Në dt.12 Tetor 2018, ora 10:00 (paradite), i dënuari M.Th i akomoduar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Drenovë, Korçë, njoftoi Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH) në rrugë telefonike për ankesën e tij.
Sipas të dënuarit, në mbrëmjen e datës 11 Tetor 2018, rreth orës 23:00 (të mbrëmjes), punonjës të grupit të sigurisë pranë këtij burgu kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Në këtë moment ai ndodhej në sektorin e veçimit (izolim) sepse ndaj tij ishte marrë një masë disiplinore. Pas kësaj telefonate, KShH u njoftua sërisht në rrugë telefonike nga një tjetër i dënuar lidhur me këtë ngjarje.
KShH, në përputhje me misionin e tij dërgoi një grup verifikimi për monitorimin e kësaj ngjarje, në përberje të të cilit ishte edhe një ekspert mjeko-ligjor. Vëzhguesit e KShH-së morën fillimisht takim me të dënuarin (ankuesin) M.Th, i cili konfirmoi ndodhinë siç kishte njoftuar në telefon. Konkretisht, M.Th kishte kërkuar ndërhyrjen e grupit të sigurisë për të larguar nga sektori i veçimit një të dënuar me ç’rregullime të shëndetit mendor që shkaktonte zhurmë dhe thirrje të vazhdueshme. Pas këtij njoftimi, specialisti i grupit të sigurisë është afruar pranë zgavrës së derës së qelisë ku ndodhej M.Th dhe nga jashtë ai e ka ofenduar dhe fill pas kësaj, një punonjës tjetër i grupit të sigurisë e ka goditur të dënuarin me shkop gome.
Eksperti mjeko-ligjor, pjesë e grupit të vëzhguesve të KShH-së konstatoi se në syrin e djathtë të të dënuarit shihej një ekimozë mavi, me enjtje në përmasa 1.5×1 cm, në prekje e dhimbshme, me gërmishje, pa dëmtim kockor. Ndërsa në pjesën e brendshme të syrit (sklera) vërehej një ekimozë me përmasa 0.3 mm (etiketim hemoragjie). Gjithashtu, i dënuari pretendoi se me qëllim vetëmbrojtje, nga pjesa e brendshme e zgarës përdori bishtin e fshesës për të shmangur vijimin e ushtrimit të dhunës ndaj tij. Si pasojë e kësaj, në dorën e djathtë shikohen dy gërvishtje në trajtë vijore, me gjatësi 8-10 cm.
I pyetur për këtë ngjarje, stafi i IEVP-së Drenovë (Korçë) mohoi pretendimet e të dënuarit se ndaj tij ishte ushtruar dhunë. Në kartelën mjekësore të këtij shtetasi, nuk rezultoi të kishte shënime lidhur me lëndimet e pretenduara nga ai, të cilat në fakt u konstatuan edhe nga kqyrja që ju bë nga eksperti mjeko-ligjor (në përbërje të grupit të vëzhguesve të KShH-së).
KShH i sugjeron prokurorisë të fillojë ndjekjen penale, duke zhvilluar hetime të shpejta, objektive dhe të gjithëanshme, me qëllim zbardhjen e të gjithë rrethanave të kësaj ngjarje dhe evidentimin e përgjegjësisë penale të autorëve të këtij incidenti. KShH e shikon të nevojshme të theksojë se raste të tilla të ushtrimit të dhunës nga personeli i burgjeve nuk kanë qenë të pakta. Sipas nenit 5 të ligjit për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar dhe të paraburgosur, këta shtetas duhet të trajtohen me dinjitet, duke respektuar të drejtat njerëzore të tyre.