Letër e hapur për autoritetet e Kazakistanit lidhur me sulmin ndaj gazetarit Lukpan Akhmedyarov

28 prill 2012

Për:

Presidentin Nursultan Nazarbaev

Ministrin e Punëve të Jashtme Erzhan Kazykhanov

Ministrin e Punëve të Brendshme Kalmuhanbed Kasimov

Prokurorin e Përgjithshëm Askhat Daulbaev

Kryetarin e Senatit Kairat Mami

Kryetarin e Mazhilis Nurlan Nigmatulin

Astana, Republika e Kazakistanit

Të dashur Shkëlqesi,

Ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë lidhur me sulmin brutal kohët e fundit kundër gazetarit Lukpan Akhmedyarov në qytetin Uralsk në Kazakistanin veriperëndimor. Ju bëjmë thirrje të siguroni një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe tërësor të këtij sulmi me qëllim nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë. Në dritën e këtij sulmi, si dhe të tjera sulmeve kundër gazetarëve në Kazakistan, ju nxisim gjithashtu të siguroni marrjen e masave të efektshme për të mbrojtur dhe garantuar sigurinë e gazetarëve që kryejnë detyrën e tyre profesionale.

Siç e dini, Lukpan Akhmedyarov u sulmua mbrëmjen e 19 prillit 2012 jashtë ndërtesës së parlamentit ku banon me familjen e tij në Uralsk. Sipas informacioneve në dispozicion, një numër i panjohur individësh e goditën me një objekt të rëndë, e goditën me thikë disa herë si dhe e qëlluan me armë. I nevojitej operacion urgjent për plagët e marra, të cilat përfshinin një plagë të rëndë në kokë dhe plagë thikash në mushkëri, veshka, stomak dhe organe të tjera jetësore. Tani është përmendur, por mbetet në spital në gjendje të rëndë.

Me sa kuptojmë është hapur një çështje penale për atentat në sulmin kundër Akhmedyarov dhe aktualisht vazhdon një hetim. Në këtë drejtim, dëshirojmë t’ju kujtojmë detyrimin e Kazakistanit sipas të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për të hetuar energjikisht sulmin dhe, kur kjo të bëhet, t’i kushtohet vëmendje e veçantë zbulimit të motiveve të sulmit dhe lidhjet e tij të mundshme me veprimtarinë profesionale dhe qytetare të Akhmedyarov.

Në një dalje televizive më 20 prill 2012, Prokurori i Uralskit Batyr Dzhazbaev deklaroi që hetimet paraprake tregonin se sulmi kundër Lukpan Akhmedyarov nuk kishte motive politike. Megjithatë,  kolegët e Akhmedyarov janë të bindur që sulmi kundër tij është i lidhur me raportimin dhe angazhimin e tij qytetar. Është e domosdoshme që këto pretendime të trajtohen në mënyrën më serioze të mundshme.

Si gazetar pranë Uralskaya Nedelya, Lukpan Akhmedyarov njihet për artikuj që bëjnë shqyrtim kritik të veprimtarive të autoriteteve dhe aktorëve të tjerë publikë. Ai është përballur me një numër padish për shpifje për shkak të këtyre artikujve. Në një çështje që aktualisht është në gjykatë, një zyrtar i lartë rajonal kërkon 5 milionë Tenge (rreth 25.000 EUR) si kompensim moral për një artikull të shkruar nga Akhmedyarov mbi lidhjet familjare mes atyre që shërbejnë në administratën publike. Gjyqi në këtë çështje parashikohet të fillojë më 27 prill 2012, megjithëse Akhmedyarov është ende në spital.

Akhmedyarov gjithashtu ka organizuar dhe ka marrë pjesë në protesta paqësore kundër politikave zyrtare. Këtë vit ka qenë i përfshirë në bashkërendimin e demonstratave të ashtuquajtura “kundërshtimi” në Uralsk. Këto lloj demonstratash janë zhvilluar në qytete të ndryshme në Kazakistan për të protestuar ndaj përdorimit të forcës së tepërt prej autoriteteve ligjzbatuese gjatë ngjarjeve të dhjetorit 2011 në Zhanaozen, si edhe për të kërkuar zbatimin e reformave demokratike në vend. Një demonstratë “kundërshtimi” u zhvillua me lejen e autoriteteve vendore në Uralsk në fund të marsit 2012, ndërkohë që që kërkesa për të zhvilluar edhe një tjetër në fund të prillit 2012 është refuzuar.

Në muajt e parë të 2012, Akhmedyarov ka raportuar për hasjen e një numri incidentesh kanosjeje që duken se lidhen me angazhimin e tij profesional dhe qytetar, përfshi mbajtjen nën survejim, ndalimin nga policia në makinën e tij me pretekstin e dyshimit për mbajtje narkotikësh dhe thirrjen dhe paralajmërimin prej autoriteteve vendore. Edhe bashkëshortja e Akhmedyarov ka raportuar përpjekje për presion ndaj saj në vendin e punës për shkak të veprimtarisë së bashkëshortit të saj.

Ju nxisim të siguroni që rrethanat e përshkruara më sipër do të merren sa duhet në konsideratë gjatë hetimit të sulmit kundër Lukpan Akhmedyarov dhe që do të bëhet çdo përpjekje për t’u siguruar që të gjithë ata që kryen sulmin do të identifikohen, ndiqen penalisht, gjykuar në një proces transparent dhe do të ndëshkohen si duhet në raport me natyrën e sulmit. Kjo është posaçërisht thelbësore në dritën e faktit që një numër sulmesh të mëparshme ndaj gazetarëve nuk janë zbardhur dhe autorët nuk janë sjellë përpara drejtësisë. Një përfundim i ndryshëm në këtë çështje do të përcaktojë një precedent të rëndësishëm se për akte të tilla si ky nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri.

Organizatat e poshtëshënuara janë gjithashtu të shqetësuara se sulmi kundër Lukpan Akhmedyarov ka ndodhur në një klimë përgjithësisht në përkeqësim për gazetarët e pavarur dhe opozitarë në Kazakistan. Ndërkohë që ky ishte sulmi më i egër deri më sot, ai pason një numër sulmesh të tjera fizike kohët e fundit kundër gazetarëve. Ky ka qenë sulmi i tretë kundër një gazetari raportuar nga Fondacioni Adil Soz për mbrojtjen e lirisë së fjalës prej fillimit të vitit. Gazetarët po ashtu janë përballur me më shumë forma përndjekjeje dhe pengimi në veprimtaritë e tyre profesionale, përfshi ndalimin, thirrjen dhe marrjen në pyetje nga autoritetet ligjzbatuese, akuzimin për kundravajtje penale dhe administrative për shkaqe të dyshimta, si dhe urdhërimin për të paguar dëme morale në shumë të stërmëdha si rezultat i padive për shpifje.

Në këtë kontekst, dëshirojmë të kujtojmë se gazetarët kanë detyrën profesionale për të kontrolluar dhe raportuar mbi  çështje të interesit publik dhe, në këtë mënyrë, të ndihmojnë përmbushjen e së drejtës themelore të qytetarëve për të marrë informacion mbi të tilla çështje. Ju bëjmë thirrje të pranoni publikisht rolin kyç që luajnë gazetarët në një shoqëri të hapur, të dënoni pa ekuivok të gjitha format e kanosjes dhe ngacmimit kundër tyre, si dhe të merrni nismën për masa të përshtatshme dhe të efektshme për t’u siguruar që gazetarët mund të punojnë të sigurtë dhe të lirë në vendin tuaj. Një udhëzues i OSBE-së nga Nëntori 2011 (gjendet në http://www.osce.org/fom/85777) ofron udhëzime të dobishme për sa i përket masave për mbrojtjen e gazetarëve dhe promovimin e zhvillimit të një klime të shëndetshme për lirinë e shprehjes. Do të ishte gjithashtu thelbësore konsultimi dhe përfshirja e komunitetit të gazetarëve dhe shoqërisë civile të Kazakistanit në procesin e zhvillimit të masave të tilla.

Ju falënderojmë për vëmendjen tuaj ndaj çështjeve të ngritura në këtë letër.

Sinqerisht,

Byroja Ndërkombëtare e Kazakistanit për Të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit

Partneriteti Ndërkombëtar për Të Drejtat e Njeriut (Belgjikë)

Komiteti Norvegjez i Helsinkit

Komiteti Holandez i Helsinkit

Fondacioni i Helsinkit për Të Drejtat e Njeriut (Poloni)

Llogaridhënie e Ashpër (Shtetet e Bashkuara)

Unioni Ukrainas i Helsinkit për Të Drejtat e Njeriut

Grupi Moskovit i Helsinkit

Promo-LEX (Moldavi)

Dosjet e Lirisë (Rusi)

Qendra për Të Drejtat e Njeriut e Azerbajxhanit

Asambleja e Qytetarëve e Helsinkit – Vanadzor (Armeni)

Shoqata e Monitoruesve Ukrainas të Të Drejtave të Njeriut mbi Zbatimin e Ligjit

Shoqata Gjeorgjiane për Avokatët e Rinj

Komiteti Bjellorus i Helsinkit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Nisma Euroaziatike për Drejtësinë (Shtetet e Bashkuara)

Shtëpia Bjelloruse për Të Drejtat e Njeriut (Lituani)

Indeksi mbi Censurën (Mbretëria e Bashkuar)

Olof Kleberg, Zëvendës President i Rrjetit Suedez të OSBE-së (në cilësi personale)
Organizatat nënshkruese janë anëtare të Platformës për Solidaritet Qytetar, një koalicion organizatash joqeveritare që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rajonin e OSBE-së.

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit