Më tepër Përgjegjësi dhe Transparencë
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), ka ndjekur me vëmendje njoftimet që jepen në media dhe që janë pasqyruar edhe në botimet përkatëse të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), ku bëhet fjalë për një sërë denoncimesh nga ky institucion i pavarur kushtetues, për dëme që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit në vlera tepër të mëdha, me miliarda lekë.
KLSH-ja, është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar dhe e ushtron aktivitetin e tij, në veprimtarinë ekonomike të instiucioneve shtetërore, përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore etj. Të dhënat e publikuara në shtypin e përditshëm, jo vetëm për shumat e dëmeve, por edhe për fushat apo sektorët që kanë qënë objekt kontrolli janë të rëndësishme dhe shqetësuese. Këto të dhëna prekin sektorë kyç të financave të shtetit si sektori i tatim-taksave, doganave, prokurimeve etj.
KShH-së i terheq gjithashtu vëmendjen fakti se institucionet, ku janë konstatuar shkelje të rëndësishme dhe më pasoja të dëmshme, nuk prononcohen, nuk tregojnë transparencë, megjithëse një problem i tillë ka interes publik. KShH e shikon të nevojshme ta përmend këtë edhe për faktin se rezultatet e kontrollit të KLSH-së, për gjashtë mujorin e parë të vitit 2017, janë shoqëruar me disa rekomandime. Institucionet ndaj të cilave janë adresuar këto rekomandime nuk kanë reflektuar publikisht mbi zbatimin e tyre.
Nuk i takon KShH-se të komentojë apo të analizojë, bazueshmërinë e konstatimeve dhe konkluzioneve të KLSH-së dhe as bazueshmërinë ligjore të çështjeve të denoncuara në prokurori, të dërguara në gjykatë, të mosfilluara apo të pushuara. Megjithëkëtë KShH vlerëson pozitivisht, faktin që KLSH-ja, në përputhje më dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, për tetë çështje të pushuara nga prokurori, ka ushtruar të drejtën e ankimit në gjykatë. Ushtrimi i të drejtës së ankimit në gjykatë vlerësojmë se do të ndikojë pozitivisht në kontrollin gjyqësor ndaj veprimeve hetimore të kryera nga organi i akuzës si dhe mund të minimizojë efektet e pandëshkueshmërisë së veprave penale që lidhen me keqpërdorimin apo abuzimet me fondet shtetërore