Ditën e ndjeshme, më 24 Nëntor, Komiteti Shqiptar i Helsinkit me mbështetje të Civil Rights Defenders organizoi konferencën “Media në Shqipëri, përpara pasqyrës”, e cila u realizua në ambientet e Autoritetit të Medias Audiovizive. Situata e aktuale e medias në Shqipëri u trajtua në këndvështrime reale dhe kritike në shumë dimensione nga të ftuarit në këtë panel, mes të cilëve ambasadorë, drejtues të redaksive të lajmeve, studiues e pedagogë të gazetarisë, juristë e përfaqësues të KSHH.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte vendosja e medias para pasqyrës për të diskutuar problematikat dhe sfidat me të cilat po përballet media dhe gazetarët, duke patur këtu parasysh edhe trendin global i cili ka shënuar regres në drejtim të respektimit të fjalës së lirë por gjithashtu edhe ndikimin e zhvillimit të epokës digjitale, të lidhjeve të papërshtatshme të interesave të biznesit dhe politikës me median. Në fokus të kësaj konference ishte gjithashtu nevoja për një respektim më të mirë të të drejtave të gazetarëve, një pjese e të cilëve punon në informalitet, kufizohen për shkak të linjës editoriale dhe ndikimit të pronarëve të medias në transmetimin e fjalës së lirë dhe analizës profesionale. Shqetësuese në këtë drejtim janë mungesa e solidaritetit mes të gjithë gazetarëve, mungesa e mekanizmave vetërregullues të pavarur, përdorimi i fake neës si një kundërpeshë për tju kundërvënë medias, si dhe etiketimet me ngjyrime ofenduese ndaj medias, të cilat e dëmtojnë fjalën e lirë dhe integritetin moral dhe profesional të gazetarëve.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se gazetarët dhe OJQ-të kanë një funksion jetik të mbikqyrjes publike si dhe ndaj sundimit të ligjit, gjë që kërkon që ata ta bëjnë këtë në mënyrë të hapur dhe të sigurtë. Në këtë drejtim, bashkëpunimi mes medias dhe shoqërisë civile merr rëndësi të veçantë dhe duhet të fuqizohet, me qëllim që të ushtrohen të gjitha mekanizmat legjitim që media të jetë e lirë dhe profesionale.
Duke falenderuar dy gazetarët profesioniste që ndihmuan në organizimin e kësaj konference, Znj. Erida Gjermeni dhe Znj. Karolina Risto, si dhe Z. Lutfi Dervishi që moderoi diskutimin më poshtë reflektohen gjetjet kryesore nga fjala e pjesëmarrësve të saj:
- Kujtim Çashku, Anëtar i Asamblesë dhe themelues i KShH-së referoi ndër të tjerash se, në Shqipëri ka 68 rrjete televizive, çka jep perceptimin e një telerepublike, sepse dhe informacionet shpërndahen të copëzuara dhe kjo mbjell një gjendje alerti te qytetarët e RSH. Pronësia intelektuale, një prej të drejtave kryesore nuk respektohet. Mediat e kanë legjitimuar piraterrinë, dmth e kanë konsideruar si një të drejtë natyrore, si një e drejtë që buron prej tyre dhe jo prej autorit. Pirateria dhe kur i referohem kësaj i referohem pikërisht Kinostudios është e tëra e vjedhur pasi nuk ka një akt eksplicit që të përcaktojë të drejtat, qofshin ato të institucioneve që e kanë dhe e ruajnë atë. Ne jetojmë në kohën e revolucionit kulturor kinez, ku u bë përpjekje e madhe që të shuhej autori dhe nuk kishte rëndësi se çishte autori. Mekanizmat institucionale për mbrojtjen e të drejtave të autorit kanë filluar të konturohen por nuk janë funksional dhe efektiv.
- Gentian Sala, Kryetar i Autoritetit të Medias Audiovizive deklaroi se, bërja e transparencës së medias nuk është e lehtë, atë nuk mund ta realizojë vetëm një institucion, sado i specializuar apo imun të jetë ai, sepse kur njihesh me të dhënat e tregut audioviziv vetvetiu të lindin shumë pyetje. Si ka mundësi që afro 70 % e punonjësve të medias kanë paga minimale? A mud të jenë më të qarta burimet e financimit për aktivitetin e subjekteve audio dhe audiovizive? Mbetet sfidë gjendja reale e punës së medias në Shqipëri. Ka ende shumë punë për të bërë në lidhje me transparencën.
- JOHAN NDISI, Ambasador – Ambasada Suedeze në Shqipëri deklaroi se ka një trend global i cili e ka vënë në rrezik lirinë e medias dhe të shprehjes. Vitin e fundit, Suedia festoi 250 vjetorin e konstitutcionaizimit të lirisë së shtypit. Kjo është një periudhë e gjatë, por megjithatë gjatë këtyre 250 viteve jemi përballur me sfida. Liria e shtypit, e medias dhe e fjalës së lirë nuk është diçka që falet por çdo shoqëri duhet të marrë pjesë në vendosjen dhe respektimin e kësaj lirie. Suedia e ka mbështetur dhe do ta mbështesë lirinë e shtypit. Sfidat e medias në Shqipëri janë në focus veçanërisht për kushte te vështira të punës me të cilat përballen nganjëherë gazetarët. Qëllimi është të përkrahet një shoqëri më e hapur dhe më demokratike. Sot njerëzit e kanë të vështirë të mbërrijnë te informacioni i saktë.
Znj. Dewi van de Weerd, Ambasadore – Ambasada e mbretërisë së vendeve të ulta (Ambasada Hollandeze) në Shqipëri deklaroi se, në rang botëror vetëm 1 në 7 qytetarë ka akses në media të lirë dhe të pavarur. Shqipëria ka një media pjesërisht të lirë dhe situata nuk është në përputhje me standartet evropiane. Shpesh gazetarët intimidohen, fyhen dhe ofendohen çka e cenon të drejtën e tyre për fjalë të lirë. Njerëzit ndihen të kërcënuar. Më vjen keq kur konstatohet se interesat e biznesit, medias dhe politikës janë të lidhura në mënyrë të ngushtë me njëra tjetrën. Ne do t’ju asistojmë, për të mbështetur iniciativa që synojnë të dhëna të hapura që mund të përdoren nga gazetarët, qytetarët, duke mbështetur kërkime që masin indikatorë për qëllime të medias, duke ofruar trajnime për gazetarinë investigativ. Është një ide shumë e mirë që të gjithë sot të shihemi para pasqyrës dhe të reflektojmë se çfarë mund të bëjmë së bashku për të forcuar lirinë e medias.
- Sean Melbourne, i ngarkuari me punë në Ambasadën Britanike në Shqipëri, deklaroi se presioni dhe sulmi ndaj medias po rritet në rang botëror. Shqipëria ka disa gazetarë të shkëlqyer, por Raporti i Freedom House e ka cilësuar Shqipërinë për vitin 2017 si pjesërisht të lirë. Të gjithë ne në këtë aktivitet kemi interes për të promovuar lirinë e medias në Shqipëri dhe së bashku mund të punojmë për ta arritur këtë.
Z.Ramadan Çipuri – Pedagog në Universitetin Bedër referoi temën “Gazetari shqiptar përballë sfidave të komunikimit në epokën digjitale”. Ndër të tjerash, Z.Çipuri theksoi se “Pavarësisht investimeve në infrastrukturën, për sa i përket produktit që ofron, media shqiptare nuk po arrin të kap trendin e përcaktuar nga zhvillimet teknologjike dhe konvergjenca në rrjet, si pasojë kjo e një modeli të dështuar ekonomik të saj, problem ky që mbështet edhe nga cilësia e burimeve njerëzore që përfshihen në këtë sektor. Audienca është larguar nga mediat konvencionale pasi publiku rend pas internetit. Kjo sjell reduktim të stafit, ul cilësine e produktit dhe dëmton shumllojshmërinë dhe larminë e lajmeve. Në kohën kur informacioni është më i bollshëm se kurrë më parë dhe në mungesë të një produkti cilësor informativ ai po humbet vlerë gjithnjë e më shumë; mediat shqiptare nuk janë ta gatshme të përballojnë sfidat e konvergimit; shkollat e gazetarisë dhe komunikimit duhet të përditësojnë dhe rishikojnë kurrikulat e tyre; si edhe domosdoshmëria për të ndërgjegjësuar gazetarët e rinj dhe studentët e gazetarisë për rëndësinë e profesionit të tyre”.
- Afrim Krasniqi – Studiues, referoi temën “Media dhe problematikat e mekanizmave vetërregullues te saj”. Ndër të tjerash, Z. Krasniqi evidentoi se “Media dhe mjedisi mediatik në Shqipëri është po aq i brishtë sa mjedisi civil, akademik dhe vetë niveli i shtetit të së drejtës. Ai reflekton problematikat komplekse të vetë shoqërisë dhe tranzicionit. Media shqiptare nuk ka mekanizma funksionalë vetërregullues dhe rregullues, dhe ndodhet ende në fazen e krijimit të identitetit të saj në rivalitet të ashpër midis mediave tradicionale e të reja, midis mediave me mbështetje politike dhe atyre që duan të mbrojnë interesin publik. Në Shqipëri ka 83 organizata për mbrojtjen e medias nga të cilat 57 janë pa adresë. Nuk ka një komunitet solid gazetarësh të cilët të bashkohen për mbrojtjen e kauzave të përbashkëta. Vetëm pronarët e medias bashkohen kur kanë interesa të buxhetit apo të taksave pra për interesa financiare. Sistemi i financimit të medias është krejtësisht informal. Ka media që krijohen nga biznesmenë të rinj. Sfida e të ardhmes: Jo më media si aneks i bizneseve. Prolematikat kryesore financimi informal dhe media luksi të fokusuara më shumë te shoubiz, që nuk reflekton realitetin.
- Niazi Jaho, Këshilltar Ligjor pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit referoi temën “Gjykata dhe Media”. Botimi në media i mesazheve intime të marra nga komunikimi mes dy personave, ku njëri prej tyre akuzohet për kryerjen e një krimi, nuk i shërbejnë zbulimit të së vërtetës dhe interesit publik. Zhvillimi i seancave gjyqësore si rregull është publik dhe për median ato janë burim i rëndësishëm informacioni. Tërheq vëmendjen jurisprudenca kushtetuese e Republikës Federale Gjermane dhe e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Publiku duhet të informohet për kryerjen e krimit. Interesi në marrjen e informacionit nuk është absolut por duhet të ketë në konsideratë sferën personale dhe parimin e publicitetit. Nuk është gjithmonë e nevojshme të zbulohet identieti dhe fotografia e personit të dyshuar.
- Altin Krekas, Kryeredaktor i Top Channel trajtoi temën “Fake news të qëllimshëm apo nga paaftësia?”. Ndër të tjerash, Z. Krekas referoi se Fake News është fjala më në modë e politikës e cila po përdoret jo për të treguar një problem që ka media aktualisht, por për të gjetur një alibi. Kjo fjalë po përdoret si baltë për të vënë shenjën e barazimin mbi gjithcka, mbi këdo, median tradicionale dhe median e re te rrjeteve sociale. Ne këtu kemi gjetjen shqiptare, quhet, Kazan, më herët një kryetar partie nisi edhe të shpallte cmime për Fake News sa herë që nuk i pëlqene ndonjë lajm. Kjo është mënyra se si ne që kemi zgjedhur që gazetarinë ta kemi profesion, e shikojmë, përmendjen e termit Fake News kryesisht nga politika. Fluksi i portaleve e gazetave bën të pamundur kontrollin ndaj Fake News sidomos në prag fushatash elektorale. Situata me gazetarët që punojnë në të zezë është skandaloze. Sfida e të ardhmes: Një urdhër gazetarësh që të licencojë gazetarët, të mos lejojë asnjë media të punësojë gazetarë që prodhojnë “fake news”.
Znj. Valbona Kurti, Kryeredaktore e emisionit investigativ Stop, TV Klan trajtoi temën “Evoluimi etik i medias”. Ndër të tjerash, znj. Kurti referoi se teknologjia dhe shpejtësia e informacionit po sfidon median e vërtetë. Sfidat e medias janë, kujdesi në raportimet për fëmijët, personat apo kategoritë më vulnerabël, kujdesi nga gazetaria e provokimit, lincimit apo vënies në lojë, kasetat apo materialet vizive të gatshme që ulin kredibilitetin, moria e portaleve, përgjithësisht jashtë kontrollit, gazetaria copy paste, komentet, apo forumet për shkrime të ndryshme e bëjnë pothuaj të kotë përpjekjen për etikë në shkrim, etj. Rrjetet sociale, të kthyera në media sociale, po e sfidojnë kujdesin për kontroll dhe etikë.
Znj, Mimoza Koçiu, Gazetare, autore e emisionit Politika në Abc neës trajtoi temën “Media mes (vet)censurës dhe politikës”. Ndër të tjerash, znj. Koçiu referoi se sot kemi media jo profesionale, e njëanshme, e censuruar / vetëcensuruar. Sfida e parë e medias është raportimi; media nuk raporton, materialet i dërgohen rregullisht të gatshme nga aktorët politikë. A është meraku i profesionalizmit tonë politika dhe a jemi ne të censuruar dhe të vetëcensuruar? Politika përballë medias – fake news është varianti kazan. Duhet te kemi më shumë besim tek puna jonë. Çfarë mund të bëhet në këtë situatë? Së pari, nevojitet më shumë besim tek puna jonë dhe fuqia që ka ky profesion, Së dyti, solidariteti mes mediave. Së treti Media duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë për të sjellë e faktuar të vërtetën. Së katërti, solidaritet me kolegët europianë e të organizatave ndërkombëtare.
- Ilir Dhima, Kryeredaktor i Revistës Avokatia referoi temën “Mbrojtja e burimeve të Informacionit të Medias”. Në diskutimin e tij u shtrua nevoja për një rishikim të dispozitës së Kodit të Procedurës Penale, ku gazetari udhërohet nga gjykata për të treguar burimet e informacionit të tij, kur këto të dhëna janë të domosdoshme për të provuar veprën penale dhe vërtetësia e këtyre të dhënave mund të dalë vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit. Detyrimi për të treguar këto burime mund të cenojë lirinë e shprehjes.
Znj.Anxhela Ruçi dhe Z. Merxhan Daçi, Gazetarë të ri nga, Laboratori Pse, trajtuan temën “Gazetaria investigative një mision i pamundur sot në Shqipëri? (Si u ngjiz investigimi “Nafta në Shqipëri, historia e një krimi të pandëshkuar”). Investigimi i kryer nga këta gazetarë kishte si qëllim të krahasonte cilësinë e naftës që përdorej në Shqipëri me naftën në vende të tjera të rajonit. Ajo çka rezultoi ishte që cilësia e naftës në vendin tonë ishte shumë e dobët. Vetwm 1 nga 5 kampionwt e naftws tw marrw nga pika tw ndryshme ku tregtohej naftw, pwrmbushte parametrat e kwrkuar tw cilwsisw. Nw njw nga kwto kampionw tw marrw nw qytetin e Beratit, sasia e squfurit ishte 200 herw mw e lartw se normativa e lejuar. Vështirësitë e hasura për kryerjen e këtij investigimi kanë qenë së pari, për faktin se kur nuk punon për një televizion ose gazetë institucionet nuk të marrin seriozisht edhe pse shkon aty si gazetar. Së dyti, ligji për të drejtën e informimit edhe pse i jep një mundësi shumë të mirë gazetarëve për të marrë informacion, vërehet se ka vështirësi në zbatimin e tij.
- Amarildo Topi, Kryeredaktor i Citiziens Channel, trajtoi temën “Liri mediatike? Po, por pa reklama!”. Mu kërkua të publikoj një raport të Autoritetit të Konkurrencës të këtij viti, të cilin nuk e publikonte asnjë televizion, ku në përfundim të tij konstatohej se, a) Tre kompanitë celulare më të mëdha në vend, kanë shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorit sepse nuk bëjnë transparent çmimin për njësi, për çdo shërbim për paketat e hedhura në treg. b) Lëvizja e njëkohshme e tre kompanive më të mëdha celulare në vend për të njehsuar kohëzgjatjen e paketave bazë të komunikimit për katër javë mund të shpjerë në tregje të tjera si internet, telefoni fikse, paketa televizive gjë e cila do të ishte në dëm të konsumatorëve. Të dy këto përfundime në çdo redaksi lajmesh do të përbënin një lajm të madh pasi preket xhepi i të gjithë Shqiptarëve. Ky lajm nuk u publikua në asnjë televizion/gazetë por ne e publikuam në Citizens Channel. Nëse do të publikohej do ti shkaktonte dëm këtyre kompanive celulare, të cilat janë furnizuesit kryesorë të buxhetit të reklamës në këto media.
Znj.Marinela Gremi, Drejtore Ekzekutive “Historia ime” trajtoi temën “Diskriminimi, një person nuk është i ndryshëm nëse nuk e trajton ndryshe”. Kur flasim për gjuhën që përdoret në media që ndikon drejtpërsëdrejti në individë apo grupe të caktuara duhet të respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Shqipëria ka miratuar prej vitit 2010 një ligj të rëndësishëm për mbrojtjen nga diskriminimi por shpesh herë është media ajo që përdoret si burim diskriminimi. Ka një interes të shtuar të gazetarëve për të publikuar çështje sociale por ka shumë shembuj që evidentojnë se ka ende shumë punë për të bërë. Një nga burimet diskriminuese që vërehet në media është mungesa e njohurisë mbi terminologjinë specifike që duhet të përdoret për këto grupe. Vërehet mungesë e njohjes së termave për komunitetin transgjinor apo të ndryshimit të termave mes orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Problematike mbetët përdorimi i gjuhës diskriminuese ndaj këtyre grupeve nga figura të njohura publike.
Znj. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive, Komiteti Shqiptar i Helsinkit referoi temën “Prezumimi i pafajësisë dhe respektimi i tij nga media”. Parimi i prezumimit të pafajësisë kërkon që kushdo quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë. Mënyra se si media raporton ngjarjet e lidhura me personat e ndaluar, të arrestuar, personat nën hetim apo të pandehurit, të bën që të arrish në përfundimin se shpesh, parimi i prezumimit të pafajësisë nuk respektohet. Respektimi i këtij parimi nga mediat e monitoruara vlerësoj se është nën nivelin mesatar. Gazetarët gabojnë kur personi i dyshuar, i ndaluar, i arrestuar apo i pandehur etiketohet me fjalë të tilla si “vrasës”, “abuzues”, “autori i veprës penale” (i vrasjes, i përdhunimit, i vjedhjes, etj). Cenimi i prezumimit të pafajësisë mund të vijë për të terhequr vëmendjen e publikut dhe rrjedhimisht për të rritur shikueshmërinë e lajmit. Në jo pak raste, ky parim cenohet edhe nga politikanë apo përfaqësues të institucioneve si dhe opinionistë të ftuar në emisione mediatike apo që japin deklarata publike.