Në përmbushje të misionit të tij, për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka patur dhe vazhdon të ketë në vëmendje zhvillimet e sistemit tonë të drejtësisë penale, me fokus të veçantë ofrimin e oponencës ligjore gjatë procesit ligjbërës, me synim reflektimin dhe respektimin e standarteve dhe praktikave të mira vendase dhe ndërkombëtare në parashikimet e këtij legjislacioni.
Të bindur se legjislacioni dhe jurisprudenca e gjykatave evolon bashkë me zhvillimin e shoqërisë, me qëllim që t’i përgjigjet parandalimit dhe ndëshkimit të formave të avancuara apo sofistikuara të kriminalitetit, për KShH është e rëndësishme respektimi i të drejtave dhe lirive të shtetasve si dhe respektimi i nenit 17 të Kushtetutës në rastet kur vendosen kufizime të këtyre të drejtave.
Duke qenë se projektligji është në proces shqyrtimi, për t’ju ardhur sadopak në ndihmë, dëshirojmë t’ju referojmë një material që paraqet interes për përmirësimin e mëtejshëm të projektit; gjithmonë nëse ky material nuk ka qenë i njohur për grupin draftues më parë. Konkretisht bëhet fjalë për një ekstrakt të shkëputur nga libri “Zbatimi i të drejtave të njeriut në praktikë. Manual trajnimi për të drejtat ndërkombëtare të njeriut”, Fondacioni Slynn, Londër, Janar 2016 (fq. 310 – 315). Në këtë ekstrakt trajtohen rastet e Gjykatës Evropiane lidhur me interpretimin se çdo të konsiderohet shkelje në raport me të drejtën për një jetë private, duke j’u referuar specifikisht përgjimeve të telekomunikimeve. Gjithashtu aty trajtohet “korrespondenca”, “privatësia”, “mbrojtja dhe mbikëqyrja” si dhe “teknikat speciale të hetimit”.
Gjithashtu, na lejoni të paraqesim vlerësimet tona për këtë projektligj, në bazë të rendit kronologjik të dispozitave dhe propozimeve për ndryshim.
1) Për nenin 2 që ndryshon nenin 2 të ligjit sugjerojmë të hiqet përsëritja “parandalimin e krimeve të rënda”.
2) Për nenin 3, ku propozohen shtesa dhe ndryshime në nenin 3 të ligjit – lidhur me ndryshimin e pikës 1, është e paqartë se cilët konsiderohen “qytetarët më të lartë të shtetit”. Mund të formulohej më qartë togfjalëshi “hyrje të paautorizuar… kombëtare” dhe konkretisht për sa i takon shprehjes “hyrje të paautorizuar”. Çfarë duhet kuptuar me shprehjet “dhe krimit ekonomik/krimit të jakave të bardha”? Shprehja “aktivitete të tjera” mund të lejë shkas interpretimeve të zgjeruara. Për pikën 2 të këtij neni, shprehja “të origjinës fillestare” do të sugjeronim të ishte më e qartë.
3) Për nenin 5 që ndryshon nenin 7 të ligjit do të sugjeronim që shprehja “kur është e përshtatshme” të mund të zëvendësohej me shprehjen “kur është e nevojshme”.
4) Për nenin 6 që ndryshon nenin 8 të ligjit sugjerojmë se jo vetëm kërkesa duhet të jetë e motivuar por edhe refuzimi gjithashtu. Kërkesa e prokurorit vlerësojmë se duhet të jetë e motivuar, pra të mbështetet mbi një bazë të arsyeshme dhe faktike. Edhe refuzimi nga kryetari i gjykatës së Apelit në vlerësimin e KShH-së duhet të jetë i motivuar. Nëse Zv. Kryetari e refuzon, a mundet që prokuroria kompetente të ankohet për këtë refuzim të kryetarit të gjykatës (referuar rastit kur refuzimi bëhet nga zëvendës kryetari).
5) Për nenin 7 që ndryshon nenin 9, për pikën 2 të tij, derisa është sekrete duhet ruajtur sekreti, ndërkohë që kofidencialiteti vlerësojmë se është i një natyre tjetër. Pra në këtë dispozitë, vlerësojmë se duhet të dalë në mënyrë të qartë se këta persona të përfshirë në procesin vendimmarrës kanë detyrimin ligjor të ruajnë sekretin dhe shkelja e këtij detyrimi sjell pasoja sipas legjislacionit në fuqi.
6) Për nenin 12 që ndryshon nenin 14 të ligjit, sugjerojmë që shprehja “autorizohet” mund të zëvendësohet me fjalët “ka të drejtë”. Për pikën 3 të kësaj dispozite ështe e paqartë se çdo të kuptohet me “masat e reja”?
7) Për nenin 15 që ndryshon nenin 17 të ligjit, edhe në situatë emergjente urdhëri me shkrim mendojmë se duhet të jetë i motivuar. Natyrisht që në këtë rast nuk duhet të jetë si ai që kërkon pika 2, por të mos kufizohet vetëm me urdhërin qoftë edhe verbal sepse urdhëri verbal mund të cënojë të drejtën e shtetasit ndërsa kjo mundësi është më e paktë kur urdhëri është me shkrim por i motivuar apo i arsyetuar mjaftueshëm.
8) Për nenin 19 që shton nenin 20/1, për pikën 1 nuk është e qartë se çfarë natyre është kërkesa e qytetari. Shprehja “individ” ose “person” do të ishte më e saktë. Të ç`natyre do të jenë diskutimet mbi të dhënat e mbledhura. A mund t’i jepen atij edhe të dhëna të tjera që implikojnë të tjerët ose që s’kanë lidhje me personin e tij? Për këtë jepet një sqarim në pikën 3 shkronjat (a, b, dhe c) por përshkrimin e refuzimit (natyrisht jo me detaje) a duhet të vihet në dijeni individi/personi