Deklaratë për shtyp: Caktimi i drejtë i mandateve për çdo zonë zgjedhore
Kusht i rendësishëm për të respektuar barazinë e votës


Kuvendi i Shqipërisë pritet që të shqyrtojë në seancë plenare çështjen e përcaktimit të numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore. Ky proces, që duhet të kryhet jo më vonë se 6 muaj përpara përfundimit të mandatit të Kuvendit, është shoqëruar me debate të shumta, për shkak se KQZ nuk mundi të marrë një vendim me shumicë të cilësuar, siç e kërkonte ligji dhe të përgatiste për Kuvendin një propozim konkret për mënyrën se si mund të caktoheshin mandatet për çdo zonë zgjedhore.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme (KZLN)1 vlerëson se përcaktimi i numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore është proces i lidhur drejtpërsëdrejti me parimin e barazisë së votës së çdo zgjedhësi. Në nenin 45 të Kushtetutës sanksionohet se “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Me votë të barabartë kuptojmë jo vetëm të drejtën e shtetasve, që kanë mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, për të gëzuar të drejtën e votës, pa asnjë dallim, mundësinë e barabartë të tyre për ushtrimin e kësaj të drejte, si dhe të njëjtën vlerë, ose peshë, të secilës votë të dhënë, në përcaktimin e rezultatit zgjedhor. Raporti midis numrit të zgjedhësve me mandatet që do të prodhohen nga votimi, në secilën zonë, duhet të jetë i njëjtë, ose sa më i përafërt.

Në “Kodin e Praktikave më të mira për Çështjet Zgjedhore”, të miratuar nga Komisioni i Venecias, më 2002, midis të tjerave thuhet se vota e çdo votuesi duhet të ketë të njëjtën vlerë dhe të njëjtën fuqi në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve. Për këto arsye, por jo vetëm, ndarja e mandateve për çdo zonë zgjedhore detyrimisht është e lidhur me numrin e zgjedhësve dhe shtetasve, që ajo zone ka, duke mbajtur mire parasysh çdo ndryshim demografik të ndodhur në 4 vitet e fundit, meqenëse edhe Kodi ynë Zgjedhor ka përcaktuar2 se: “Numri i mandateve të çdo zone zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore.”

KZLN mendon se ruajtja e skemës së ndarjes së mandateve, të përdorur në zgjedhjet e vitit 2009, nuk respekton detyrimet ligjore e ndërkombëtare të sipërcituara. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e deputetëve të Kuvendit, me qëllim që në ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore të mos ketë disproporcione diskriminuese për shkaqe politike, të përbërjes etnike, të seksit, gjuhës, fesë, aftësisë së kufizuar, orientimit seksual të grupeve të shtetasve që përbëjnë popullatën e zonave zgjedhore, apo kufizime të tjera që vijnë në kundërshtim me angazhimet ligjore e konventore, të marra përsipër në kuadër të mbrojtjes nga diskriminimi.

Bazuar në sa më sipër KZLN i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë, grupeve parlamentare të tij, që të mos nxitohen në marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm, të mos gjykojnë e vendosin vetëm politikisht lidhur me të, por të respektojnë barazinë e votës, si një nga parimet më të rëndësishme kushtetuese e demokratike, në lidhje me procesin zgjedhor. Zgjedhësve shqiptarë dhe subjekteve zgjedhore do tu rritej besimi për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme nëse ky vendim i Kuvendit do të merrej me konsensus sa më të gjerë politik.

Fondacini Shqiptar per te Drejtat e Personave me Aftesi te Kufizuara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit