-Çfarë thuhet në Kodin e Procedurës Penale për afatet e mbajtjes së personit në paraburgim?
Kur personi procedohet penalisht në paraburgim ai nuk mund të mbahet më tepër se tre muaj kur akuzohet për një vepër që është cilësuar si kundravajtje penale.
Kur procedohet për krime që dënohen në maksimum deri në dhjetë vjet burgim, në paraburgim nuk mund të mbahet me tepër se 6 muaj, ndërsa kur procedohet për krime që dënohen me jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm, jo më tepër se 12 muaj.
-Si veprohet kur afatet e mësipërme shkelen?
Paraburgimi e humbet fuqinë nëse nga dita e dorëzimit të akteve në gjykatë kanë kaluar:
a) 2 muaj kur procedohet për kundravajtje;
b) 9 muaj, kur procedohet për krime që dënohet në maksimum deri në dhjetë vjet burgim;
c) 12 muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm;
-Po përsa i përket gjykatës a ka afate?
Sipas Kodit të Procedurës Penale paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga dita e dhënies së vendimit të dënimit në shkallë të parë kanë kaluar afatet e mëposhtme pa u dhënë:
a) 2 muaj kur procedohet për kundravajtje penale;
b) 6 muaj kur procedohet për krime që dënohen në maksimum deri në 10 vite burgim;
c) 9 muaj kur procedohet për krime që dënohen në maksimum jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm;
-Gjatë hetimeve paraprake, prokurori a mund ti kërkojë gjykatës zgjatjen e afateve të paraburgimit që janë në mbarim e sipër?
Po mund të kërkojë por vetwm në rastet kur ekzistojnë nevoja të rëndësishme sigurimi dhe verifikime veçanërisht komplekse që e bëjnë të domosdoshme këtë zgjatje, gjykata pasi dëgjon prokuronin dhe mbrojtësin, merr vendim. Zgjatja mund të bëhet vetëm një herë dhe nuk mund të jetë më shumë se tre muaj.
Veç kësaj, kohëzgjatja e paraburgimit nuk mund të kalojë gjysmën e maksimales së dënimit të parashikuar për veprën penale që procedohet.
-A mund të pezullohet afati i paraburgimit?
Po ai mund të pezullohet në rastet e mëposhtme:
a) shqyrtimi gjyqësor është pezulluar ose është shtyrë për shkaqe të veprimeve apo kërkesave të padrejta të bëra nga i pandehuri ose mbrojtësi i tij, me përjashtim të rasteve kur kërkesa bëhet për marrjen e provës.
b) Për kohën që shyrtimi gjyqësor është pezulluar ose është shtyrë për shkak të mosparaqitjes ose burgimit të një apo më shumë mbrojtësve që lënë pa ndihmë një a më shumë të pandehur.
-Çfarë është kundravajtja penale dhe çfarë është krimi?
Sipas Kodit Penal veprat penale ndahen në kundravajtje penale (që janë më të lehta) dhe krime (që janë më të rënda). Dallimi bëhet në nenet e posaçme të Kodit Penal.
-Po i pandehuri a ka të drejtë të ankohet kundër zgjatjes së afatit të hetimeve?
Jo vetëm i pandehuri por edhe viktima ka të drejtë që brenda 10 ditëve nga njoftimi të bëjë ankim në gjykatën e rrethit kundër vendimit të prokurorit për zgjatjen e afatit hetimor. Gjykata duhet të shqyrtojë ankimin brenda 10 ditëve duke u dëgjuar i pandehuri, mbrojtësi, viktima dhe prokurori.
-Si veprohet kur ankimimi pranohet?
Në këtë rast hetimet nuk duhet të vazhdojnë, gjykata urdhëron prokurorin që ti përfundojë ato brenda një afati jo më të gjatë se 15 ditë.
Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim, por vendimi i gjykatës nuk pezullohet.
-Provat që mund të jenë marrë, pas mbarimit të afatit a mund të përdoren?
Jo nuk mund të përdoren.
-Çfarë duhet kuptuar me fjalën “i paraburgosur”?
I paraburgosuri është personi që ende nuk është dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës.