Edhe një tjetër vrasje nga policia Greke


Sipas informacioneve të medias, shtetasi shqiptar, Ilmi Gjata nga Dibra ka mbetur i vdekur nga të shtënat me armë të një patrulle greke në rrugën kombëtare Follorinë – Selanik. Sipas medias të ndryshme greke dhe shqiptare, polici grek që akuzohet si autor i vrasjes së shtetasit shqiptar është ndaluar.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit edhe më parë ka dënuar akte të tilla që kanë marrë jetë njerëzish dhe ka reaguar publikisht lidhur me keqtrajtimin e emigrantëve shqiptarë nga policia greke.

Ndonëse vrasjet e emigrantëve shqiptarë që tentojnë të kalojnë kufirin në mënyrë të parregullt kanë qenë të përsëritura, KSHH ka konstatuar se qëndrimet e autoriteteve greke ndaj personave që shkelin rregullat e përdorimit të armës së zjarrit kanë qenë relativisht
të buta. Një qëndrim i tillë i gjykatave greke nuk i ka shërbyer parandalimit të krimeve të tilla.

Është për të ardhur keq, por KSHH-ja ve re se edhe kur ndaj personave që tejkalojnë ligjin fillon ndjekja penale dhe ata janë ndaluar, hetimet për zbulimin e rrethanave të veprës penale kanë qenë të njëanëshme dhe jo objektive. Mjafton të përmendim si shembull, rastin e vrasjes te mbetur në tentativë të të ndjerit Ferhat Ceka, i cili u qëllua nga një ushtar grek dhe ndaj autorit të kësaj vepre të rendë gjykata e Selanikut dha vendimin e dënimit me kusht të tij.

KSHH shpreh shqetësimin e vet, se rastet e përsëritura të vrasjeve të emigrantëve shqiptarë nuk janë vlerësuar me seriozitetin e duhur nga autoritetet greke. Gjithashtu, KSHH-ja thekson se ndërhyrjet e Qeverisë Shqiptare nuk kanë qenë këmbëngulëse dhe në nivelin që kërkohet lidhur me parandalimin e kalimit të parregullt të kufirit, për trajtimin në përputhje nga konventat ndërkombëtare dhe legjislacionet e vendeve te personave që kalojnë kufirin në mënyrë të parregullt.

Në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve shqiptarë, KSHH ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me Monitoruesin Grek të Helsinkit. Vlen të përmendet se ndërhyrjet e këtij grupi në disa raste ka qenë efektive. Por, megjithë kontributin e aktorëve të shoqërisë civile, KSHH-ja gjykon se është e nevojshme që qeveria shqiptare të marrë masa për të parandaluar raste të tilla dhenë bashkëpunim me qeverinë greke të shohë mundësinë e punësimeve sezonale të shtetasve shqiptarë në vendet fqinje.

KSHH-ja i sugjeron Ministrisë së Punëve te Jashtme të RSH, që përmes zyrës së shërbimit konsullor në Selanik të ndjekë nga afër ecurinë e hetimit të rastit në fjalë me qëllim që hetimet të jenë të shpejta dhe objektive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2020 >
March
MoTuWeThFrSaSu
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031     
TOP