Reforma në drejtësi është në një fazë të rëndësishme, në fillesat e zbatimit të saj, të ngritjes dhe funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë. Vettingu ose siç njihet ndryshe rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe i prokurorëveështë procesi reformues i drejtësisë që ka tërhequr më shumë vëmendjen e publikut dhe në mënyrë të veçantë të qytetarëve, të cilët në këto 27 vite demokraci janë përballur me zvarritje, praktika korruptive dhe të padrejta në proceset hetimore apo gjyqësore.
Organet e vettingut u ngritën me vonesë. Sipas të dhënave të medias, me fillimin e punës së tyre ato u përballën me një ngarkesë voluminoze, për shkak të hetimit administrativ që vetë këto organe kryejnë në drejtim të vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas nenit 4 të ligjit të vettingut (nr.84/2016), vettingu anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe për Prokurorin e Përgjithshëm do të trajtohet me përparësi në kohë, pra do të jenë të parat që do të kalojnë në filtrin e kontrollit të organeve të vettingut.
Procesi i vettingut është në fazën kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ose siç njihet ndryshe institucioni i vettingut në shkallë të parë, sipas medias ka administruar raportet e organeve ndihmëse për rrethin e subjekteve që kanë përparësi. Organet ndihmëse janë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave Gjithashtu, KPK mund të ketë hetuar në rrugë administrative për këto subjekte, duke bashkëpunuar me organet publike, persona juridik dhe fizik, vendas dhe të huaj, duke verifikuar me nismën e saj,vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve të këtyre subjekteve. Në këtë fazë, priten të zhvillohen seancat e para dëgjimore publike me këto subjekte. Seancat dëgjimore me subjektet e vettingut janë publike dhe gjatë tyre, KPK ka të drejtë të marrë në pyetje subjektet e rivlerësimit (gjyqtarë, prokurorë, etj) dhe këto të fundit kanë të drejtë të mbrohen dhe të dëgjohen.
Para se të nisin të parat seanca dëgjimore pranë KPK-së, së fundmi në media janë publikuar dy raste të dorëheqjes nga funksioni, përkatësisht nga një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish Prokurori i Përgjithshëm, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve që kanë përparësi në procesin e vettingut. Për këto subjekte mund të jetë kryer hetim administrativ dhe KPK mund të disponojë nga ky hetim prova. Pyetja që lind natyrshëm dhe ka interes për publikun është, çfarë ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët që dorëhiqen gjatë procedurës administrative (veçanërisht në kohën mes përfundimit të hetimit administrativ dhe para seancave dëgjimore)? A duhet të ndërpritet apo të vazhdojë ky proces? Në këtë opinion dëshiroj të ndaj vlerësime të natyrës parimore, pa paragjykuar dhe shprehur vlerësime për rastet individuale të deritanishme të dorëheqjes.
Ligji për vettingun nr. 84/2016 parashikon në nenin 56, pika 1 të tij se subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni. Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit. Mënyra se si është formuluar kjo dispozitë, çon në përfundimin se procedura e vettingut pushon automatikisht, nëse subjekti dorëhiqet brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Nëse procedura e vettingut pushon, KPK nuk mund të konkludojë në vendim nëse gjyqtari ose prokurori i dorëhequr ka probleme ose jo me pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale. Duke marrë parasysh afatin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe efektet që pati pezullimi i përkohshëm i tij nga Gjykata Kushtetuese, afati tre mujor për dhënien e dorëheqjes sipas nenit 56/1 të ligjit ka kaluar në fillim të vitit të kaluar (2017).
Çështja e dhënies së dorëheqjes brenda afatit tre mujor nga hyrja në fuqi e ligjit të vettingut ka qenë objekt kundërshtimi në Gjykatën Kushtetuese, ku një grup deputetësh kërkuan shfuqizimin e këtij ligji si antikushtetues. Në përfundim, Gj.Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën për antikushtetutshmërinë e këtij ligjime vendimin nr.2, dt.18.01.2017. Subjekti kërkues (1/5 e deputetëve), ndër argumentet e paraqitura pranë kësaj gjykate ishte se afati 3-mujor për t`u dorëhequr, parashikuar në nenin 56 të ligjit, bie ndesh me nenin G të Aneksit të Kushtetutës. Sipas nenit G të aneksit kushtetues, subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet. Subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. Duke qenë se dispozita e aneksit kushtetues nuk përcaktonte afate për aktin e dorëheqjes, subjekti kërkues argumentoi se, akti i dorëheqjes është një akt vullnetar dhe nuk mund të kufizohet në kohë, pasi do të cenonte të drejtën e subjektit për të zgjedhur punën e tij sipas nenit 49 të Kushtetutës. Në pjesën arsyetuese të vendimit të saj, Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh as pro dhe as kundër këtij pretendimi, por vlerësoi se kërkuesi nuk ka paraqitur argumente të mjaftueshme për ta konsideruar këtë çështje në nivel kushtetues.
Çfarë do të ndodhë në këto kushte?A do të zbatojnë organet e vettingut drejtpërsëdrejti Kushtetutën apo dispozitat e ligjit të vettingut?Kushtetuta është ligji më i lartë që përcakton bazat dhe parimet kryesore të organizimit dhe funksionimit të shtetit. Kuvendi bazuar në këto parime, të drejta dhe liri kushtetuese dhe duke mos i cenuar ato, ka të drejtë të miratojë ligje që parashikojë rregullim më të detajuar(në afate, procedura, etj). Heqja e detajeve të panevojshme nga varianti draft i Kushtetutës (aneksi kushtetues për vettingun)ka qenë rekomandim i Komisionit të Venecias, në opinionin e ndërmjetëm të këtij Komisioni. Në opinionin përfundimtar, Komisioni i Venecias shprehet se është marrë në konsideratë rekomandimi i tij, dhe se nga aneksi kushtetues i vettingut janë hequr detaje të panevojshme.
Çështja se si do të interpretohet dhe zbatohet legjislacioni nga organet e vettingut për subjektet që dorëhiqen është një çështje e diskutueshme në kushtet kur vendi ynë përballet për herë të parë me vettingun, kur ende nuk është krijuar jurisprudenca e parë nga organet e vettingut si dhe nëse kemi parasysh qëllimin dhe objektivat e vettingut.
Duke qenë se vettingu është një proces me natyrë administrative, me interes janë edhe dispozitat e ligjit të vettingut që referojnë në ligje të tjera të miratuara po me shumicë të cilësuar (dispozitat referuese). Në nenin 4 të tij, ligji i vettingut përcakton se kur është rasti, institucionet e vettingut mund të zbatojnë edhe procedurat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative. Nëse i referohemi disa prej dispozitave të këtij Kodi, organi publik (KPK) mundet të ketë hapësirë për ta vijuar deri në fund procedimin administrativ edhe kur gjatë procesit ka tërheqje të palës. Në nenin 64, pika 4 të Kodit të Procedurave Administrative përcaktohet se, tërheqja e një pale nuk çon në përfundimin e procedurës administrative, në rast se organi publik vlerëson se vazhdimësia e procedurës është në interes publik ose në interesin e ligjshëm të palëve të tjera. Në nenin 94, pika 3 të këtij Kodi përcaktohet se, në çdo rast, tërheqja e kërkesës apo braktisja e procedurës nuk ndikon në vazhdimin e tij, nëse organi publik çmon se vazhdimi i procedurës është në interes publik, me përjashtim të rasteve kur procedura është e tillë që mund të fillojë vetëm me kërkesën e palës.
Dorëheqja e subjekteve para se të ndodhë vettingu mund të përmbushë qëllimin madhor të këtij procesi, nëse largohen pikërisht njerëzit e drejtësisë që janë të korruptuar, me lidhje të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe të paaftë profesionalisht. E parë në këtë këndvështrim, atë që do duhet ta bënte një proces me natyrë administrative sikurse është ai i vettingut, realizohet në fakt në një kohë të shkurtër, me vetë vullnetin e gjyqtarit/prokurorit, me anë të dorëheqjes. Dorëheqja mund të vijë, por jo detyrimisht, për shkak të efekteve të pritshme që ka vettingu te gjyqtari/prokurori, i cili mund të synojë të shmangë vendimin organeve të vettingut për shkarkim nga detyra dhe vendosjen e tij/saj në qendër të vëmendjes dhe kritikave të medias dhe publikut. Megjithatë, ajo që mbetet e paqartë për publikun dhe për të cilën kam marrë shkak për të sjellë këtë artikull tek lexuesi është nëse personat që largohen nga sistemi me dorëheqje kanë pasur ose jo të meta të rënda lidhur me pasurinë, figurën dhe aftësitë e tyre profesionale që përbëjnë tre komponentët bazë të vettingut.
Një prej qëllimeve po aq të rëndësishme që vettingu ka, është të rikthejë besimin e publikut tek institucionet e sistemit të drejtësisë. A do të mund të përmbushej ky qëllim në kushtet kur subjektet dorëhiqen dhe organet e vettingut e pushojnë procedurën e rivlerësimit pa vendim përfundimtar? Në këto raste publiku nuk është i qartë nëse dorëheqja është vetëm për arsye ngushtësisht personale apo për shkaqe të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit dhe prokurorit (për tre komponentët e vettingut). Interesi publik në rastin konkret mund të jetë njohja e publikut me fakte dhe prova, të cilat vërtetojnë se ka pasuri të pajustifikuara të gjyqtarëve ose prokurorëve, fshehje të pasurisë ose deklarim të rremë, se gjyqtarët dhe prokurorët e kanë ushtruar funksionin në situatën e konfliktit të interesit, se kanë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, etj, që e kanë bërë të papërshtatshëm qëndrimin e tyre në detyrë. Vettingu mund të perceptohet nga publiku se nuk i ka përmbushur krejtësisht qëllimet e tij, në kushtet kur gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar, të cilët kanë probleme me pasuritë, figurën apo aftësitë e tyre profesionale largohen vetë nga sistemi dhe kur organet përgjegjëse të vettingut e ndërpresin ose e pushojnë vettingun. Nëse procesi ndërpritet, këto organe, për shkak të hetimit administrativ mund të kenë marrë dhe mbledhur prova që vërtetojnë shkelje dhe abuzime të rënda me detyrën të këtyre gjyqtarëve ose prokurorëve të dorëhequr.
Vendimmarrja për vijimin ose jo të procedurës së vettingut, përgjyqtarët dhe prokurorët që dorëhiqen gjatë këtij procesi,është atribut eskluziv i organeve të vettingut. Nëse KPK do të krijojë praktikën për të pushuar këto çështje (pra për ta ndërprerë vettingun), ky organ, për shkak të hetimit administrativ të thelluar mund të ketë ardhur eventualisht në dijeni të fakteve që krijojnë dyshime për përfshirjen e gjyqtarëve ose prokurorëve në kryerjen e veprave penale të lidhura me korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, etj. Në këto raste, vlerësoj se KPK, si çdo organ tjetër publik ka detyrimin të zbatojë nenin 281, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale, nëse gjatë procedimit administrativ, zbulon njëfakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht. Në sajë të bashkëpunimit me organet publike të specializuara si dhe verifikimeve me natyrë administrative që KPK kryen, ajo mund të marrë dhe administrojë prova të rëndësishme që krijojnë dyshime për përfshirjen e gjyqtarit/ prokurorit të dorëhequr në veprimtari kriminale. Për këto raste, KPK ka detyrimin të bëjë kallëzim penal në prokurorinë përgjegjëse dhe të vërë në dispozicion të kësaj prokurorie, provat e siguruara gjatë hetimit administrativ. I takon prokurorisë të kryejë hetime të plota dhe të gjithanshme për faktet e kallëzuara dhe provat e përcjella. Në përfundim, është gjykata që ka të drejtë të vendos nëse gjyqtari ose prokurori i dorëhequr do të ketë ose jo përgjegjësi penale. Lufta ndaj pandëshkueshmërisë përbën një nga objektivat e kësaj reforme, ku edhe interesi publik është tepër i lartë. Për të krijuar besimin tek qytetarët se pandëshkueshmëria nuk është thjesht një koncept teorik, duhen veprime konkrete dhe vendosja e urave të bashkëpunimit mes organeve të pavarura të sistemit të drejtësisë, brenda suazës së kompetencave të tyre ligjore.