Prej muajit Maj 2015 ka hyrë në fuqi ligji nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Ky ligj synon rritjen e transparencës së organeve publike në procese të rëndësishme vendimmarrëse dhe i mundëson publikut dhe grupeve të interesit të japin mendimet dhe sugjerimet e tyre në këto procese.
Komiteti Shqiptar i Helsnikit (KShH) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Fondacioni), ka monitoruar gjatë periudhës korrik 2016 – maj 2017, zbatimin e ligjit nr.146/2014 nga 19 Ministri dhe Kryeminstria. Gjetjet kryesore të këtij monitorimi u krahasuan me gjetjet e prezantuara në raportin “Sfidat e zbatimit në praktikë të ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik” i realizuar në një monitorim më të hershëm të Fondacionit.
Në tërësi, vërehet se ligji është zbatuar në nivele të ulëta nga institucionet qendrore të ekzekutivit, edhe gjatë fazës së dytë të monitorimit. Procesi i konsultimit publik mbetet në nivele të pakënaqshme dhe në përgjithësi ka nota formalizmi.
Në të shumtën e rasteve, institucionet e ekzekutivit kanë anashkaluar kërkesat që dikton ligji për respektimin e afateve dhe procedurave të kërkuara për konsultimin publik, duke cenuar parimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe duke evidentuar edhe mungesë të llogaridhënies brenda institucionit, por edhe karshi grupeve të interesit.
Zbatimi me përpikmëri i detyrimit të parashikuar në nenin 7 të ligjit nr.146/2014, për publikimin e projektakteve që i nënshtrohen konsultimit publik, në regjistrin elektronik http://www.konsultimipublik.gov.al/RENJK është një nevojë urgjente.
Planet vjetore të akteve që duhet t’i nënshtrohen konsultimit publik nuk publikohen në programin e transparencës nga të gjitha ministritë. Afatet e njoftimit dhe konsultimit publik të projektakteve që ndiqen nga pjesa më e madhe e këtyre institucioneve janë tepër të ngushta dhe nuk respektojnë afatet e parashikuara në ligj. Gjithashtu, grupet e interesit në të shumtën e rasteve nuk marrin përgjigje për rekomandimet që janë marrë ose jo në konsideratë si dhe nuk njihen me përmbledhjen e arsyeve të refuzimit të një pjese të rekomandimeve të tyre.
Të dhënat e përftuara nga monitorimi, por edhe takimet e zhvilluara me grupet e interesit evidentojnë një mungesë besimi të vetë grupeve të interesit në procesin e konsultimit publik dhe tek institucionet që e realizojnë atë. Kjo ka ndikuar edhe në një aktivizim relativisht të ulët të përfaqësuesve të këtyre grupeve për të ofruar komente dhe sugjerime cilësore në proceset vendimmarrëse.
KShH dhe Fondacioni inkurajojnë organizatat e shoqërisë civile, median dhe përfaqësuesit e biznesit, të rrisin aktivizimin e tyre në drejtim të mbikëqyrjes së zbatimit të detyrimeve ligjore për njoftimin dhe konsultimin publik për projektaktet për të cilat kanë interes. Ushtrimi i të drejtës së ankimit nga këto grupe interesi, sidomos tek Komisioneri për të Drejtën e Informimin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vlerësojmë se do të rriste shkallën e zbatimit të këtij ligji në të ardhmen.
Për më shumë informacion mbi gjetjet dhe rekomandimet e këtij monitorimi, ju përcjellim bashkëlidhur Raportin “Mbi monitorimin e zbatimit të ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin Publik”.