Nga Brixhilda Dhima, Paraligjore, Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në 31 Janar të 2020 ka shpallur virusin Covid-19 emergjencë shëndetësore globale dhe në 11 Mars të 2020 ky virus u shpall zyrtarisht pandemi.
Për shkak të rrethanave të pazakonta dhe unike në të cilat ky virus u zhvillua si dhe duke patur në konsideratë pasojat tragjike në jetë njerëzish, në bazë të rekomandive të OBSH-së, praktikave të ndjekura nga shtetet e tjera te prekura, Qeveria jonë miratoi disa vendime si dhe një akt normative me fuqinë e ligjit, të cilat ndër të tjerash parashikojnë disa kufizime që kanë si qëllim madhor parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të shtetasve. Këto masa sollën kufizimin e disa të drejtave dhe lirive të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Europiane e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (KEDNJ) si dhe legjislacioni kombëtar në fuqi.
Masat shtrënguese në kuadër të mbrojtjes ndaj përhapjes së Covid-19 prekin të gjithë individët të cilët qoftë për shkak të shtetësisë, vendbanimit apo rrethanave të tjera janë duke qëndruar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në kategorinë e grupeve në nevojë që mund të preken nga këto masa janë edhe shtetasit e privuar nga liria, të cilët ndodhen në ambjentet e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) ose në ambientet e kufizimit të lirisë në Komisariate.
Në nenin 15 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut parashikohet se rast lufte ose rreziku tjetër publik që i kanoset jetës së kombit, çdo Palë e Lartë Kontraktuese (përfshi këtu vendin tonë) mund të marrë masa që iu shmangen detyrimeve të parashikuara nga kjo Konventë, veçse në shkallën më të vogël që e kërkon situata, me kusht që këto masa të mos jenë të papajtueshme me detyrimet e tjera sipas të drejtës ndërkombëtare. Shmangia nga detyrimet e Konventës apo siç njihet ndryshe “derogimi” nuk mund të prekë nenin 2 të Konventës që garanton të drejtën e jetës, me përjashtim të rastit të vdekjes që vjen si pasojë e akteve të ligjshme të luftës. Në asnjë rast, shmangia nga detyrimet nuk mund të cenojë nenin 3 të Konventës që ndalon përdorimin e torturës dhe trajtimit ç’njerëzor apo degradues, nenin 4, pika 1 që ndalon skllavërinë dhe robërinë dhe nenin 7 që ndalon dënimin pa ligj. Çdo Palë e Lartë Kontraktuese, që ushtron këtë të drejtë derogimi, mban plotësisht të informuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për të gjitha masat e marra dhe arsyet pse ato janë marrë. Përmbushja e këtij detyrimi nga shtetet anëtarë në Këshillin e Evropës që kanë aderuar në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbetet për tu parë në vijimësi.
Një pjesë e të dënuarve dhe të paraburgosurve, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike, kërkojnë një kujdes të vazhdueshëm shëndetësor. Ky kujdes sjell një detyrim pozitiv për shtetin shqiptar ndaj të gjithë individëve të privuar nga liria. Mospërmbushja e këtij detyrimi sipas vendimeve të Gjykatës së Strasburgut përbën shkelje të nenit 3 të KEDNJ-së. Shteti duhet të sigurojë jo vetëm sistemin e nevojshëm shëndetësor për të dënuarit në përgjithesi por kujdesin e vecantë mjekësor në përputhje me nevojat shëndetësore të secilit prej tyre[1]. Duke marrë parasysh karakterin absolut të këtij neni edhe në kushtet e pandemisë, kufizimet e vendosura mund të shkaktonin shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria.
Në përputhje me nenin 4 të ligjt nr 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe mbrojtjen e sëmundjeve infektive”, çdo person ka të drejtë të përfitojë nga masat për mbrojtjen nga sëmundjet infektive. Neni 6 i këtij ligji sanksionon masat e përgjithshme të cilat duhet të merren në kuadër të mbrojtjes, ndër të cilat mund të veçojmë sigurimin e ujit të pijshëm higjienik dhe ruajtjen e kushteve tekniko-sanitare dhe higjienike në ndërtesa publike. Sipas informacioneve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB) është ndjekur një protokoll i rreptë lidhur me higjenizimin dhe higjenën përsonale të të dënuarve dhe të paraburgosurve. Ndërkohë që nga ana e DPB-së referohet ndërmarrja e masave për higjenizimin e institucioneve, gjendemi në kushtet e mungesës së informacionit në lidhje me hapat konkrete të ndjekura për ndërgjegjësimin dhe informimin e të dënuarve dhe paraburgosurve nga stafi i IEVP–ve. Ndërsa turmbetohet fort për ndërgjegjësimin e qytetarëve në gjendje të lirë, në kushtet kur shumë të dënuarve nuk disponojnë pajisje si televizorë apo radio, detyra për ndërgjegjësimin e tyre i përket stafit të IEVP (si psh stafit edukativ, mjekësor, etj).
Sipas nenit 33 të ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i përditësuar, shërbimi mjekësor për shtetasit e privuar nga liria sigurohet gjatë gjithë kohës së qëndrimit në institucion. Shkelja e këtij detyrimi, mund të sjell shkelje të detyrimeve, të cilat shteti shqiptar është zotuar t’i përmbushë në kuadër të konventave dhe traktateve ndërkombëtare, një pjesë e të cilave janë cituar më herët në këtë artikull. Krahas kësaj, Rregullorja Evropiane e Burgjeve shprehet se: “Autoritetet e burgut ruajnë shëndetin e të gjithë të burgosurve që janë në kujdesin e tyre. Shërbimet mjekësore në burg organizohen në bashkëpunim të ngushtë me administrimin shëndetësor të komunitetit ose të shtetit. Të burgosurit i ofrohen shërbimet mjekësore, kirurgjike dhe psikiatrike, duke përfshirë dhe ato shërbime që janë të disponueshme në komunitet“[2].
Në kushte normale, KShH ka vërejtur se në një pjesë të mirë të IEVP-ve mjekët punojnë me kohë të pjesshme, dhe të dënuarit kanë shfaqur ankesa për mosmarrjen e shërbimit të nevojshëm shëndetësor. Në kushtet e kufizimeve të vendosura ndaj kësaj pandemie, shteti duhet të tregojë një vëmendje të vecantë dhe të shtuar për të ofruar shërbimin shëndetësor ndaj kësaj kategorie shtetasish. Në nenin 23 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve parashikohet e drejta e të dënuarve dhe paraburgosurve për të realizuar vizita pranë spitalit të burgjeve. Në një situatë kur shumica e mjekëve janë duke zhvilluar luftën në frontin e parë, kjo mund të sjellë kufizime për shtetasit e privuar nga liria që mund ta kenë të domosdoshme të kryejnë vizita shëndetësore por duke i mbrojtur ata nga rreziku i infektimit nga koronavirusi.
Sipas njoftimeve për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton se janë evidentuar të gjithë personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike dhe po ushtrohet një vëmendje e shtuar me masa shtesë shëndetësore, duke i monitoruar ata në mënyrë periodike gjatë ditës për cdo shqetësim të paraqitur[3].
Marrja e masave në kuadër të mbrojtjes ndaj përhapjes së virusit Covid-19 sipas rekomandimeve të OBSH-së, sjell kufizimin e disa nga të drejtave të shtetasve të privuar nga liria. Disa nga të drejtat sipas Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat kufizohen në kuadër të këtyre masave janë e drejta e ajrimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve, e garantuar në nenin 32 të ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve, takimi me familjen, të afërmit dhe miqtë, i garantuar në nenin 40 të ligjit, korrespondenca dhe fshehtësia e saj, e garantuar në nenin 43 të saj, pjesëmarrja e këtyre shtetasve në aktivitete të përbashkëta, i garantuar në nenin 55 të ligjit, etj.
Për shkak të kufizimeve të të drejtavë të sipërcituara, konkretisht të drejtës për vizita me familjarët, sipas njoftimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim vijimin e komunikimeve të të dënuarve me të afërmit e tyre, janë instaluar pajisje të posacmë për një komunikim alternativ si dhe janë shtuar sasia e minutave të komunikimit telefonik[4]. Vlen të përshëndetet si një masë pozitive, Urdhri i Ministres së Drejtësisë për instalimin dhe lidhjen e kompjuterave që mundësojnë komunikimin përmes platformës “Skype”. Megjithatë mbetet e paqartë mënyra se si të dënuarit dhe paraburgosurit do të mbajnë korrespondencën dhe si do të sigurohet fshëhtësia e kësaj korresponce. Në kushtet kur kjo e drejtë lidhet në mënyrë direkte më të drejtën e ushtrimit të ankimit[5], mbeten për tu parë hapat qe do të ndiqen për garantimin e saj.
Kufizimi i të drejtave të mësipërme, pavarësisht nevojës dhe proporcionaitetit të tyre, do të ndikojë në cenimin e përkrahjes morale dhe në përmbushjen e programit të rehabilititmit (ri-integrimit të këtyre shtetasve në shoqëri)[6], të cilit në fakt, edhe në situatë normale, jo gjithmonë i kushtohet vëmendja e duhur nga personeli psiko-social i administratës së burgjeve, që vepron në kushtet e një mbingarkese dhe një psikolog apo punonjës social e ka të pamundur të ndjekë konform standarteve trajtimin dhe rehabilitimin e një numri të konsiderueshëm të paraburgosurish/ dënuarish. Në kushtet e ekzistencës së një pandemie dhe kufizimit të të drejtave, është e paqartë nëse personeli i këtyre institucioneve ka hartuar ose jo një plan të veçantë rehabilitmi. Si po ofrohen shërbimet psiko-sociale në kushtet e kufizimeve, kur dihet që mbështetja me psikolog dhe punonjës socialë është tepër e nevojshme dhe kërkon një vëmendje të shtuar të autoriteteve, pasi izolimi në burg është shumë herë më i vështirë se sa izolimi në shtëpi, ku njerëzit kanë më shumë hapësirë për të organizuar ditën e tyre dhe për të ndjekur shtypin e shkruar elektronik apo për të mbajtur kontakte me njerëzit më të afërt të familjes. Po kaq e rëndësishme dhe jetike në këtë situatë është edhe marrja e masave mbrojtjëse që garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të personelit të burgjeve.
[1] Marian Chirita kundër Rumanisë vendimi nr. 9443 I datës 21 tetor 2014, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut
[2] Rregullorja Evropiane e Burgjeve, pika 39, 40.1, 40.5
[3] http://ëëë.dpbsh.gov.al/neëëeb/index.php?fq=brenda&m=shfaqart&aid=826
[4] http://ëëë.dpbsh.gov.al/neëëeb/index.php?fq=brenda&m=shfaqart&aid=826
[5] Neni 8, ligji nr.8328, datë 16.4.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” I përditësuar
[6] Neni 56 “Individualizimi i trajtimit” Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve