Gjetjet kryesore të vëzhgimit të proçesit përgatitor për zgjedhjet vendore, 21 qershor 2015
Shkurtime të termave të përdorura
KSHH – Komiteti Shqiptar i Helsinkit KZ – Kodi Zgjedhor
KQZ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
KZAZ – Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor QV – Qendër Votimi
HYRJE
Respektimi i së drejtës së votës, si pjesë e rëndësishme e të drejtave themelore të njeriut, ka qenë objekt i vëzhgimit të KShH edhe në kuadër të zgjedhjeve të 21 Qershorit 2015. Ndërgjegjësimi i zgjedhësve për të marrë pjesë në votim dhe mirëfunksionimi i administratës zgjedhore, me qëllim kryerjen e zgjedhjeve të lira e të drejta, janë objektivat kryesore të veprimtarisë sonë në këtë kuadër. Aktivitetet tona janë shtrirë në Tiranë, Kamëz, Sauk, Elbasan, Librazhd, Kukës, Fushë-Krujë, Shkodër, Lezhë, Korçë, Pustec1, Pogradec, Fier, Lushnje, Berat, Vlorë, Himarë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë dhe disa fshatra të Dropullit.
Vëzhgimi ynë i deritanishëm është përqëndruar në ato veprimtari dhe masa të marra, të cilat mundësojnë dhe lehtësojnë ushtrimin e lirë dhe të ndërgjegjësuar të të drejtës së votes nga zgjedhësit. Shpallja e listave paraprake dhe atyre përfundimtare të zgjedhësve; aksesueshmëria e zgjedhësve mbi këto lista; mundësimi i të drejtës për të kërkuar korigjimin e listave të zgjedhësve, në rrugë administrative ose gjyqësore; njoftimi i zgjedhësve në banesë lidhur me përfshirjen e tyre në lista dhe qendrën ku duhet të paraqiten për të votuar; zhvillimi i fushatave elektorale sa më informuese për zgjedhësit; mundësimi i komunikimit midis gjedhësve dhe kandidatët, si dhe njohja e tyre; përbëjnë disa nga çështjet që kanë patur vëmendjen tonë gjatë kësaj periudhe.
Më poshtë ju njohim me disa nga gjetjet kryesore të vëzhgimeve të kryera nga ana jonë, të cilat janë arritje, por dhe shkelje të garancive, që legjislacioni në fuqi parashikon për zhvillimin e zgjedhjeve të lirë e të drejta, të cilat në mënyrë direkte ose indirekte, cenojnë të drejtën e votës. Lidhur me këto problematika të rëndësishme, në disa raste, ne jemi shprehur edhe më parë me anë të deklaratave për shtyp.
Përfshirja dhe pjesëmarrja e zgjedhësve në procesin zgjedhor dhe ndryshimet në KZ
Rritja e kuotës gjinore në 50% për listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiake dhe sanksionimi ligjor i të drejtës së refuzimit të listës nga KQZ-ja, në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, përbën një hap të rëndësishëm, që do të mundësojë rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendim-marrje.
Megjithatë, ndryshimet në KZ u kryen me vonesë nga Kuvendi, pa trasparencën dhe përfshirjen e duhur, veçanërisht jemi kritikë për mos përfshirjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, në këtë proces, të cilët mund të kontribuonin për ruajtjen e standardeve që mbrojnë e garantojnë interesat e zgjedhësve. Ndyshimet e kryera në KZ kanë karakter teknik dhe nuk mundësuan implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të bëra në zgjedhjet e mëparshme, të cilat do të rritnin standardet e zgjedhjeve.
Ndonëse zgjedhësit janë aktorët kryesorë të procesit zgjedhor dhe vota e tyre është shprehje e demokracisë direkte, duket se vëmendja e administratës zgjedhore dhe organeve të tjera publike, që operojnë për organizimin e zgjedhjeve, është e orientua, më tepër drejt kërkesave dhe interesave të partive politike, ose subjekteve zgjedhore, të cilat dominojnë atmosferën, vendimmarrjen dhe orientimin e ecurisë së procesit parazgjedhor.
Listat paraprake (listat me ekstraktet e përbërësve zgjedorë) dhe listat përfundimtare të zgjedhësve:
Listat paraprake, me ekstraktet të përbërësve zgjedhorë, në përgjithësi, janë afishuar rregullisht, çdo muaj. Megjithatë, në disa raste, afishimi i tyre është bërë vetëm dy muajt e fundit, ose ato janë afishuar në mënyrë që nuk mundësonte aksesin e plotë të zgjedhësve2. Gabimet e evidentuara kryesisht ose me ankese te zgjedhesit jane korrigjuar përpara afishimit të listave përfundimtare.
Zgjedhës të ndryshëm të kontaktuar nga ana jonë, veçanërisht ata të komuniteti Rom, minoritetet etnike Serbo-Malazeze, Greke dhe Maqedonase na parashtruan shqetësimin se njoftimi i tyre në banesë, lidhur me përfshirjen në lista dhe qendrën përkatëse të votimit, nuk ishte kryer, siç urdhëron ligji. Pati dhe pak bashki ku ky njoftim ishte bërë rregullisht, si Lushnje, Berat, Korçë etj. Ministria e Brendshme nuk alokoi, sipas ligjit, fondet për këtë qëllim.
Zgjedhësit që votojnë për herë të parë kishin mungesë informacioni lidhur me listat e ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë, rëndësinë, qëllimin dhe mundësinë e korigjimit të tyre në përputhje me ligjin. Kjo ka sjellë si pasojë mungesën e interesit të tyre ndaj procesit zgjedhor dhe nënvlerësimin e pjesëmarrjes në to.
Ngritja dhe funksionimi e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor.
KZAZ-të u ngritën me vonesë3 për shkak të ndryshimeve të vonuara të KZ4. Krijimi i kushteve për mirëfunksionimin dhe realizimin e trasparencës sëveprimtarisë së këtyre organeve të administrimit të zgjedhjeve ka lënë për të dëshiruar. KShH ka konstatuar mungesë të bazës materiale/logjistike, mjedise pune të papërshtatshme5, vendosje e KZAZ-ve në godinën e bashkive, në kundërshtim me nenin 93, pika 2/b të KZ, si në Përmet, Tepelenë, Korçë.
Vëzhguesit tanë konstatuan ndryshim të shpeshtë të anëtarëve të KZAZ-ve, gjë që nuk ndihmon në trainimin efektiv dhe mirëfunksionimin e këtyre organeve. (KZAZ nr 01, nr. 3, nr. 04,nr. 07 (Shkodër), KZAZ nr 09 (Kukës), KZAZ nr. 69 dhe nr. 70 (Korçë), KZAZ nr. 63 (Berat), KZAZ nr. 18 (Dibër), KZAZ nr. 56 dhe nr. 57 (Fier), KZAZ nr. 81, nr. 85 dhe nr. 86 (Vlorë), etj. Kjo praktikë është kritikuar edhe në zgjedhjet e kaluara nga OSBE/ODIHR , por vazhdon të mos gjejë përmirësim.
Me përjashtime të ralla KZAZ-të nuk kishin të afishuar përbërjen, orarin e veprimtarisë dhe rendin ditës së mbledhjeve së planifikuar. Kjo ka penguar transaparencën e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së këtyre organeve të administrimit zgjedhor.
KZAZ-të nuk dispononin të dhëna dhe për pasojë nuk kishin ndihmuar zgjedhësit për të marrë informacion rreth cilësive personale dhe vendbanimit të kandidatëve për këshilltarë bashkiakë të zonave të tyre. Kjo ka penguar zgjedhësit për t’u ndërgjegjësuar në lidhje me kandidatët e paraqitur nga subjektet zgjedhore dhe për të formuar bindjen e tyre të brendshme për të votuar. Situata bëhet më problematike po të kemi parasysh se përfaqësues të organizmave ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri, kanë ngritur alarmin se në listat e kandidatëve janë përfshirë dhe persona të inkriminuar. Zgjedhësit na shprehën shqetësim në këtë drejtim, sepse ata nuk duan të japin votat e tyre për këta persona. Që vota të jetë e lirë, nuk mjafton vetëm të mos ndërhyet në ushtrimin e saj. Është po aq e rëndësishme që zgjedhësit të votojnë të ndërgjegjësuar objektivisht.
Fushata zgjedhore:
Fushata zgjedhore filloi shumë kohë përpara afatit ligjor (n. 77 K Z). KQZ reagoi për këtë çështje, ndonëse me vonesë, por nuk tregoi konseguencë për të ndëshkuar, sipas ligjit, subjektet zgjedhore që vazhduan të zhvillojnë fushatë në kundërshtim me ligjin. Qëndrime të tilla nxitin atmosferën e paligjshmërisë gjatë procesit zgjedhor, ndaj nuk duhet të përsëriten.
Klima politike, qetësia dhe siguria publike kanë qenë, përgjithësisht të qeta, por të mbushura me akuza të ndërsjellta midis kandidatëve dhe stafet e tyre. Ruajtja e qetësisë dhe rregullit do të ndikojë pozitivisht për ecurinë e fushatave zgjedhore dhe përgatitjen e zgjedhjeve, por dhe për t’u mundësuar zgjedhësve qetësinë dhe atmosferën e duhur për votim të lirë e të drejtë. Megjithatë e shikojmë të arsyeshme të ndalemi në ngjarjen e Durrësit, të datës 2 Maj 2015, ku militantë të forcave kundërshtare politike ndërhynë gjatë mitingut të organizuar nga kandidatja për
kryetare bashkie e PD6.
Fushatat zgjedhore janë tepër të politizuara, në formë e në përmbajtje. Ato janë zhvilluar, kryesisht, nga liderat e partive, që kanë adresuar sulme reciproke ndaj njëri-tjetrit dhe e kanë prezantuar pushtetin vendor si derivat dhe të varur nga pushtetit qendror politik, duke anashkaluar parimin e autonomisë vendore. Në fushatë janë të përfshirë, gjerësisht, dhe kandidatët për kryetarë bashkie, por nuk janë evidentuar e prezantuar sa dhe si duhet kandidatët për anëtarë të këshillave bashkiake. Për pasojë nuk është bërë e qartë përfaqësimi në listat e kandidatëve i banorëve të zonave rurale, që u bashkohen bashkive të krijuara pas miratimit të reformës së pushtetit vendor. Nuk janë bërë të njohura, sa duhet për zgjedhësit vlerat dhe aftësitë e këtyre kandidatëve. Kjo mangësi është pasqyruar dhe në programet e mediave dhe për pasojë zgjedhësit, veçanërisht ata të moshës së re, kanë parashtruar shqetësim, sepse nuk mund të formojnë objektivisht dhe të lirë bindjen e tyre për ushtrimin e votës.
Fushatat zgjedhore janë orientuar, përgjithësisht, në mundësimin e shprehjes për kandidatët, por zgjedhësve të pranishëm në takime, u është dhënë pak mundësi të komunikojnë e bashkëbisedojnë me kandidatët, ose për t’u drejtuar atyre pyetje lidhur me çështjet që i shqetësojnë.
Sensibilizimi dhe informimi i zgjedhësve
KShH konstatoi gjatë vëzhgimeve se ka mungesë të veprimtarive sensibilizuese për shtetasit. Veprimtari të tilla po zhvillohen vetëm nga një grup ojf, të financuara kryesisht nga Ambasada Amerikane, por ato nuk janë të mjaftueshme. Administrata zgjedhore dhe strukturat publike duhet të punojë më shumë në këtë drejtim.
Mediat janë fokusuar më shumë në debate me karakter politik dhe nuk kanë ndihmuar sa duhet për sensibilizim e informim të zgjedhësve për procesin e votimit. Megjithatë ekspertët e KShH zvilluan në qytetet e sipërshënuara biseda sensibilizuese me zgjedhës që votojnë për herë të parë, me zgjedhës të komuniteteve vulneraber etj, si dhe kanë zhvilluar ose kanë marrë pjesë, deri tani, në 10 emisione televizive, në mediat elektronike lokale e kombëtare.
Problematika të tjera:
Është konstatuar se disa QV janë vendosur në mjedise të papërshtatshme për zgjedhësit me paaftësi të lëvizjes dhe se organet e qeverisjes vendore dhe zyrat e gjëndjes civile nuk i spostuan emrat e këtyre zgjedhësve në QV të përshtatshme, përpara afishimit të listës përfundimtare të zgjedhësve.
KQZ dhe subjekti i interesuar zgjedhor kanë dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme denoncim, shoqëruar me dy raporte të auditit të teknicienëve, lidhur me transferimin e një numri të lartë banorësh të rinj në Bashkitë Durrës dhe Kavajë. Hetimi i shpejtë dhe objektiv i këshaj çështjeje do të ndihmojë për zbardhjen e të vërtetës dhe për pasojë bërjen të besueshëm e të drejtë të procesit zgjedhor në këto qytete, krahas vënies përpara përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, nëse vërtetohen shkelje ligjore.
Shqetësime janë ngritur edhe në lidhje me mungesën e transparencës lidhur me financimin e partive politike për fushatat politike që po zhvillojnë, veçanërisht lidhur me fondet e dhuruara nga individë privatë dhe biznese, duke aluduar për favore të premtuara nga kandidatët, nëse ata dalin fitues. Edhe pse ne nuk kemi gjetur prova në këtë drejtim, ngremë me forcë shqetësimin se kjo është një çështje që duhet hetuar me kujdes si nga organet e ngarkuara nga ligji për këtë qëllim, por dhe nga organet e drejtësisë.
Këto ishin disa nga gjetjet e vëzhgimeve të KSHH për periudhën parazgjedhore. Ju vëmë në dijeni se KShH do të prezantojë përpara publikut gjetjet e saj edhe një herë tjetër, përpara ditës së zgjedhjeve dhe më pas, ju do të njiheni me gjetjet kryesore dhe raportin përfundimtar të KShH për zgjedhjet e 21 Qershorit 2015.