Gjendje e rëndë në paraburgimin e Vlorës


Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në kuadër të monitorimit të burgjeve dhe të paraburgimeve
në 12 Nëntor, kreu një vëzhgim për të konstatuar në vend gjendjen në paraburgimin e Vlorës.

Grupi i vëzhgimit ndër të tjera konstatoi se Rregullorja e paraburgimit datë 11.05.2006 në disa drejtime është shkelur dhe si rrjedhim janë cënuar të drejtat e ligjshme të të paraburgosurve.

KShH e sheh të nevojshme të evidentojë dhe të tërheqë vëmendjen për çështjet e mëposhtme:

1. Në këtë institucion nuk ka shërbim mjekësor 24 orësh dhe as mjek. Ka vetëm një ndihmës mjek që nuk ka kartela personale për asnjë të paraburgosur. Sipas pretendimeve të tij ai dispononte rreth 200 lloj medikamentesh, ndërsa të paraburgosurit u ankuan se ato ishin ilaçe të thjeshta, ndërsa për kurimin e sëmundjeve të tyre ato u siguroheshin nga familjet e tyre. Kjo situatë lë jashtë kontrollit preparatet mjekësore që përdoren nga të paraburgosurit. Veç kësaj mungesa e mjekut përkatës bën të nevojshme (siç në fakt ka ndodhur) se në raste emergjente (ndoshta jo të konfirmuar nga specialistë) të paraburgosurit të dërgohen në Spitalin e Vlorës apo të Burgut.

2. Pesë prej dhjetë të miturve ishin vendosur në një dhomë të veçantë, ndërsa 5 të tjerë në dhoma me të rritur, gjë që nuk e lejon rregullorja. Kjo ka ndodhur për shkak të mbipopullimit sepse nga 46 që ishte kapaciteti, në paraburgim ishin vendosur 92 persona. Disa të mitur ankoheshin se ishin marrë në pyetje pa praninë e avokatit mbrojtës dhe mbas ndalimit apo arrestimit nuk ishin njoftuar menjëherë familjet e tyre, gjë që bie ndesh me normat përkatëse të kodit të procedurës penale.

3. Kushtet higjeno-sanitare ishin të papërshtatshme dhe me pasoja për shëndetin e të paraburgosurve. Kështu p.sh. të paraburgosurit qëndronin në dyshekë të vendosur në një shtresë druri, ndërsa në disa dhoma të tjera ishin të vendosura direkt në çimento. Për 92 të paraburgosur kishte vetëm një banjë të përbashkët gjë që krijonte vështirësi në kryerjen e nevojave fiziologjike. Sipas ndihmësmjekut në paraburgimin e Vlorës ka: 10 të paraburgosur me hipertension, 7 me probleme mendore, 6 astmatikë, 7 përdorues droge. Por mungesa e mjekut vë në dyshim diagnostikimin e vërtetë të të paraburgosurve, si edhe ndjekjen e vazhdueshme të sëmundjeve të tyre. Në paraburgimin e Vlorës ende nuk kishte filluar të zbatohej vendimi për normën e re ushqimore dhe kjo për mungesë buxheti. Pretendohet që ajo të fillojë në janar të vitit 2008. Ky institucion kishte vetëm një makinë transporti që çonte të paraburgosurit në seancat e gjykimit në Shkallë të Parë dhe atë të Apelit. Mungesa e mjeteve të nevojshme në disa raste kishte shkaktuar shtyrjen e gjykimeve. Si rrjedhim zvarritja e shqyrtimit të çështjeve dhe cenimin e të drejtave të të paraburgosurve.

4. Problem shqetësues ishte edhe ai i takimit të të paraburgosurve me familjarët e tyre. Sipas rregullores së paraburgimit këto takime duhet të bëhen nën vëzhgim por jo në dëgjim. Në fakt në paraburgimin e Vlorës takime të tilla realizohen në distancë nga 1.5 deri në 2 metra nëpërmjet dritareve. KShH mendon se kjo përbën cenim të një të drejte thelbësore.

KShH e konsideron të pakënaqshme dhe cenim të të drejtave të ligjshme të të paraburgosurve gjendjen e paraburgimit të Vlorës. Për KShH-në është i qartë fakti se ndikim serioz në këtë gjendje ka infrastruktura e pamjaftueshme dhe e papërshtatshme. Për KShH-në është e domosdoshme marrja e masave urgjente që të paraburgosurit të transferohen në ambiente që të garantojnë respektimin e të drejtave të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2020 >
September
MoTuWeThFrSaSu
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930    
TOP