Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësimin e tij të thellë për atë që ndodhi sot në seancën paralmentare, në ambientet brenda dhe jashtë Kuvendit. Opozita qysh më parë kishte deklarur se do të zhvillonte një tubim për të mos lejuar zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, si antikueshtetues.
KShH respekton dhe mbron të drejtën kushtetuese të çdo partie politike, të shoqatave apo të grupimeve të interesuara që të tubojnë (protestojnë) në mënyrë paqësore. Është gjithashtu e drejtë e opozitës që të kritikojë mosveprimet apo veprimet e Qeverisë kur ajo i konsideron ato korruptive, të kundraligjshme ose antikushtetuese. Gjithashtu, nëse opozita zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm e quante antikushtetuese mund të ndjekë rrugën institucionale, duke iu drejtuar organit kompetent, Gjykatës Kushtetuese që, sipas nenit 124, pika 1, të Kushtetutës zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
Megjithatë, për KShH-në, përdorimi i dhunës në mënyrë të organizuar ose jo, apo nga çdo kah që ushtrohet, në grup apo nga individë të veçantë, qofshin këta edhe deputetë nuk mund të jetë i justifikueshëm, demokratik dhe i ligjshëm. Sipas informacioneve të medias, u tentua jo vetëm bllokimi i punimeve të Parlamentit gjatë procedurës së zgjedhjes së Prokurorit të Përkohshëm por u hodhën edhe lëndë tymuese. Ajo që ndodhi sot në Parlament është një akt i paprecedentë që bie ndesh me misionin e rëndësishëm që duhet të përmbushin përfaqësuesit e popullit në një shtet ligjor.
Ushtrimi i lirisë kushtetuese për tubim paqësor apo ndërmarrja e hapave ligjore kushtetuese për të kundërshtuar vendimet që vlerësohen si antikueshtetues, janë garanci për stabilitetin e institucioneve në një vend demokratik si Shqipëria, i cili është anëtar i NATOs dhe aspiron të integrohet në familjen evropiane.
Media njofton gjithashtu se, veç dhunës së përdorur në Parlament jashtë selisë së tij, punonjësit e policisë janë përleshur me personat që protestonin. Vlerësimi nëse dhuna e ushtruar nga punonjësit e policisë ka qënë ose jo proporcionale është në diskrecion të organeve kompetente dhe në mënyrë të veçantë të organeve të sistemit të drejtësisë. KShH rekomandon se çdo akt dhune gjatë tubimit të sotshëm si dhe brenda mjediseve të Kuvendit duhet të hetohet në mënyrë të plotë, të gjithëanshme, me objektivitet dhe paanshmëri.