Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), duke vlerësuar dhe mbështetur Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2016, bën thirrje për reflektim dhe zgjidhje efektive të problematikave të të drejtave të njeriut, të evidentuara në këtë raport.
Në raportin e DASH, problemet më të rëndësishme që cenojnë të drejtat e njeriut në Shqipëri lidhen me korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe atë shëndetësor si dhe dhunën në familje dhe diskriminimin ndaj grave. Lidhur me problematikat e konstatuara në sistemin e burgjeve, raporti i DASH i referohet gjetjeve dhe raporteve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit si dhe të dhënave lidhur me ankesat që janë adresuar në KShH.
DASH vlerëson se presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara disa herë penguan gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efikase gjatë vitit 2016. Lidhur me masat për të luftuar korrupsionin, raporti evidenton miratimin me shumicën e të gjithë anëtarëve të amendamenteve kushtetuese në muajin korrik që i hapi rrugën një reforme gjithëpërfshirëse në sistemin gjyqësor, duke përfshirë krijimin e institucioneve të reja kundër korrupsionit dhe miratimin e ligjit të vetting-ut.
Duke marrë shkas nga problematikat e adresuara në raportin e DASH si dhe nga zhvillimet aktuale që lidhen me zbatimin e reformës në drejtësi dhe në mënyrë të veçantë me ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, KShH shpreh shqetësimin lidhur me vonesat dhe ecurinë e zbatimit të procesit të vettingut (rivlerësimit) të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
KShH, në kuadër të ndërgjegjësimit të shtetasve, ka organizuar disa takime me grupe të ndryshme qytetarësh, studentësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile në disa qytete të vendit, për të qartësuar çështjet kryesore të reformës në sistemin e drejtësisë dhe risitë që pritet të sjellë kjo reformë në shërbim të qytetarëve. Njerëzit janë shprehur në shumicë dërmuese pro reformës duke vlerësuar se procesi më i rëndësishëm në optikën e qytetarëve është ai i vetting-ut. Gjithashtu ata kërkojnë që në krye të institucioneve që do të kryejnë procesin e vetting-ut duhet të emërohen njerëz të ndershëm, të paanshëm dhe me integritet tepër të lartë moral dhe profesional.
Në këtë vështrim, KShH vëren se nuk është në nivelin e duhur transparenca e organeve të ngarkuara me kompetenca për shqyrtimin e aplikimeve dhe verifikimin e kandidatëve për Institucionet e Vetting-ut. Publiku ka nevojë të informohet mbi procedurat e ndjekura si dhe arsyet e disa vendimmarrjeve të rëndësishme të këtyre organeve të ngarkuara me përgjegjësi në këtë drejtim.
Konkretisht, në datën 17 Shkurt 2017, Avokati i Popullit publikoi listën e 192 individëve që shprehën interesin e tyre për të kandiduar për institucionet e reja të vetting-ut, nga të cilët, në vlerësimin e Avokatit të Popullit, 29 përmbushnin kriteret formale për secilin pozicion dhe pjesa tjetër nuk i plotësonte këto kritere. Ndërkohë që publiku u njoh me emrat e individëve që plotësonin ose jo kriteret formale, atij i mungoi informacioni mbi shkaqet se përse 163 kandidatë nuk plotësonin kriteret përkatëse.
Në datën 3 Mars 2017, referuar informacionit të publikuar në media, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka dorëzuar pranë Institucionit të Avokatit të Popullit vlerësimet dhe rekomandimet për 192 kandidatët, nga ku rezulton se janë dhënë rekomandime negative për 8 nga 29 kandidatët e përzgjedhur nga Institucioni i Avokatit të Popullit, ndërkohë që janë vlerësuar se përmbushin kriteret 79 nga 164 kandidatët të cilët, sipas Avokatit të Popullit nuk i përmbushin këto kritere.
Listat e hartuara nga Avokati i Popullit dhe rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i kaluan Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në datën 6 Mars 2017, Kuvendi ka vendosur ndër të tjerash, me vendimin nr. 17/2017, të kthejë dosjet e depozituara në Kuvend të kandidatëve që kanë shprehur interesin për të kandiduar për institucionet e vetting-ut, tek Avokati i Popullit, për riplotësimin e dokumentacionit, si dhe i kërkon Avokatit të Popullit, të rihapë thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga aplikantë të rinj, për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit. Edhe në këtë fazë të procesit, publikut i mungoi transparenca dhe informacioni sa i takon rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për 192 kandidatët e institucioneve të vetting-ut. Në këtë procedurë mendojmë se është e paqartë për publikun vendimi për rihapjen e thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit nga aplikantët e rinj, në kushtet kur Kushtetuta dhe ligji për vetting-un nuk e parashikon atë, ndërkohë që në procedurën e parë të aplikimit rezulton se ka një numër të konsiderueshëm kandidatësh që kanë shprehur interesin pranë Avokatit të Popullit, përkatësisht 192.
KShH e sheh të nevojshme të bëjë thirrje për më shumë transparence dhe informacion për publikun në procesin e shqyrtimit të aplikimeve dhe verifikimit të kandidatëve për institucionet e vetting-ut. KShH vëren se në vende të tjera të cilat kanë kaluar procese reformuese në sistemin e drejtësisë, si Rumania, kandidatët për institucionet e sistemit të drejtësisë i nënshtrohen edhe testimit të publikut, çka e rrit në një nivel akoma më të lartë transparencën qysh në fazën fillestare të krijimit të këtyre institucioneve.
KShH vlerëson se mjeti i transparences ndaj publikut në rastin e vettingut në Shqipëri justifikohet nga qëllimi madhor që mishërohet në dispozitat e ankesit Kushtetues dhe ligjit për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për rikthimin e besimit të publikut në institucionet e sistemit të drejtësisë.