Dhuna e Policisë ndaj protestuesve e papranueshme


Në datën 4 Maj, disa shtetas te qytetit te Kukësit organizuan një tubim, për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj pagesës së detyrimeve dhe kamatëvonesave të faturave të energjisë elektrike. Kërkesën e tyre paraprake për leje, lidhur me zhvillimin e tubimit, organet e policisë në rreth e kishin refuzuar, megjithatë organizatorët e zhvilluan tubimin e planifikuar. Pamjet e transmetuara nga mediat televizive dhe mediat sociale, treguan qartë se disa punonjës të policisë, duke tentuar të shpërndajnë tubimin, ushtruan dhunë dhe ndonjë prej tyre kreu dhe veprime të papranueshme, si kërcënimi me armë ndaj protestuesve.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) çmon të nevojshme të theksojë se, liria e tubimeve paqësore dhe pa armë është nje e drejtë e garantuar nga Kushtetuta (neni 47), si dhe Ligji Nr. 8773, dt. 23.04. 2001 “Për tubimet”. E drejta e policisë për ndalimin e tubimit mund të ushtrohet vetëm në mënyrë të motivuar dhe në rastet e parashikuara në ligjin e sipërcituar (neni 8).

KShH dënon këto akte të dhune, për më tepër kërcënimin me armë të manifestuesve dhe i bën thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të analizojë me objektivitet dhe mbi bazën e parametrave ligjore ngjarjen e ndodhur, në mënyrë të veçantë veprimet e punonjësve të policisë gjatë shpërndarjes së protestës. I sugjerojmë, gjithashtu, organeve të Prokurorisë të Kukësit të nisë hetimet, kryesisht, nëse ka elementë të veprës penale. Kjo gjë do të shërbejë që të evidentohet përgjegjësia e personave konkretë për ngjarjen dhe të parandalohen raste të tilla në të ardhmen.

Raste të tilla duhen shmangur veçanërisht në situatën aktuale të prag zgjedhjeve të 21 Qershorit 2015, kur qetësia publike është e domosdoshme për t’u mundësuar zgjedhësve formimin e bindjes së tyre të pavarur për ushtrimin e të drejtës së votës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit