Gjithëpërfshirje dhe transparencë për çmimin e uji
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka ndjekur diskutimin dhe debatin në Këshillin Bashkiak të Tiranës lidhur me rritjen e tarifave të çmimit të ujit.
KShH nuk mund të analizojë, vlerësojë dhe të arrijë në përfundimin nëse është e nevojshme rritja ose jo e çmimit të ujit. Zgjidhja e kësaj çështjeje, mendojmë se kërkon studim të kushteve aktuale dhe të perspektivës. Përparësi për këtë ka edhe ekspertiza objektive dhe e kualifikuar në fushën përkatëse. Megjithatë, në diskutimin e kësaj çështje nuk duhet të nënvlerësohet dhe duhet të mbahet parasysh respektimi i parimit të proporcionaliteti dhe më konkretisht që rritja e propozuar të studiohej në raport me kushtet sociale – ekonomike të popullit tonë dhe veçanërisht duke patur në konsideratë edhe familjet apo shtetasit në nevojë.
Gjithashtu, KShH vlerëson se diskutimi i këtij problemi është sensitiv dhe paraqet interes publik. Kjo çështje dhe ka sjellë reagime nga qytetarët në media. Në këtë vështrim, KShH do të sugjeronte që ai të mos kufizohej vetëm në debatin në organet e qeverisjes vendore, por të ishte gjithëpërfshirës dhe transparent. Në këtë drejtim, kemi parasysh edhe zbatimin e detyrimeve që parashikohen në Ligjin Nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, i cili kërkon respektimin e afateve dhe procedurave për konsultimin e politikave në interes publik.
Çdo konsultim që kryhet për politika apo projektakte që kanë interes publik duhet të jetë efektiv dhe jo formal, të garantojë gjithëpërfshirje të të gjithë grupeve të interesit, organizatave të shoqërisë civile dhe çdo shtetasi që kërkon të kontribuojë me rekomandime ose sugjerime në këtë proces.