Trajtim çnjerëzor dhe degradues i Personave me Aftësi të Kufizuar
Në Emisionin “Stop” të TV Klan, të datës 31 Maj 2016 janë transmetuar pamje rrënqethëse nga ambientet e brendshme të Qendrës së Zhvillimit Shkodër, ku trajtohen persona me aftësi të kufizuar.
Në pamjet e transmetuara brenda këtyre ambienteve duken disa shtetas që janë të lidhur në duar ose këmbë me dryne dhe zinxhirë, të fiksuar në një strukturë metalike, në mur ose në karrike. Shtetasit e lidhur dukeshin të moshave të reja.
Qendra e Zhvillimit Shkodër sikurse dhe disa qendra të tjera rezidenciale në qytete të tjera, sipas legjislacionit në fuqi kanë si detyrë kryesore sigurimin dhe përmirësimin e dukshëm në statusin dhe cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuar. Ato monitorohen nga Shërbimi Social Shtetëror dhe Bashkia.
Komiteti Shqiptar i Helsnikit e konsideron këtë si një ngjarje të jashtëzakonshme, të rëndë dhe tepër tronditëse e cila përmban elementë të trajtimit çnjerëzor dhe degradues.
Komiteti Shqiptar i Helsnikit kërkon verifikimin e fakteve të transmetuara. Nëse ato do të vërtetohen është e domosdoshme marrja e masave administrative, ndërsa punonnjësi apo punonjësit përgjegjës që kanë kryer këto veprime të ndiqen penalisht.