Respektimi i të drejtës për një proces të rregullt dhe të gjitha aspekteve të lidhura me garantimin efektiv të kësaj të drejte është në fokus të vazhdueshëm të veprimtarisë së KShH-së. Ndër vite, KShH ka realizuar monitorime dhe studime tematike të veprimtarisë së organeve të sistemit të drejtësisë për pandëshkueshmërinë e veprave penale në fushën e korrupsionit, torturës dhe trajtimit ç’njerëzor, ekzekutimit të vendimeve penale, aksesit të shtetasve në drejtësi dhe respektimin e aspekteve të tjera të rregullshmërisë së procesit gjyqësor, respektimin e të drejtave të të miturve në procesin penal, ecurisë së hetimit dhe gjykimit të kallëzimeve të enteve publike dhe shtetasve, gjykimit të çështjeve që lidhen me dhunën në familje, etj.
KShH ka ofruar ekspertizë ligjore në hartimin dhe përmirësimin e legjislacionit të sistemit të drejtësisë, për një respektim më të mirë të të drejtave dhe lirive të shtetasve si dhe një efiçencë më të lartë të këtyre organeve. Gjithashtu është ofruar kontribut për rritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me standardet më të mira të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore, etj.