Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), këto ditët e fundit ushtroi dy misione monitorimi në Spitalin e Burgjeve (IVSHB), Tiranë dhe në Burgun e Zaharisë, Krujë. Qëllimi i monitorimeve ishte konstatimi në vend i respektimit të të drejtave të personave me probleme të shëndetit mendor, të vendosur në këto institucione.
Në Spitalin e Burgjeve (IVSHB), situata paraqitet tepër shqetësuese. Kapaciteti i institucionit është 99 persona, ndërsa në fakt të akomoduar ishin 112 persona, domethënë 13 persona mbi kapacitet. 92 persona vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, prej të cilëve, 34 personave janë me masën e sigurimit “Shtrim i përkohshëm”, 54 persona janë me masë mjekësore “Mjekim i detyruar”, dhe 4 persona të paraburgosur që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Mbipopullimi në këtë institucion u konstatua në disa dhoma të tij, ku ishin vendosur deri në 5 persona, ku 1-2 persona flinin në dysheme me sfungjerë. Ndërsa në një dhomë me sipërfaqe rreth 14m² qëndronin 7 persona, 3 prej të cilëve në sfungjer përdhé. Vlen të përmendet se sfungjerët dhe shtrojet në dhoma ishin të keqpërdorura dhe të ndotura.
Masa e sigurimit “Shtrim i përkohshëm”, sipas nenit 239 K.Pr.P. duhet të ekzekutohet jo në çdo institucion shëndetësor, por në një spital psikiatrik. Ndërsa për personat, ndaj të cilëvë Gjykata ka vendosur masën mjekësore “Mjekim i detyruar”, sipas nenit 46 K.P. dhe nenit 28 pika 1 dhe 2 të Ligjit nr. 44/2012, “Për shëndetin mendor” duhet të ekzekutohet pranë institucioneve mjekësore të posaçme, pjesë e sistemit shëndetësor të integruar të Ministrisë së Shëndetësisë. E thënë ndryshe, rreth 80% e personave të akomoduar në Spitalin e Burgjeve , institucion penitenciar, vijojnë të qëndrojnë aty në kundërshtim flagrant me ligjin. Prej më shumë se dy dekadash e gysëm ende nuk ka një zgjidhje për këtë kategori shtetasish. Nga ana tjetër, qëndrimi i këtyre shtetasve në një institucion si Spitali i Burgjeve e rëndon këtë institucion pjesë e sistemit penitenicar, personeli shëndetësor i të cilit është i specialiteteve të ndryshme dhe sipas ligjit duhet të trajtojë vetëm të dënuarit dhe të paraburgosurit që vuajnë nga sëmundje të ndryshme në të gjitha burgjet në Shqipëri. Pjesë e këtij personeli është vetëm një mjek psikiatër, i cili për shkak të ngarkesës dhe viteve të gjatë të përvojës do të largohej së shpejti nga IVSHB.
Gjithashtu, Komiteti për Parandalimin e Torturës (KPT), në raportin e vitit 2018 për Shqipërinë ka theksuar se: “Nëse autoritetet shqiptare vazhdojnë të mos zbatojnë rekomandimin e mëparshëm që të gjithë pacientët me çrregullime të shëndetit mendor të transferohen në një institucion të posaçëm psikiatriko mjeko-ligjor, do të vendoset procedura e parashikuar në nenin 10, paragrafi 2 i Konventës Europiane për Parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese”.
Në përgjithësi, dhomat e vizituara dhe ambientet e brendshme të institucionit ishin të pastra dhe të mirëmbajtura nga stafi sanitar. Megjithatë, u vërejt se kushtet e infrastrukturës ishin tepër të këqija. Amortizimi ishte mëse i dukshëm dhe kushtet fizike nuk garantonin një trajtim human të këtyre shtetasve. Shumë afër dritareve, në ambientet e jashtme të godinës u vërejt një grumbullim i konsiderueshëm mbetjesh nga bodrumet. Në mungesë të rrjetave në dritare, kjo gjendje rrezikon shëndetin e personave që qëndrojnë në këto dhoma, sepse mushkonjat dhe insektet e tjera ishin të shumta, dhe si rrjedhim mund të shkaktojnë infeksione.
Përveç 2 apo 3 orë dalje në ajrim, këtyre personave nuk u ofrohej asnjë aktivitet në natyrë apo rekreativ, veç trajtimit medikamentoz. Në kundërshtim me Ligjin 44/2012, “Për shëndetin mendor” dhe standardet e kufizimit fizik të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, në Tetor 2013, në Spitalin e Burgut aplikohej kufizimi fizik nëpërmjet fiksimit të anësive të personit, në shtrat, me pranga. Personeli shëndetësor argumentoi përdorimin e këtij mjeti me faktin se ambientet e dhomës dhe kushtet fizike nuk lejonin përdorimin e mjeteve të tjera të shtrëngimit fizik të cilat shmangin ose minimizojnë vetëlëndimin e personit. Vlen të përmendet se nuk u gjet asnjë Regjistër i Posaçëm, për evidentimin e këtyre praktikave. Veprime të tilla bien ndesh me nenin 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi kanë elementë të trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues.
Në Burgun e Zaharisë (Krujë), KShH, ashtu si edhe në të kaluarën vijon të konstatojë cënim të rëndë të të drejtave të personave të vendosur në këtë institucion. Madje si Avokati i Popullit, edhe KShH kanë sugjeruar mbylljen e këtij institucioni. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Komiteti për Parandalimin e Torturës. Kapaciteti i këtij institucioni është 180 persona, ndërsa aktualisht janë të akomoduar 230 persona, dmth 50 persona mbi kapacitet. Mbipopullimi në këtë institucion është akoma edhe më shqetësues se në Spitalin e Burgjeve, ku në dhoma qëndronin rreth 10 persona. Statistikat evidentojnë se 142 persona në këtë institucion janë me masë mjekësore “Mjekim i detyruar”, ndërsa 84 persona janë me masë sigurimi “shtrim i përkohshëm”. E thënë ndryshe, 98% e personave me sëmundje të shëndetit mendor janë akomoduar në Institucionin e Zaharisë, pjesë e sistemit penitenciar, në kundërshtim me ligjin.
KShH, duke patur parasysh se shkeljet e konstatuara janë të përsëritura dhe me pasoja, i sugjeron Ministrisë së Drejtësisë, të ndërhyjë për përmirësimin e situatës.
KShH i sugjeron gjithashtu organit të Prokurorisë, që me nismën e vet, të iniciojë procedimin penal për “trajtim çnjerëzor dhe poshtërues”, parashikuar nga neni 86, gërma d) K.Penal.
Duhet theksuar gjithashtu që politika penale e ndjekur nga gjykatat për caktimin e masës “shtrim i përkohshëm” dhe “mjekim i detyruar” vijon të jetë një politikë e ashpër. KShH takoi shtetas me probleme të shëndetit mendor, të cilët qëndronin prej muajsh në IVSHB dhe ishin akuzuar për vjedhje të sendeve me vlerë të vogël si “play station” apo edhe vepra të tjera jo me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Si organi i akuzës në kërkimet e tij por edhe gjykatat, në zbatimin e legjislacionit penal duhet të kenë në konsideratë se legjislacioni penal përshkruhet nga parimi i humanizmit, aq më tepër në kushtet kur një pjesë e këtyre personave nuk paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Në përfundim të procesit penal, këta shtetas me sëmundje të shëndetit mendor dekarlohen të papërgjegjshëm nga ana mendore dhe për shkak të rrezikshmërisë së pakët të veprës penale, mund të ndiqen me masën e mjekimit ambulator në shtëpi. Qëndrimi i tyre në ambiente të izoluara sikurse është IVSHB apo Institucioni i Zaharisë vlerësojmë se nuk i ndihmon në rehabilitimin e tyre mjekësor, përkundrazi, këta shtetas ishin shumë të axhituar që qëndronin në ambiente të izoluara.
Këto monitorime u kryen në kuadër të nismës “Të litigojmë në mënyrë strategjike për mbrojtje efektive të të drejtave në fushë e Shëndetit”, mbeshtetur financiarisht nga Fondacioni “Shoqeria e Hapur për Shqipërinë”.