përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit, konstaton se ata janë direkt të interesuar për ecurinë normale të këtij procesi si dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Duke patur parasysh ato që përmendëm më lart, e shikojmë të nevojshme të parashtrojmë sugjerimet e mëposhtme:

  • Zhvillimi i mbledhjeve të Komisionit të Posaçëm për reformën zgjedhore të jetë i programuar, duke krijuar kështu edhe mundësinë e pranisë së medias dhe inormimin e publikut.
  • Të bëhen publike dispozitat e shqyrtuara dhe të miratuara deri më sot në këtë komision duke përfshirë edhe variantet përkatëse për secilin, gjë që do të mundësonte diskutimin dhe debatin në median e shkruar dhe atë elektronike.
  • Do të ishte e rekomandueshme, që zgjatja e mundshme e mandatit të Komisionit të ishte rrjedhojë e informimit të Kuvendit dhe në të njëjtën kohë të përcaktohej data e shqyrtimit dhe e miratimit të Kodit zgjedhor në Kuvend.
  • Para kalimit të projektit në Kuvend, projekti përkatës të bëhet publik dhe t’i nënshtrohet nëj diskutimi të gjerë në publik dhe në grupet e interesit. Kjo është edhe një detyrim që buron nga Rezoluta e Asamblesë Parlamentare për Shqipërinë (shih rezoluten e Asamblesë Parlamentare, datë 20 dhjetor 2006, pika 8.4) dhe përmbushje e një standarti minimal në një shtet demokratik.

Duke vlerësuar mirëkuptimin tuaj, shpresojmë në mbaravajtjen e reformës zgjedhore.

Me respekt,
Vasilika Hysi
Drejtore ekzekutive

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postime

eventet

< 2020 >
January
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  
TOP