Njoftim për shtyp: Pjesëmarrja në votime është shprehje e demokracisë


Ditën e dielën, më 23 Shtator 2007, në zonën Nr. 31 të qytetit të Tiranës zhvillohen zgjedhjet e pjesshme parlamentare. Deri ditën e djeshme, problematike ka qënë trajnimi i anëtarëve të KQV-ve, jo vetëm si pasojë e ngritjes me vonesë të KQV-ve, por edhe për shkak të mosparaqitjes ditën e trajnimit të anëtarëve të tyre. Për këtë ka tërhequr me të drejtë vëmendjen edhe KQZ-ja.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh gjithashtu shqetësimin e vet edhe për mosngritjen në kohë të grupeve të numërimit të votave sepse edhe ato duhet të trajnohen në mënyrë cilësore.


Nga disa sondazhe të pjesshme në zonën Nr. 31, vëzhguesit e KShH kanë konstatuar se një numër jo i pakët zgjedhësish nuk ishin njohur me listat e zgjedhësve edhe pse ato ishin shpallur në qendrat përkatëse të votimit.

KShH e sheh të nevojshme të theksojë se pavarësisht se zgjedhjet zhvillohen vetëm në një zonë ato kanë rëndësinë e tyre dhe në këtë vështrim duhen vlerësuar me seriozitetin e duhur. Çështja është tek synimi për arritjen e standarteve që kërkohen.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje subjekteve zgjedhore që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e gjithanshme të procesit zgjedhor dhe të shmangin ndërhyrjet në veprimtarinë e ligjshme të komisioneve zgjedhore dhe të grupeve të numërimit.

KShH u bën thirrje gjithashtu zgjedhësve të kësaj zone për një pjesëmarrje sa më të gjerë në votime duke ushtruar kështu të drejtën e tyre kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit