Sipas raportimeve në media, në më pak se një muaj janë shënuar 7 viktima në punë[1]. Rasti më i fundit është shënuar në prroin e Holtës (Gramsh), ku zbatohej projekti për ndërtimin e një hidrocentrali, ku gjetën vdekjen dy të rinj të moshës 22 e 32 vjeç. Para këtij rasti, në Klos, humbi jetën një tjetër punonjës i ri 29 vjeçar në një fabrike të përpunimit të kromit, pas një rrëshqitje masive me ujë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) vëren me shqetësim se raste të tilla, të përsëritura, pavarësisht se raportohet se kryhen verifikime për sigurinë në punë, në të vërtetë kalohen në heshtje institucionale nga organet përgjegjëse që duhet të kryejnë inspektime të rregullta parandaluese (jo vetëm kur ndodh aksidenti) për respektimin e rregullave të sigurisë në punë. Gjithashtu, prokuroria duhet të kryejë hetime të gjithëanshme e në kohë të arsyeshme, për të verifikuar përgjegjësitë e punëdhënësve.
Në këtë vështrim, duke marrë shkas nga numri shqetësues i viktimave në punë 3 javët e fundit, KShH vëren organet përkatëse shtetërore në drejtim të zbatimit rigoroz të legjislacionit tonë për sigurimin e shëndetit dhe jetës të punonjësve kanë mangësi serioze, çka është një këmbanë alarmi për punonjësit që veçanërisht për shkak të kushteve të vështira sociale ekonomike punojnë edhe në sektorë të vështirë dhe me rrezik të lartë për shëndetin e tyre.
Gjykata Evropiane e të Drejatve të Njeriut (GJEDNJ) ka një praktikë të konsoliduar që ndërhyrjen e shtetit (si një detyrim pozitiv) në mbrojtje të jetës e konsideron të domosdoshme pasi buron nga neni 2 i Konventës Evropiane (KEDNJ).
KSHH vëren në tërësi me shqetësim edhe mungesën e reagimit të fortë sindikalist në vendin tonë. Zëri sindikalist në mbrojtje të punonjësve në Shqipëri është pothuajse i munguar dhe i pandjeshëm. Sindikatat kanë një rol të pazëvendësueshëm në një shtet demokratik, për të garantuar që çdo punonjës, pavarësist statusit të tij social apo ekonomik t’I respektohen të drejtat e punës dhe siguria e jetës dhe e shëndetit në punë. Lëvizjet sindikaliste shërbejnë për të luftuar pabarazinë sociae dhe ekonomike dhe mbrojtjen e punonjësve, veçanërisht kur janë në pozita vulnerabël,
KSHH u shpreh ngushëllimet e thella familjeve dhe të afërmëve për këto humbje të rënda tragjike të jetës së këtyre shtetasve.
Ndërkohë i bëjmë thirrje prokurorisë, të kryejë një hetim të plotë e të pavarur dhe në kohë të arsyeshme për këto raste. Përcaktimi dhe identifikimi i përgjegjësisë, sipas rastit, i shërben parandalimit të përgjithshëm dhe të posaçëm të këtyre rasteve tragjike për jetën e punonjësve dhe familjarëve të tyre.
[1] https://www.reporter.al/2025/05/10/dy-te-rinj-vriten-gjate-punimeve-per-ndertimi-i-nje-hidrocentrali-ne-holte-te-gramshit/