Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është njohur dhe ka ndjekur protestat e zhvilluara nga banorët e zonës së Astirit, të qytetit Tiranë, shtëpitë e të cilëve është vendosur të prishen si pasojë e zbatimit të Projektit të ndërtimit të Unazës së Re. Një përfaqësues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit zhvilloi një takim ditën e djeshme, me disa prej banorëve të kësaj zone që protestonin për të drejtat e tyre.
KShH vlerëson projektet infrastrukturore që i shërbejnë përmirësimit të cilësisë së transportit rrugor dhe jetës së qytetarëve në qytetin e Tiranës. Edhe pse projekte të tilla mund t’i shërbejnë interesit publik, KShH vlerëson se shteti duhet të testojë në mënyrë proporcionale çdo të drejtë dhe interes që preket nga këto projekte, në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës.
Veçanërisht, në dy dekadat e para të demokracisë, në mbarë vendin pati ndërtime të paligjshme, të cilat nuk u ndaluan nga organet shtetërore, madje mund të kenë krijuar pritshmëri tek banorët dhe familjarët e tyre që me kalimin e kohës mund të aplikonin për legalizimin e tyre dhe të fitonin të drejtën e pronësisë, sikurse ka ndodhur me një pjesë të tyre. Çdo banor që ka ndërtuar prej një kohe të gjatë godina banese në këto zona dhe ka investuar për mirëmbajtjen e tyre, pavarësisht ecurisë së procedurës së legalizimit, kemi mendimin se mund të shikohen forma alternative të drejta, të qëndrueshme dhe proporcionale të strehimit apo shpërblimit të tyre, në frymën e Konventës së të Drejtave Ekonomike Sociale dhe Kulturore. Kjo Konventë që është ratifikuar nga vendi ynë sanksionon të drejtën për strehim, si një e drejtë për të jetuar në siguri, paqe dhe me dinjitet. Prishja e banesave për këta shtetas ka krijuar dhimbje dhe shqetësime në jetën e tyre private dhe familjare, një e drejtë kjo e sanksionuar në Kushtetutë dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Politizimi i kauzës së banorëve apo përdorimi i kësaj kauze për qëllime dhe interesa politike, nuk i shërben qetësimit të situatës dhe vendosjes së dialogut konstruktiv mes qytetarëve dhe institucioneve. KShH mendon dhe sugjeron se dialogu konstruktiv dhe sqarimet me durim dhe transparencë midis banorëve dhe përfaqësuesve të organeve përkatëse shtetërore është i nevojshëm. Çdo shtetas, pavarësisht pozitës apo funksionit të tij duhet të respektojë të drejtën e tubimit të banorëve që pretendojnë se u cënohen të drejtat e tyre dhe të mos përdorë ndaj tyre fjalë apo shprehje ofenduese që acarojnë dhe përshkallëzojnë më tej situatën krijuar. Banorët kanë të drejtë që në mënyrë paqësore të parashtrojnë kritika nga më të ndryshmet, madje edhe të ashpra ndaj institucioneve lokale apo qendrore. Në këto kushte kërkohet përmbajtje dhe mirëkuptim, parandalim i çdo lloj konflikti apo konfrontimi të dhunshëm.
Në përfundim, i sugjerojmë organeve të Policisë së Shtetit në zbatim të ligjit dhe në mënyrë të veçantë të Ligjit “Për tubimet” të marrin të gjitha masat për të parandaluar çdo acarim të situatës.