Dënojmë dhunën e kundraligjshme të punonjësve te policisë në Korçë


Sipas njoftimeve të medias, shoqëruar dhe me videot përkatëse, rezulton se në dt. 21 Shkurt 2015, punonjës të Komisariatit të Policisë Korçë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj qytetarit Tomi Misha. Për goditjet dhe plagët e marra ai është shtruar për mjekim në Spitalin Rajonal Korçë.

Mësohet gjithashtu se, ndaj efektivave të policisë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë ka filluar çështjen penale me akuzë”Shpërdorim detyre”, bazuar në nenin 248 të Kodit Penal. Në të njëjtën kohë, ndaj punonjësve të sipër cituar, është marrë masa administrative “Pezullim nga detyra” nga ana e autoriteteve përkatëse të Policisë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) përshëndet reagimin e menjëhershëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Artan Didi dhe të organit të Prokurorisë, lidhur me këtë ngjarje, e cila ka cenuar rëndë, veç të tjerave dhe imazhin e Policisë së Shtetit. Ngjarja e mësipërme tregon se në radhët e Policisë së Shtetit ka ende persona të paformuar si duhet për të kryer funksionet që mbartin, që nëpërkëmbin dinjitetin e shtetasve, që shkelin të drejtat dhe liritë e tyre, që sillen ndaj shtetasve me arrogancë dhe brutalitet, deri në dhunim fizik ose psikologjik të tyre.

KShH vëren se, ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por në disa raste, ndaj tyre është heshtur, ose janë mbajtur qëndrime relativisht të buta, si për sa i takon kualifikimit të veprës, ashtu dhe dënimeve që janë aplikuar. Prandaj, duke dënuar ashpër këto veprime, i sugjerojmë organit përkatës të Prokurorisë që të zbardhë rrethanat e ngjarjes në mënyrë të plotë, të gjithanshme dhe objektive.

Shkelje të tilla me pasoja të rënda për shëndetin e shtetasve dhe për funksionimin e organeve të policisë, duhen ndëshkuar në përputhje me ligjin dhe aktet ndërkombëtare të zbatueshme në vendin tonë, të cilat ndalojnë çdo veprim dhune gjatë ushtrimit të funksioneve publike, duke i përcaktuar këto veprime, sipas rastit, deri në torture, trajtim çnjerëzor, ose degradues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postime

eventet

< 2020 >
January
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  
TOP