Prej më shumë se 10 vitesh, Klinika Ligjore ka shërbyer për përmirësimin e respektimit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve ligjore falas për grupet në nevojë si gratë, të miturit, personat e privuar nga liria, Komunitetin Rom, Egjiptian, personat me orientim të ndryshëm seksual, etj.
Klinika Ligjore ofron shërbime ligjore falas për qytetarët të cilët nuk kanë mundësi financiare të kenë akses në organet e drejtësisë dhe pretendojnë shkelje të të drejtave të njeriut si rezultat i veprimeve apo mosveprimeve të autoriteteve publike.
KShH përfaqëson në gjykatë raste të litigimit strategjik dhe class action ku përmes rasteve individuale synohet zgjidhja e problematikave për një grup të gjerë njerëzish që ndodhen në të njëjtën situatë ose synohet përmirësimi i kuadrit ligjor dhe institucional në interes të të drejtave dhe lirive të shtetasve.
Me anë të Klinikës Ligjore, KShH mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për kontrollin abstrakt të kushtetutshmërisë së ligjeve si dhe Gjykatën e Strasburgut për shkelje të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.