Të njohim Kodin e Procedurës Penale
Të drejtat e të miturit në procesin penal dhe pyetjes së tij si dëshmitar
-Çfarë ndihme i jepet të pandehurit që është i mitur?
Të pandehurit të mitur i sugurohet ndihmë ligjore dhe psikologjike në prani të prindërve, kujdestarit ligjor ose personave të tjerë të kërkuar nga i mituri dhe të pranuar nga autoriteti që procedon.
-A mund të arrestohet personi që është i mitur kur dyshohet se ai ka kryer kundravajtje penale?
I mituri nuk mund të arrestohet kur ai akuzohet se ka kryer kundravajtje penale. Veprat që sipas Kodit Penal cilësohen si kundravajtje penale parashikojnë dënime më të buta (më të vogla).
-Si mund të veprojë prokurori kur i arrestuari ose i ndaluari është i mitur?
Kodi i Procedurës Penale i jep të drejtë prokurorit të urdhërojë që ai të mbahet në banesën e tij ose në një vend tjetër të ruajtur. Kur i mituri arrestohet ose ndalohet, detyrimisht duhet njoftuar prindi ose kujdestari i tij.
-Si duhet të veprojë policia gjyqësore kur është e nevojshme të pyetet i mituri që mund të ketë dijeni për një ngjarje ose për kryerjen e një vepre penale?
Policia gjyqësore, në një rast të tillë duhet të sigurojë praninë e prindërit, kujdestarit ose të një personi që mund të zgjidhet nga vetë i mituri si dhe prania e psikologut.
-Në rastet kur gjykohet një i mitur, seanca gjyqësore duhet të jetë publike apo e mbyllur?
Sipas Kodit të Procedurës Penale shqyrtimi gjyqësor duhet të zhvillohet gjithmonë me dyer të mbyllura kur gjykohen të mitur ose të rritur që akuzohen për vepra penale kundër të miturve.
-Kur dëshmitari është nën moshën 14 vjeç në ç’mënyrë merret dëshmia e tij?
Pyetja e tij bëhet në prani të gjyqtarit dhe të palëve në ambientet ku ndodhet i mituri. Pyetja bëhet nëpërmjet një psikologu, edukatori ose ndonjë ekspert tjetër, prindit ose kujdestarit, ndërsa kur ai është i moshës 14 deri në 18 vjeç, pyetja kryhet trupi nga gjykues dhe tregohet kujdes për të shmangur pasojat e dëmtimet mbi shëndetin mendor të tij, sidomos kur ai është viktimë e veprës penale.
Vendimet që mund të rishikohen
-A mund të rishikohen vendimet që kanë marrë formë të prerë?
Po ato mund të rishikohen në çdo kohë edhe në ato raste kur dënimi është ekzekutuar ose shuar.
-Sipas Kodit të Procedurës Penale nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit.
-Cilat janë rastet kur mund të rishikohen vendimet e gjykatës që kanë marrë formë të prerë?
Ato mund të rishikohen:
-
Kur faktet e dhëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë
-
Kur vendimi është bazuar me një vendim të gjykatës civile ose administrative i cili më pas është revokuar;
-
Kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar;
-
Kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale etj.
Kush mund të kërkojë rishikimin e vendimit?
Rishikimin e vendimit mund ta kërkojë:
-
I dënuari, mbrojtësi i autorizuar posaçërisht prej tij, kujdestari i tij dhe kur ai ka vdekur trashëgimtari ose një i afërm i tij;
-
Prokurori pranë gjykatës që ka dhënë vendimin
-Cila gjykatë shqyrton kërkesën për rishikimin e vendimit?
Kërkesën për rishikimin e vendimit e shqyrton gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit, pa praninë e palëve.
Gjykata e caktuar për rishikimin e çështjes cakton datën e seancës gjyqësore dhe urdhrin e thirrjes së palëve. Vendimi i dhënë në gjykimin e rishikimit mund të ankimohet.
Mospranimi i kërkesës ose vendimi që e rrëzon atë, nuk cënon të drejtën e paraqitjes së një kërkese të bazuar në prova të reja.
Kur kërkesa pranohet, gjykata vendos dërgimin e çështjes për gjykim nga një tjetër trup gjykues i së njëjtës gjykatë ose në gjykatën e Apelit kur kërkesa është bërë vetëm kundër vendimit të saj. Kundër vendimit nuk lejohet ankim.