Gjetjet kryesore
Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur ndryshe si vetting është cilësuar nga Komisioni i Venecias si një masë e justifikuar dhe e nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor.
Organet ndihmëse[1] sikundër edhe institucionet e pavarura kushtetuese[2] të vettingut po punojnë për zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në ligjin Nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në disa raste, organet ndihmëse kanë referuar se janë përballur me mungesa në burimet njerëzore dhe volum të lartë pune për ushtrimin e përgjegjësive që ju ka ngarkuar ligji.
Për shkak të rëndësisë dhe volumit që ka procesi i vettingut, ku priten të rivlerësohen në mënyrë kalimtare rreth 800 subjekte, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është i ndërgjegjshëm se ky proces është kompleks dhe i vështirë. Megjithatë, KShH vlerëson se ky volum i lartë pune kërkon një veprimtari me ritëm më të shpejtë dhe dinamik nga institucionet e pavarura kushtetuese të vettingut, por pa e cenuar cilësinë e vettingut.
Ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë tashmë është një proces që varet nga vettingu i kandidatëve për anëtarët përkatësisht gjyqtarë dhe prokurorë në këto dy këshilla. Vonesat për ngritjen në kohë e këtyre Këshillave kanë krijuar ngërçe në plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë, si dhe në ngritjen në kohë të institucioneve të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përbën një fillim të mbarë të procesit, respektimi i parimit të publicitetit në seancat e para dëgjimore të zhvilluara nga KPK, të cilat mundësuan pjesëmarrje të gjerë të medias, vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë por gjithashtu edhe të publikut. Në këtë drejtim, vlerësojmë se kontribuoi edhe mendimi ligjor i ekspertëve të KShH-së para se këto seanca të fillonin, pasi vendi i zhvillimit të tyre ishte menduar në sallat me infrastrukturë të papërshtatshme dhe kubaturë tepër të vogël në ambientet e KPK-së.
Në datën 21 Mars 2018, KPK zhvilloi seancën e parë dëgjimore të vettingut që filloi në radhët e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ritmet me të cilat po zhvillohen seancat dëgjimore me subjektet e para që po kalojnë në filtrat e vettingut janë të ngadalta. Përgjatë një jave zhvillohet vetëm një seancë dëgjimore nga vetëm një trupë gjykuese, ndërkohë që numri total i anëtarëve të këtij Komisioni siguron formimin e katër trupave gjykuese. Vettingu mund të zhvillohet me ritme më të shpejta për ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë rezultuar pa probleme nga hetimi administrativ i KPK-së. Këto subjekte, sipas nenit 58, pika 1, gërma “a”e ligjit të vettingut mund të konfirmohen në detyrë[3]. Kjo mund të ndihmojë në lehtësimin e ngërçeve të krijuara në funksionimin e institucioneve kyç të drejtësisë si dhe paralelisht në plotësimin e vendeve vakante në këto institucione dhe institucionet e reja të drejtësisë. Periudha tranzitore e reformimit të institucioneve ekzistuese të drejtësisë nuk duhet të pengojë aksesin e shtetasve në drejtësi dhe as të çojë sistemin ekzistues të drejtësisë qoftë dhe përkohësisht në kolaps apo mosfunksionim.
Respektimi i parimit të publicitetit të seancave dëgjimore me subjektet e vettingut është kërkesë thelbësore e të drejtës për një proces të rregullt. Megjithatë, transparenca që ka mundësuar ky publicitet nuk duhet të cenoje dinjitetin njerëzor të subjekteve të vettingut. Dinjiteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve ashtu sikurse dinjiteti i çdo qënieje njerëzore duhet të respektohet, pavarësisht nga vendimmarrjet e institucioneve të pavarura kushtetuese të vettingut.
Gjithashtu, KShH vlerëson se duhet të respektohet autoriteti përfundimtar i institucioneve të pavarura vettingut të cilat janë të organizuara në dy shkallë, ndërkohë që subjektet e rivlerësimit dhe Komisionerët Publikë gëzojnë të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të vettingut në shkallë të parë. Çdo person, pavarësisht nga pozita zyrtare apo statusi publik duhet të respektojë parimin e prezumimit të pafajësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë subjekt i vettingut, duke shmangur çdo formë reagimi që mund të perceptohet si ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në veprimtarinë e institucioneve kushtetuese të vettingut. Kjo do të kontribuonte në rritjen e besueshmërisë së publikut se procesi i vettingut po realizohet në mënyrë të paanshme dhe nga institucione kushtetuese të pavarura, ashtu sikurse e kërkon korniza e re ligjore e sistemit të drejtësisë.
Kryesisht gjatë seancave dëgjimore të monitoruara pranë KPK-së, trupat gjykuese kanë dëshmuar sjellje etike korrekte ndaj subjekteve dhe avokatëve të tyre. Për aq sa ka qenë e mundur të monitorohej nga vëzhguesit e KShH-së, e drejta për proces të rregullt është respektuar përgjithësisht nga këto trupa, megjithatë janë të diskutueshme disa aspekte të rëndësishme të kësaj të drejte të evidentuara në pjesët vijuese të raportit.
Procesi i vettingut vijon të shoqërohet me një mungesë të theksuar transparence nga organet ndihmëse për publikun e gjerë, pavarësisht përpjekjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH), që u shndërruan në beteja ligjore, disa syresh të fituara. Dy prej këtyre organeve ndihmëse, përkatësisht ILDKPKI dhe DSIK nuk po zbatojnë vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, për dhënien e informacionit të plotë statistikor që ka rezultuar nga verifikimet e tyre, sidomos atij informacioni që ka interes për publikun. Argumentat e këtyre dy organeve për mosdhënien e informacionit vijnë sërisht në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore të vettingut.
Mënyra se si kanë operuar organet ndihmëse në raport me Institucionet e Pavarura Kushtetuese të Vettingut nuk rezulton të jetë e unifikuar. Pjesërisht kjo mund të vijë edhe për shkak të ligjit. Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) pranojnë se disponojnë në raportet e tyre konkluzione ose vlerësime paraprake lidhur me dy komponentët për të cilat ato ndihmojnë (figura dhe pasuria). Ndërkohë, Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) dhe Prokuroria e Përgjithshme referojnë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi se nuk disponojnë konkluzione lidhur me aftësitë profesionale përkatësisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në raportet e hollësishme dhe të arsyetuara që u vendosin në dispozicion komisioneve të vettingut.
Sipas DSIK, 3% e gjyqtarëve/prokurorëve nuk i janë përgjigjur me saktësi pyetjeve në formularët e vetë deklarimit ose kanë pasur mangësi në plotësimin e të dhënave dhe dokumentacionit të kërkuar. Ndërkohë, ILDKPKI referon se 3 gjyqtarë të gjykatave të rretheve gjyqësore, 1 Gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë dorëzuar deklaratën e pasurisë.
Numri 794 i subjekteve të rivlerësimit që kanë dorëzuar deklaratën e pasurisë pranë ILDKPKI-së nuk përputhet me numrin 801 të subjekteve që kanë dorëzuar deklaratën për kontrollin e figurës pranë DSIK-së. Shkak i mospërputhjes nga pikëpamja statistikore e subjekteve që kanë deklaruar tek DSIK me ato që kanë deklaruar tek ILDKPKI mund të jetë edhe dorëheqja e disa subjekteve të vettingut gjatë procesit të dorëzimit të formularëve të vetë deklarimit pranë këtyre organeve. Nëse është kështu, tërheqja e këtyre subjekteve mund të ketë ndodhur pikërisht për deklarimin e pasurive dhe konfliktit të interesave të tyre.
Këto janë vetëm disa nga gjetet kryesore të monitorimit që KShH po i bën procesit të Vettingut në vendin tonë. Të dhënat në vijim tregojnë rëndësinë e madhe të këtij procesi dhe mbi të gjitha edhe nevojën e monitorimit të tij me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke u udhëhequr nga standartet e të drejtave dhe lirive të njeriut.
- Gjetje dhe të Dhëna të natyrës cilësore
Me qëllim nxitjen e transparencës dhe llogaridhënies së organeve të ngarkuara me kompetenca për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) ka vijuar të monitorojë zbatimin e procesit të vettingut, në sajë të kontributit të paanshëm dhe profesional të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Qëllimi i procesit të vettingut është t’u rikthejë qytetarëve besimin tek sistemi i drejtësisë. Në këtë drejtim transparenca, llogaridhënia dhe përfshirja e qytetarëve konform ligjit në këtë proces janë elementë të rëndësishëm. Një synim tjetër i reformës në sistemin e drejtësisë por edhe i vettingut si pjesë e saj është edhe të largojë duart e politikës apo kujtdo që synon të ndikojë në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe paanshmërinë e njerëzve të drejtësisë.
- Aktet nënligjore të ligjit të vettingut
Me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, KShH ka ofruar oponencë ligjore për Rregulloren “Për veprimtarinë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, Rregulloren “Për procedurat e zhvillimit të shortit në KPK” si dhe për Rregulloren “Për veprimtarinë e Kolegjit të Apelimit”. Në pamundësi objektive që të ishte pjesë e procesit konsultativ gjatë hartimit të këtyre rregulloreve, KShH ka rekomanduar që mendimet dhe sugjerimet e parashtruara në këtë oponencë të diskutohen kolegjialisht mes anëtarëve të këtyre organeve, kur të vlerësohet nevoja për rishikimin e rregulloreve (duke qenë se ato janë miratuar).
Në përgjithësi, KShH konstatoi se rregulloret ishin mjaft të detajuara dhe lejonin rregullimin edhe të çështjeve që nuk janë të domosdoshme ose të cilat tashmë janë të rregulluara në pjesë të tjera të legjislacionit që kanë një hierarki më të lartë. Në disa raste, rregulloret përmbanin dispozita të cilat konfliktonin me legjislacionin me hierarki më të lartë, çka i bën ato juridikisht të pavlefshme. Është e rekomandueshme që versionet e ardhshme të rregulloreve të shmangin dublikimet (ose mbivendosje) me legjislacionin në fuqi dhe disa dispozita të tyre qartësohen më tej.
- Transparenca ndaj publikut e organeve ndihmëse të vettingut
Ashtu sikurse do të vërehet në këtë raport, vazhdon të ketë vështirësi dhe pengesa në drejtim të mundësimit të një transparence të plotë për publikun sa i takon procesit të vettingut, dhe në mënyrë të veçantë të dhënave të organeve që ndihmojnë në këtë proces institucionet kushtetuese të vettingut.
KShH i është drejtuar organeve ndihmëse të vettingut[4] për të marrë kryesisht informacione statistikore por edhe cilësore lidhur me ecurinë e procesit. Në këtë fazë të parë, KShH ka kërkuar informacion lidhur me numrin e subjekteve të rivlerësimit që kanë plotësuar në kohë formularët e vetë-deklarimit, nëse ka pasur subjekte që nuk e kanë plotësuar këtë kërkesë brenda afatit, ecurinë e procesit të rivlerësimit nga organet ndihmëse, natyrën e problematikave të konstatuara, si edhe informacion nëse ato kanë përgatitur raporte të detajuara siç parashikohet nga dispozitat e Ligjit Nr.84/2016. KShH ka specifikuar në kërkesat e saj, se natyra e informacionit që kërkohej ishte kryesisht statistikor dhe i përgjithshëm dhe nuk cënonte asnjë element të së drejtës së jetës private apo konfidencialitetin e vetë procesit të vettingut për rastet që parashikon ligji.
Organet ndihmëse kanë hezituar të japin në mënyrë të plotë informacionin e kërkuar nga KShH, duke mos respektuar dispozitat e ligjit “Për të Drejtën e Informimit” dhe afatet e tij. Këto organe ju shmangën në mënyrë të veçantë, dhënies së informacionit që kishte interes për publikun lidhur me këtë proces dhe konkretisht sa prej zyrtarëve të drejtësisë, sipas të dhënave paraprake që këto organe dispononin konsideroheshin të papërshtatshëm për tre komponentët që qëndrojnë në themel të vettingut, përkatësisht pasuria, figura dhe aftësitë profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Mosdhënia e informacionit nga organet ndihmëse, brenda afateve dhe në mënyrë të plotë çoi KShH-në ti drejtohej Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në mënyrë që të realizohej e drejta kushtetuese e informimit. Komisioneri e ka vlerësuar si të bazuar në ligj kërkesën e KShH-së për dy nga këto organe, përkatësisht për Drejtorinë e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive[5] dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) duke urdhëruar këto organe të japin informacionin e kërkuar që mungonte në shkresat zyrtare drejtuar KShH-së “Kthim përgjigje”.
Komisioneri nuk e pranoi ankimin e KShH-së ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, vendim për të cilin KShH ka ushtruar të drejtën e ankimit në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative Tiranë. Ndërkohë, në dt. 5 Shkurt 2018, KShH u tërhoq nga procesi i ankimi administrativ i depozituar tek Komisioneri ndaj Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë shqyrtimit të kësaj çështje tek Komisioneri, Inspektorati na ka dërguar dy shkresa zyrtare ku vërehet se informacioni i përcjellë ka përmbushur nga pikëpamja formalo-ligjore kërkesën tonë për informacion.
Edhe pas vendimmarrjes së Komisionerit, DSIK dhe ILDKPKI kanë vazhduar të mos japin informacion për disa nga pyetjet e shtruara nga KShH. KShH ka ushtruar të drejtën e padisë në gjykatën administrative ndaj këtyre dy institucioneve, pasi është cenuar e drejta për informacion nga mosveprimi i tyre në vijim të vendimit të Komisionerit. Dëshirojmë të theksojmë se, ligji për të drejtën e informimit nuk parashikon mekanizma ligjore efektiv për të detyruar organet publike që të zbatojnë vendimet e Komisionerit kur cenohet apo nuk respektohet e drejta për informacion.
Argumentet e përdorura nga organet ndihmëse për mosdhënien e informacionit që ka më shumë interes për publikun, ndryshojnë nga një organ tek tjetri, duke evidentuar mungesë konsistence në drejtim të zbatimit të ligjit. Gjithashtu, këto argumenta nuk mbështeten dhe as justifikohen nga dispozitat kushtetuese dhe ligjore të vettingut.
ILDKPKI-ja i është shmangur dhënies së informacionit lidhur me pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me arsyetimin se ky është një funksion që i përket organeve kushtetuese të rivlerësimit[6]. Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka pranuar si të arsyeshme dhe ligjore argumentet e KShH dhe ka disponuar se informacioni që kërkohet është brenda kompetenca që neni 33 i Ligjit 84/2014 dhe neni D i Kushtetutës i japin ILDKPKI-së. Komisioneri në vendimin e tij ka sqaruar se paragrafi 40 i Vendimit nr. 2/2017 i Gjykatë Kushtetuese dhe paragrafët 37-39 të Vendimit 78/2017 të Gjykatës Kushtetuese i japin ILDKPKI-së dhe organeve të tjera të përfshira në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve rol ndihmës në raport me institucionet e rivlerësimit të krijuara posaçërisht për këtë proces, si edhe i njohin këtyre institucioneve të drejtën për të kryer hetime të mëtejshme në kuadër të vendimmarrjes përfundimtare. Ky cilësim është bërë për të ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve në kuadër të procesit të rivlerësimit, por jo në sensin përjashtues për këto organe për të zhvilluar veprimtarinë e tyre hetimore.
Nga ana tjetër, argumentimi i DSIK-së është se informacioni që ata disponojnë përmban të dhëna sensitive, ekspozimi i të cilave mund të cënojë mbarëvajtjen e procesit si edhe të gjykojë përfundimin e tij. Gjithashtu sqarohet se, informacioni i kërkuar lidhet me procesin që po kryen Grupi i Punës “Për Kontrollin e Figurës” i cili është informacion i klasifikuar.
Në disa raste organet ndihmëse kanë referuar se janë përballur me mungesa në burimet njerëzore për realizimin e këtij procesi tepër dinamik dhe voluminoz. Sikundër jemi informuar prej Inspektoriatit të KLD-së, ku aktualisht ushtrojnë funksionin 10 zyrtarë (kryeinspektorja dhe 9 inspektorë), 6 vende në këtë Inspektoriat janë vakante, pra mungon 40 % e organikës, vende të cilat nuk mund të plotësohen për shkak të ndryshimeve ligjore të Reformës në Drejtësi. Inspektorati ka referuar se ka hasur vështirësi në procesin e tërheqjes së dosjeve gjyqësore që do të jenë pjesë e procesit të vlerësimit profesional, sepse në disa raste dosjet gjyqësore kanë lëvizur nga njëra gjykatë tek tjetra dhe rrjedhimisht bëhen disa shkresa zyrtare për të njëjtën dosje nëpër gjykata të ndryshme, çka kërkon kohë deri në tërheqjen përfundimtare të dosjeve.
Në përgjigjen e Inspektoratit të KLD-së mungonte informacioni se sa prej subjekteve në kompetencë të tij ishin ose jo të aftë profesionalisht. Kërkesës së dërguar rishtazi nga KShH specifikisht për këtë informacion, Inspektorati ju përgjigj se në raportet e hartuara prej tij, pavarësisht se janë me natyrë përshkrimore të hollësishme të të dhënave nuk përmbajnë konkluzione nëse subjektet janë ose jo të aftë profesionalisht dhe se këto raporte janë në përputhje me parashikimet e bëra në nenin 43 të ligjit të vettingut dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.2, dt.18.01.2017.
Kushtetuta nuk ka parashikuar specifikisht organin që do të kryejë kontrollin paraprak të deklaratës për aftësitë profesionale të dorëzuara nga gjyqtarët dhe prokurorët, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.2 (2017) ka argumentuar se sipas nenit 10/3 të ligjit organet e vlerësimit të aftësive profesionale janë Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që funksionon dhe struktura përkatëse e Prokurorisë së Përgjithshme. Në lidhje me këtë çështje, në përgjigjen e saj, Prokuroria e Përgjithshme është shprehur vetëm se “Grupi i Punës është në proces hartimi të raporteve të vlerësimit për këta subjekte…por është Komisioni i Pavarur i Kualifikimit institucioni që do të bëj rivlerësimin për këto raporte”, duke nënkuptuar se raportet e vlerësimit profesional të hartuara nga Grupi i Punës në Prokurorinë e Përgjithshme nuk përmbajnë konluzione nëse subjektet janë ose jo të aftë profesionalisht. Gjithashtu, modeli i Raportit të Vlerësimit i bashkëlidhur përgjigjes zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme nuk përmban ndonjë rubrikë me konkluzione, por vlen të evidentohet se struktura e tij përmban shprehimisht përshkrime dhe konstatime mbi njohuritë ligjore, arsyetimin ligjor, aftësitë organizative për të përballuar ngarkesën, administruar dosjet apo kryer procedurat hetimore, aftësitë komunikuese, etj.., duke nxjerrë indirekt konkluzione mbi elementët e vlerave profesionale të prokurorëve dhe ndihmësve ligjorë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Nëse në rastin e DSIK-së dhe ILDKPKI-së edhe pse refuzohej dhënia e informacionit, pranohet në mënyrë të nënkuptuar se këto institucione kishin të dhëna për konkluzionet (vlerësimet) paraprake lidhur me dy komponentët për të cilat ato ndihmojnë organet kushtetuese të vettingut, në rastin e Inspektoratit të KLD-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme referohet drejtpërsëdrejti ose tërthorazi se këto organe nuk disponojnë konkluzione lidhur me aftësitë profesionale përkatësisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjykata Kushtetuese[7] ka vlerësuar se të katërta organet ndihmëse nuk e ushtrojnë veprimtarinë e tyre ligjore në mënyrë të shkëputur nga veprimtaria e organeve të rivlerësimit, KPK-ja dhe KA-ja, por nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e këtyre të fundit. Për shkak të misionit që ato kanë dhe funksionit që kryejnë, qëllimi i përfshirjes së tyre në këtë proces është që të ndihmojnë organet kushtetuese në ushtrimin e kompetencave kushtetuese. Megjithatë, është e paqartë nëse në rastin e organeve ndihmëse për vlerësimin profesional, raporti i hollësishëm dhe i arsyetuar[8] që përgatisin këto organe për çdo subjekt të parashtrojë ose jo konkluzione ose opinione paraprake lidhur me aftësitë profesionale!
- Rëndësia e dinamizmit të procesit të vettingut, por pa prekur cilësinë e tij
Ngërçet e krijuara në funksionimin e organeve ekzistuese të sistemit të drejtësisë, sikurse është Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë si dhe vonesat e krijuara në ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja sikurse është Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Institucionet e specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkojnë një proces me ritme të shpejta dhe dinamike të vettingut, por pa dëmtuar cilësinë e tij.
Ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë tashmë është një proces që varet nga vettingu i kandidatëve për anëtarët përkatësisht gjyqtarë dhe prokurorë në këto dy këshilla. Në mënyrë zinxhir ngritja në kohë e këtyre Këshillave do të ndikonte në ç’bllokimin e ngërçeve të krijuara për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë, si dhe në ngritjen në kohë të institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë që është konstituar Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili është përgjegjës për rënditjen e kandidatëve në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ligji kërkon vettingun e anëtarëve të këtij Këshilli çka mund të verë në pikëpyetje legjitimitetin e tij.
Sipas njoftimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dt. 01.12.2017[9], janë shortuar dhe kanë filluar procedurat e rivlerësimit për 57 subjektet e para të listës së përparësive për shkak të ligjit, ndër të tjerash për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë, kandidatët për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Duke filluar nga data 16 Shkurt 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka vendosur të ndërpresë rivlerësimin kalimtar të 11 subjekteve, bazuar në aktet e tyre individuale të dorëheqjes, të paraqitura pranë këtij Komisioni prej muajit Janar të këtij viti[10]. Dy prej këtyre subjekteve që kanë paraqitur dorëheqjen ishin pjese e listës së shortuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Ritmet me të cilat po zhvillohen seancat dëgjimore pranë KPK mund të konsiderohen të ngadalta në raport me numrin total të anëtarëve të KPK-së[11], që siguron formimin e katër trupave gjykuese. Sipas kalendarit të seancave dëgjimore të zhvilluara deri më tani, rezulton që brenda harkut kohor një javor janë zhvilluar mesatarisht dy seanca nga vetëm një trupë e KPK-së, për një subjekt rivlerësimi, ku seanca e parë ka qenë dëgjimore dhe seanca e dytë për shpalljen e dispozitivit të vendimit.
Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” nuk parashikon në mënyrë të qartë afate për procesin e vettingut në të dyja shkallët e tij. Megjithatë, kur është rasti, institucionet e rivlerësimit mund të zbatojnë edhe procedurat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative ose në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
- Monitorimi i seancave dëgjimore me subjektet e rivlerësimit
Numri i pakët i seancave dëgjimore të zhvilluara me subjektet e rivlerësimit nuk mundëson pasqyrimin e konkluzioneve të plota dhe përgjithësuese sa i takon monitorimit të kryer nga vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Vlen të evidentohet se përbën një fillim të mbarë të procesit respektimi i parimit të publicitetit në seancat e para dëgjimore të zhvilluara nga KPK, të cilat mundësuan pjesëmarrje të gjerë të medias, vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë por gjithashtu edhe të publikut.
Pavarësisht nga standarti shumë i mirë që KPK ka vendosur për publicitetin e seancave dëgjimore, në dy seanca[12], vëzhguesit e KShH-së nuk janë lejuar të futen në sallën ku zhvilloheshin këto seanca. Në seancën e parë, vëzhguesit e KShH-së ishin prezent një minutë para se të fillonte kjo seancë ndërkohë që në seancën e dytë, ishin prezent disa minuta më vonë. Në të dyja rastet, moslejimi i vëzhguesve të KShH-së për të hyrë në ambientet e sallës u argumentua me faktin se cenohej mbarëvajtja e seancës që tashmë kishte nisur. Në vlerësimin tonë, kjo praktikë e cenon parimin e seancës publike të parashikuar në nenin 55 të Ligjit të vettingut, në nenin 20 të Ligjit për Gjykatat Administrative dhe ekziston risku i shkeljes së nenit 6, paragrafi 1 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut[13]. Seanca publike kërkon që publiku të hyjë dhe të largohet nga salla në çdo kohë. Kufizimet në këtë drejtim janë të parashikuara në nenin 20, paragrafi 2 i ligjit për Gjykatat Administrative, kur gjykata mund të mos lejojë pjesëmarrjen e mediave dhe të publikut në seancë gjyqësore ose në një pjesë të saj, me arsyetimin e mbrojtjes së moralit publik, rendit publik, të sigurisë kombëtare, të sekretit tregtar, të së drejtës së jetës private ose të të drejtave vetjake.
Respektimi i parimit të publicitetit të seancave dëgjimore me subjektet e vettingut është kërkesë thelbësore e të drejtës për një proces të rregullt. Megjithatë, KShH vëren se është gjithashtu thelbësore respektimi i dinjitetit njerëzor të të gjithë subjekteve të vettingut, pasi dinjiteti njerëzor mishërohet në Preambulën e Kushtetutës së RSH.
Sipas standarteve ndërkombëtare, mbrojtja e dinjitetit njerëzor kërkon mbrojtje ndër të tjerash nga poshtërimi ose pakësimi i vetëvlerësimit të një personi ose një grupi personash. Pavarësisht nga vendimmarrjet e organeve përgjegjëse të vettingut, KShH vlerëson se ecuria dhe rezultatet e procesit të vettingut nuk duhet të shoqërohen me deklarata publike që cenojnë dinjitetin njerëzor të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjithashtu, KShH vlerëson se duhet të respektohet autoriteti përfundimtar i organeve të vettingut dhe në mënyrë të veçantë duhet të respektohen të drejtat e subjekteve të rivlerësimit (gjyqtarëve dhe prokurorëve). Parimi i prezumimit të pafajësisë së këtyre subjekteve nuk duhet te cenohet edhe në rastet kur Komisioni i Pavarur i Vlerësimit vendos shkarkimin e këtij apo atij gjyqtari ose prokurori. E theksojmë këtë sepse sipas nenit “F” të Kushtetutës dhe nenit 62 pika 1 të Ligjit nr. 84/2016, subjektit të vlerësuar i është garantuar e drejta e ankimit në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, vendim i të cilit është i formës së prerë. Askush nuk duhet të paragjykojë individualisht apo në grup, drejtpërsëdrejti apo në mënyrë të nënkuptuar, gjyqtarët, prokurorët apo subjektet e tjera që i nënshtrohen vettingut. Kjo do të kontribuonte në rritjen e besueshmërisë së publikut dhe vetë subjekteve të vettingut, se ky proces po realizohet në mënyrë të paanshme dhe nga institucione kushtetuese të pavarura, ashtu sikurse e kërkon korniza e re ligjore e sistemit të drejtësisë.
Kryesisht gjatë seancave dëgjimore të monitoruara pranë KPK-së, trupat gjykuese kanë dëshmuar sjellje etikisht korrekte ndaj subjekteve dhe avokatëve të tyre, duke mos shfaqur paragjykime apo sjellje që mund të perceptohen si të njëanshme. Për aq sa ka qenë e mundur të monitorohej nga vëzhguesit e KShH-së, e drejta për proces të rregullt është respektuar kryesisht nga këto trupa, megjithatë janë të diskutueshme disa aspekte të rëndësishme të kësaj të drejte[14] të evidentuara në paragrafët në vijim:
- Në seancën dëgjimore të datës 21.03.2018, trupi gjykues u shpreh se nuk mund të parashtronte pyetje[15] për subjektin e rivlerësimit, pavarësisht nga prezenca e avokatit të tij në këtë seancë, pasi subjekti nuk ishte personalisht i pranishëm. Në vlerësimin e vëzhguesve të KShH-së, bazuar në nenin 55, pika 3 e Ligjit 84/2016 si dhe në parimet e procesit të rregullt, trupit gjykues nuk i mohoet e drejta që të parashtrojë pyetje edhe nëse subjekti i rivlerësimit nuk është prezent fizikisht por përfaqësohet përmes avokatit. Ky i fundit rezervon gjithmonë të drejtën që të mos u përgjigjet pyetjeve.
- Në seancën dëgjimore të datës 11.04.2018, avokatit mbrojtjës të subjektit të ri-vlerësimit ju mohua kërkesa për të thirrur një ekspert të pavarur auditimi. Në vlerësimin e vëzhguesve të KShH-së, refuzimi i kësaj kërkese është i diskutueshëm dhe mund të cenojë parimet e procesit të rregullt ligjor[16]. Ligji i vettingut i jep mundësinë dhe të drejtën KPK-së të thërrasë një ekspert dhe akti i ekspertimit mund të merret në vlerën e provës (neni 49/1, gërma “b”, Neni 49/2).
Gjithashtu, është e paqartë në praktikën e deritanishme të KPK-së se kur subjekti i rivlerësimit do të konsiderohet jo-bashkëpunues. Në seancën dëgjimore të datës 11.04.2018, relatorja e çështjes referoi se subjekti nuk ka qenë tërësisht bashkëpunues, në përputhje me nenin 48 të ligjit të vettingut. Mënyra se si është formuluar neni 48 i ligjit nr.84/2016 është disi i përgjithshëm, çka i lë një diskrecion relativisht të gjerë institucioneve të vettingut për zbatimin e tij. Ky term ka nevojë të saktësohet dhe qartësohet më tej në praktikën dhe vendimmarrjen e këtyre institucioneve, duke reflektuar më shumë transparencë, pasi në të kundërt kjo mund të jetë një formë e paragjykimit të subjektit të rivlerësimit apo vlerësimit të njëanshëm të tij.
- Gjetje dhe të Dhëna Statistikore të Organeve Ndihmëse
KShH mendon se mund të jetë në interes të publikut prezantimi në mënyrë të përmbledhur i disa prej të dhënave statistikore të pjesshme të vëna në dispozicion nga organet ndihmëse (DSIK, ILDKPKI, KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme), edhe pse këto të dhëna nuk janë përfundimtare. Sipas Kushtetutës dhe ligjit të vettingut, “Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë institucionet që vendosin për vlerësimin përfundimtar të subjekteve të rivlerësimit”.
Dëshirojmë të saktësojmë se, në kryerjen e funksionit të tyre kushtetues këto institucione të pavarura kryejnë një proces të mirëfilltë kontrolli dhe vlerësimi dhe nuk bazohen dhe as janë të detyruara nga përfundimet e paraqitura atyre nga organet e tjera ndihmëse.
- Vlerësimi i aftësive profesionale
- Lidhur me vlerësimin profesional të gjyqtarëve dhe ndihmësve ligjorë
Referuar përgjigjes zyrtare të Inspektoriatit të KLD-së, në periudhën 21.10.2016-31.03.2017 janë depozituar formularët dhe dokumentacioni shoqërues për vlerësimin profesional nga 466 subjekte rivlerësimi. Nga një analizë paraprake e të dhënave është konstatuar se këto subjekte janë:
- 7 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;
- 16 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë;
- 376 gjyqtarë të shkallës së parë dhe të dytë;
- 10 inspektorë dhe kryenispektorja e Inspektoriatit të KLD-së;
- 9 këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese;
- 19 ndihmës ligjorë të Gjykatës së Lartë;
- 25 ndihmës ligjorë të gjykatave administrative të shkallës së parë dhe të dytë;
- 2 gjyqtarë të komanduar në institucione të tjera; si dhe
- 2 ish gjyqtarë.
Deri në datën 26 Janar 2018, nën udhëzimet dhe me bashkëpunimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë organizuar 50 shorte për 50 subjekte të rivlerësimit kalimtar për të cilat ndihmon Inspektorati i KLD-së. Këto subjekte kategorizohen:
- 7 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese;
- 10 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë;
- 2 kandidatë për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë;
- 12 kandidatë për Këshillin e Lartë Gjyqësor;
- 8 anëtarë të Këshillit për Emërimet në Drejtësi, nga të cilët 4 janë anëtarë të zgjedhur me shortin e datës 7 dhjetor nga Kuvendi;
- 11 kryetarë gjykatash të shkallës së parë dhe të apelit.
Pas organizimit të shorteve për përzgjedhjen e dosjeve të shqyrtuara nga subjektet e rivlerësimit, Inspektorati ka kërkuar gjithsej 250 dosje gjyqësore/ dokumente ligjore në gjykatat respektive ku administrohen këto akte. Gjendja e paraqitjes së dosjeve paraqitet si më poshtë:
- janë paraqitur në Inspektorat kopje të 198 dosje gjyqësore, të cilat lidhen me rivlerësimin kalimtar të 40 subjekteve të rivlerësimit;
- për 10 subjekte rivlerësimi, Inspektoriati është në pritje të dosjeve;
- për 12 subjekte rivlerësimi janë paraqitur të gjitha dosjet dhe po punohet për finalizimin e raporteve sipas formës standard, me qëllim dërgimin e tyre sa më shpejt pranë KPK-së;
- për 28 subjekte rivlerësimi, janë paraqitur të gjitha dosjet dhe është përfunduar analiza e tyre.
Me vendimin e Grupit të punës të ngritur nga KLD-ja, Inspektoriati ka proceduar me depozitimin e raporteve dhe dosjeve gjyqësore pranë KPK-së me grupe subjektesh rivlerësimi, në varësi të institucionit. Sipas kësaj qasjeje, janë depozituar pranë KPK-së gjithsej 17 raporte, të shoqëruara me 175 dosje gjyqësore për 17 subjekte rivlerësimi si më poshtë:
- 7 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese;
- 10 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë;
- Lidhur me vlerësimin profesional të prokurorëve dhe ndihmësve ligjorë
KShH i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme informacion mbi numrin total të subjekteve që kanë paraqitur formularin e vetë-deklarimit profesional brenda afatit ligjor, sipas nenit 41 pika 1 e ligjit nr.84/2016, të ndara sipas kategorive prokuror dhe ndihmës ligjor pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme në përgjigjen e saj zyrtare njofton se numri total i subjekteve që kanë paraqitur formularin e vetë-deklarimit profesional është 336, nga të cilët:
- 326 janë prokurorë;
- 7 ndihmës ligjor dhe
- 3 ish prokurorë që aktualisht janë në pozicionin e Inspektorit në Drejtorinë e Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të gjithë subjektet e rivlerësimit kanë dorëzuar brenda afatit 31 Janar 2017 formularin e vetë-deklarimit. Përsa i përket procedurës së rivlerësimit, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur me subjektet prioritare që janë 23 prokurorë:
- Prokurori i Përgjithshëm;
- 3 anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi;
- 19 kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Sipas kalendarit të rënë dakord paraprakisht me KPK, janë hedhur 21 shorte në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pritet hedhja e shorteve të tjera në vijim.
- Vlerësimi i Pasurisë
Nga informacioni i marrë nga KShH, rezulton se kanë dorëzuar pranë ILDKPKI-së deklaratën e pasurisë në total 794 subjekte të procesit të rivlerësimit të kategorizuar si vijon:
- 7 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe 9 këshilltarë ligjore pranë saj;
- 15 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe 20 ndihmësa ligjorë pranë saj;
- 373 janë gjyqtarë të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apelit;
- 27 janë ndihmësa ligjorë pranë gjykatave administrative;
- 326 janë prokurorë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë për Krimet e Rënda, Prokurorive të rretheve gjyqësore dhe apelit;
- 7 janë ndihmësa ligjorë;
- 10 janë Kryeinspektorë dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Nuk kanë dorëzuar formularët në total 6 subjekte të procesit të rivlerësimit, nga të cilët 3 janë gjyqtarë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, 1 është gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë dhe 2 janë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Vlen të theksohet se numri i subjekteve që kanë dorëzuar brenda afatit ligjor deklaratën e pasurisë është 794, i cili është më i ulët se numri i subjekteve që kanë dorëzuar deklaratën për kontrollin e figurës dhe të vlerësimit profesional, që rezultojnë nga përgjigjet e Inspektoratit të KLD-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe të DSIK-së. Konkretisht, numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të gjyqtarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apelit që kanë dorëzuar deklaratën e pasurisë pranë ILDKPKI-së rezulton më i ulët në raport me numrin e subjekteve që kanë dorëzuar deklaratat për 2 kriteret e tjera të rivlerësimit, ndërsa numri i ndihmësave ligjorë pranë Gjykatës së Lartë dhe gjykatave administrative rezulton më i lartë në këtë drejtim (shih shpjegimin në paragrafët në vijim)[17].
KShH është në pritje të informacioneve të tjera nga ILDKPKI në zbatim të vendimit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
- Kontrolli i Figurës
DSIK i është përgjigjur kërkesës së KShH-së përsa i përket numrit të subjekteve që e kanë plotësuar në mënyrë jo të saktë (me mangësi) Deklaratën për Kontrollin e Figurës, përkatësisht 3% e 801 subjekteve të rivlerësimit kalimtar, që përbëjnë totalin e tyre.
Pranë DSIK-së kanë dorëzuar deklaratën brenda afatit ligjor 7 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, 6 ndihmës ligjorë dhe 3 këshilltar pranë saj, 17 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe 16 ndihmës ligjorë pranë saj, 73 gjyqtarë dhe 1 prokuror pranë Gjykatave të Apelit, 244 gjyqtarë dhe 6 ndihmës ligjorë pranë gjykatave të shkallës së parë, 39 gjyqtarë, 1 këshilltar dhe 21 ndihmës ligjorë pranë gjykatave administrative dhe Gjykatës së Apelit Administrativ, 22 gjyqtarë të Gjykatave të Krimeve të Rënda, 1 gjyqtar dhe 10 inspektorë pranë KLD-së 331 prokurorë dhe 2 ndihmës ligjor pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe prokurorive të rretheve gjyqësore, si dhe 1 Avokat Shteti.
Shkak i mospërputhjes nga pikëpamja statistikore e totalit të subjekteve që kanë deklaruar tek DSIK me ato që kanë deklaruar tek ILDKPKI mund të jetë edhe dorëheqja e disa subjekteve të vettingut gjatë procesit të dorëzimit të formularëve të vetë deklarimit. Nëse është kështu, tërheqja e këtyre subjekteve ka ndodhur për deklarimin e pasurive dhe konfliktit të interesave të tyre.
Ndryshimi i numrit të subjekteve që kanë dorëzuar deklaratën pranë DSIK-së është gjithashtu i ndryshëm në përbërje nga numri i subjekteve që është raportuar nga Inspektorati i KLD-së, Prokuroria e Përgjithshme dhe ILDKPKI-ja. Pra, vihen re disa mospërputhje në të dhënat statistikore nga këto organe edhe për kategoritë apo ndarjen e subjekteve. Psh, ndërsa ILDKPKI referon se kanë vetëdeklaruar 20 ndihmësa ligjorë pranë tij, DSIK referon një numër më të ulët, përkatësisht 16 ndihmësa ligjorë. Në këtë drejtim, mund të ketë krijuar paqartësi kategorizimi i gjyqtarëve apo prokurorëve që kanë kërkuar pezullim të përkohshëm dhe janë komanduar në pozicione të tjera në institucionet e drejtësisë, si psh i gjyqtarëve që janë komanduar si ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë, Inspektoratin e KLD-së, etj. E thënë ndryshe, organet ndihmëse mund të kenë patur kuptim të ndryshëm të pozicioneve të subjekteve të rivlerësimit.
Përsa i përket pyetjeve të tjera jemi në pritje të informacionit nga DSIK, në zbatim të vendimit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Ky raport prezantohet në vijim të monitorimit të realizuar në kuadër të nismës “Për të rritur transparencën, gjithë përfshirjen dhe përgjegjshmërinë në procesin e vettingut”, mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA).
[1] Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) , Prokuroria e Përgjithshme, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK);
[2] Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit pranë Gjykatë s Kushtetuese;
[3] Ky vendim nuk është përfundimtar nëse ushtrohet e drejta e ankimit brenda afatit ligjor, 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
[4] Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI)
[5] http://www.idp.al/wp-content/uploads/2018/02/Vendim_nr_05-ILDKPKI.pdf
http://www.idp.al/wp-content/uploads/2018/02/Vendim_nr_04-DSIK.pdf
[6] Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese;
[7] Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.2, dt.18.01.2017
[8] Neni 43, pika 2 e Ligjit nr.84/2016
[9] http://kpk.al/2017/12/12/njoftim/
[11] http://kpk.al/rreth-nesh/komisioneret/
[12] Seancat e dt.23 Mars 2018 dhe 17 Prill 2018.
[14] Për sqarimin e këtyre aspekteve mund të vijnë në ndihmë vendimet e arsyetuara të cilat nuk janë zbardhur dhe publikuar ende të arsyetuara në faqen zyrtare të KPK-së.
[15] Pyejtet nuk mund të parashtroheshin as nga trupa gjykuese dhe as nga ONM.
[16] Neni 49/6 i ligjit të vettingut “Kërkesa për marrjen e një prove refuzohet nga Komisioni ose Kolegji i Apelimit, nëse nuk lejohet nga ligji ose në rastet kur: a) marrja e provës duket se është e panevojshme; b) fakti që kërkohet të provohet është i parëndësishëm për vendimmarrjen ose mund të rezultojë i provuar gjatë gjykimit; c) mjeti i provës është tërësisht i papërshtatshëm ose i paarritshëm; ç) bëhet me qëllim zvarritjen e gjykimit; d) pretendohet të provohet një fakt në favor të subjektit të rivlerësimit, i cili edhe po të konsiderohet i vërtetë, nuk ndikon në marrjen e vendimit.”
[17] Për më shumë shih shpjegimin e dhënë nën pikën 2.3 të këtij raporti.