Njoftim zyrtar i zgjedhësve në banesat e tyre është detyrim ligjor, sipas nenit 52 të Kodit Zgjedhor
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në përmbushje të misionit të tij, gjatë periudhës 21-26 Tetor 2020 ushtroi një vëzhgim në 11 njësi të qeverisjes vendore të Tiranës për të konstatuar në vend nëse listat e zgjedhësve ishin publikuar brenda afatit ligjor, detyrim ligjor i cili rezultoi se ishte respektuar.
Gjithashtu, në fokus të monitorimit ishte nëse kryetarët e njësive të qeverisjes vendore kishin filluar lajmërimin me shkrim të zgjedhësve në banesat e tyre, se në cilën qendër votimi do të votonin, cila ishte adresa e saj, cili ishte numri rendor i emrit të tyre në listën e zgjedhësve. Ky detyrim ligjor nuk rezultoi të ishte përmbushur për shkak të mos akordimit të fondit përkatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, Vlen të përmendet se ky detyrim ligjor duhet të përfundonte brenda datës 6 dhjetor 2020, referuar pikës 1, nenit 52 të Kodit Zgjedhor.
Në datën 2 nëntor 2020, për rezultatet e këtij vëzhgimi u njoftua zyrtarisht Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. KShH shprehte shqetësimin për mosnjoftimin e zgjedhësve në banesë dhe sugjerohej që KQZ-ja, në zbatim të nenit 52 të Kodit Zgjedhor të njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme. Meqë nuk kishim asnjë informacion se si u veprua lidhur me sugjerimin e përmendur më lart, mbështetur në Ligjin Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, në datën 16 dhjetor 2020, iu drejtuam përsëri Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Në datën 22.12.2020, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, në vend që t’i përgjigjej shkresave tona të datave 2 nëntor dhe 16 dhjetor 2020, ku bëhej fjalë për sugjerimin tonë lidhur me akordimin e fondit për njoftimin e zgjedhësve në banesat e tyre, përmend Udhëzimin nr.1, datë 05.12.2020 “Përcaktimi i rregullave për ngritjen, caktimin dhe njoftimin e vendndodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së vetëqeverisjes vendore për zgjedhjet” dhe pikën 6 të nenit 52 të Kodit Zgjedhor.
Vlen të theksohet se Udhëzimi i mësipërm është miratuar në dt. 5 dhjetor 2020, kur sipas nenit 52 pika 1 të Kodit Zgjedhor, njoftimi me shkresë i zgjedhësve në banesat e tyre duhet të përfundonte në 6 dhjetor 2020. KShH, si në muajin dhjetor 2020 edhe në ditët e para të Janarit 2021 ka ushtruar sondazhe të pjesshme si në Tiranë dhe në disa rrethe të tjera të vendit dhe ka rezultuar se njoftimi zyrtar i zgjedhësve në banesat e tyre nuk është bërë.
Në pikën 6 të nenit 52 thuhet së “Kryetari i bashkisë të paktën një hërë në javë si dhe sa herë që i kërkohet nga KQZ-ja, raporton për zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen.”
Pavarësisht korrespondencës së realizuar me Komisionerin, KShH nuk disponon informacion se çfarë thuhet në këto raporte të kryetarëve të Bashkive, lidhur me zbatimin e pikës 2 (lajmërimi me shkrim i zgjedhësve) dhe pikës 5 të nenit 52 të Kodit Zgjedhor (akordimi i fondit nga Ministria e Punëve të Brendshme).
KShH e shikon të nevojshme të sugjerojë përsëri që në zbatim të nenit 52 të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja të kërkojë nga Ministria e Punëve të Brendshme akordimin e fondit përkatës për të mundësuar, qoftë dhe jashtë afatit ligjor, njoftimin me shkrim të zgjedhësve në banesat e tyre.
Pavarësisht nga ngarkesa dhe volumi i lartë i punës me të cilën është përballur KQZ në këto muajt e parë të veprimtarisë së saj pas ndryshimeve të konsiderueshme që pësoi Kodi Zgjedhor, sugjerimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit drejtuar KQZ-së në korrespondencën zyrtare si dhe këtë deklaratë për shtyp, mbështeten plotësisht në nenin 12, pika 1 të Kodit Zgjedhor, nenin 19 shkronja “dh” të Kodit Zgjedhor dhe nenin 52 pika 6 të Kodit Zgjedhor si dhe Ligjin Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
KShH vlerësoi të nevojshme që prononcimi për këtë çështje të bëhet publik sepse ka të bëjë me interesin më të lartë të zgjedhësve, me detyrimin ligjor që ka shteti për njoftimin në banesat e tyre, gjë që do të mundësonte edhe ushtrimin e së drejtës së tyre për të kërkuar korrigjimin e listës zgjedhore në rastet e parashikuara me ligj.
KShH, në përfundim, e shikon të arsyeshme të theksojë se ndërsa aksesi për t’u njohur me listat e shpallura të zgjedhësve është një e drejtë, njoftimi zyrtar në banesat e tyre është detyrim ligjor.