Marina Bukovich, është një nga ekspertet e Shoqatës së Prokurorëve në Serbi, që ka ardhur në vendin tonë për të bashkëpunuar me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, në projektin e monitorimit të Vettingut. Ekspertët kanë nisur tashmë punën me këshillimin dhe trajnimin e vëzhguesve që do të monitorojnë gjatë Vettingut seancat dëgjimore të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Por puna e tzre nuk do të ndalet këtu.
Bukovich shprehet se qëllimi i këtij bashkëpunimi me Komitetin Shqiptar të Helsinkit është që personat e përfshirë në monitorim në bazë të një sërë aktiviteteve, të mësojnë nga eksperienca e Serbisë me procesin e Vetingut. Disa nga taktikat që sipas Bukovich vëzhguesit duhet të kenë parasysh janë, transparenca, raportet që theksojnë me pika se çfarë po ndodh, sfidat, praktikat e mira që mund të presim nga procesi dhe transparenca me publikun.
Një rol kyç në këtë proces ka dhe shoqëria civile. Shoqëria civile, sipas ekspertes së Shoqatës së Prokurorëve Serbë, duhet të përfshihet aq sa është mundur, pasi “monitorimet profesionale nxisin qeverinë dhe institucionet të jenë më të hapura”. “Sigurisht që shoqëria civile duhet të përfshihet aq sa është e mundur. Të paktën nga eksperienca serbe në përfshirjen e monitorimit, monitorimet profesionale ishin shumë të vlefshme për të identifikuar problemet, për të nxitur qeverisjen dhe institucionet që të jenë më të hapura, transparente dhe të jenë të përgjegjshme për qytetarët në kuptimin se çfarë do t’u sjellë procesi atyre”, tha Bukovich.
Intervista me Marina Bukovich:
Vettingu në lupë: Është vërtet një vlerë e shtuar për këtë projekt, bashkëpunimi me shoqatën tuaj. Mund të na thoni diçka më shumë si lindi ideja për bashkëpunim mes jush?
Marina Bukovich: Ne diskutuam se si Komiteti i Helsinkit në Shqipëri mund të mësojë nga eksperienca e Serbisë dhe kështu ramë dakord që të përpiqemi të bëjmë disa aktivitete së bashku, në mënyrë që të ekspertët shqiptarë të mësojnë nga eksperienca e Serbisë. Por gjithashtu ne do të synojmë të shohim se si janë përvojat serbe të përvetësuara sipas rrethanave shqiptare. Kështu që ne do të punojmë së bashku në zhvillimin dhe hartimin e projektit.
Vettingu në lupë: Cili do të jetë roli juaj në këtë projekt?
Marina Bukovich: Ne do të kemi vetëm rolin e këshillimit dhe atë të transmetimit të eksperiencave. Ne do ti asistojmë Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që të shmangim disa sfida të panevojshme për ta, apo ti ndihmojmë ti kapërcejnë lehtësisht, e gjithashtu të hartojnë edhe një strategji për rrezikun që ekziston në këtë proces. Kështu që kryesisht roli ynë është roli i këshillimit.
Vettingu në lupë: Si do ta asistoni Komitetin e Helsinkit për zbatimin e tij?
Marina Bukovich: Së bashku me znj.Deville ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë vëzhguesit shqiptarë, që të zhvillojnë dhe mësojnë disa mjete monitorimi dhe metodologji se si duhet të duket procesi i monitorimit. Kur ata të jenë të frikësuar për procesin, ne do të jemi aty për ta që ti këshillojmë për të përballuar sfidat, ndër to dhe komunikimi me median dhe me publikun. Pra, këto janë aktivitetet kryesore që ne do të bëjmë gjatë vitit të ardhshëm.
Vettingu në lupë: Sa i vlefshëm është ky monitorim për një transparencë të procesit?
Marina Bukovich: Kjo është një praktikë shumë e rëndësishme. Edhe këtu në Shqipëri, keni institucione publike të përfshira, kështu që dhe përfshirja publike është në procesin e monitorimit… Shoqëria civile, në këtë rast Komiteti Shqiptar i Helsinkit mund të ofrojë raporte të ndërlidhura të cilat theksojnë mbajtjen e pikave se çfarë po ndodh, cilat janë sfidat, cilat janë praktikat e mira që mund të presim nga procesi i ftohtë dhe t’ja paraqesë ato publikut.
Vettingu në lupë: A duhet të përfshihet më shumë shoqëria civile në këtë proces dhe a duhet ti hapen më shumë dyer bashkëpunimi nga aktorët e përfshirë në të?
Marina Bukovich: Nuk e di si do dukej nëse e bën procesin vetëm. Sigurisht që shoqëria civile duhet të përfshihet aq sa është e mundur. Të paktën nga eksperienca serbe në përfshirjen e monitorimit, monitorimet profesionale ishin shumë të vlefshme për të identifikuar problemet, për të nxitur qeverisjen dhe institucionet që të jenë më të hapura, transparente dhe të jenë të përgjegjshme për qytetarët në kuptimin se çfarë procesi do t’ju sjellë atyre.
Vettingu në lupë: Ne dimë që në Serbi nuk ka një finalizim të mirë të këtij procesi, mund të na thoni diçka më shumë se çfarë shkoi keq në vendin tuaj?
Marina Bukovich: Ekzistojnë disa probleme, disa prej tyre mund të jenë teknike. Do të ishte e lehtë për t’i kapërcyer, si për shembull nëse do të kishte patur kapacitete të ministrisë për të kryer procesin e plotë, për të vlerësuar kohën e duhur që ju nevojitet për këtë… por disa gjëra tjera mendoj se janë të lidhura me vullnetin politik për të kryer procesin e plotë në mënyrë të drejtë për të gjithë prokurorët. Në rrethanat serbe, kjo nuk u bë.
Vettingu në lupë: Çfarë duhet të kenë parasysh ekspertët shqiptarë, për të finalizuar me sukses procesin e Vettingut?
Marina Bukovich: Ne do të diskutojmë për çfarë ata duhet të marrin në konsideratë, por natyrisht që duhet të shohin nëse të gjithë prokurorët do të jenë në përputhshmëri me legjislacionin. Pra, nëse legjislacioni zbatohet tërësisht në praktikë, nëse të gjitha provat janë kompetenca të punës së gjyqtarëve apo se si këto funksiojnë në praktikë. Pra është një proces sfidues, sepse janë shumë shumë çështje të vogla që duhet t’i marrësh në konsideratë. Kur hartohet një ligj, ti mendon se ai është i mirë, por ndonjëherë në praktikë kemi kuptuar se ka disa sfida. Për shembull, disa kritere të vështira për krahasimin midis gjyqtarëve.
Mesazhi im është ky: Qytetarët shqiptarë duhet të përfshihen vet në procesin e Vettingut, me informacionet, provat dhe faktet që mund të kenë. Sepse ky është procesi i tyre dhe i vendit të tyre. Ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit duhet të jetë dera e publikut në këtë proces.