Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është anëtar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE). Në mbledhjen e këtij Këshilli, të zhvilluar në dt. 9 Qershor 2020 u diskutua drafti i planit të Masave të Integrimit Europian përgatitur nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Gjatë këtij takimi, anëtarët e KKIE-së patën mundësi të adresonin rekomandimet kryesore për përmirësimin e mëtejshëm të këtij drafti. Disa nga sugjerimet e KSHH-së lidhur me këtë plan, të përcjella edhe në rrugë shkresore tek sekretariati teknik i KKIE-së janë si vijon:
- Lidhur me prioritetin për miratimin e reformës zgjedhore, në masat e propozuara vërehet mungesë e transparencës dhe konsultimit publik me OSHC-të, ekspertet e pavarur te fushes, trupen akademike. Reforma zgjedhore nuk do të ishte e plotë dhe as e gjithëanshme nëse nuk kalon në nje proces të gjerë konsultativ.
- Lidhur me prioritetin për finalizimin e ngritjes së strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit, KShH propozon të vendoset një afat se kur do të ngrihet dhe do të bëhet operativ Byroja Kombëtare e Hetimit.
- Lidhur me prioritetin për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare, KShH vëren se rol parësor në këtë luftë duhet ti jepet masave që mundësojnë kryerjen e një hetimi të plotë, të gjithëanshëm dhe me përparësi nga strukturat e specializuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPAK dhe Gjykata e Posaçme), me fokus pandëshkueshmërinë e këtyre fenomeneve në nivelet e larta. Shoqëria civile ka shprehur rezerva për antikushtetutshmërinë e aktit normativ me fuqinë e ligjit anti-kçk.
- Lidhur me prioritetin për uljen e numrit të azilkërkuesve, KShH vëren se një nga arsyet kryesore përse shqiptarët largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian është varfëria, papunësia dhe kushtet social-ekonomike. Tek masat e propozuara nuk ka asnjë parashikim për rritjen e punësimit, uljen e varfërise, ri-integrimit të personave të kthyer dhe ofrimin e mundësive konkrete në tregun e punës.
- Lidhur me prioritetin për rishikimin e ligjit të medias në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias, KShH solli në vëmendje të anëtarëve kërkesën e disa Organizatave të Medias dhe organizatave të të drejtave të njeriut për të mos e miratuar ligjin në Kuvend, bazuar në shqetësimet seriozie të reflektuara në draftin e opinionit të Komisionit të Venecias. Qeveria duhet të marrë seriozisht kërkesën e medias për tu vetërregulluar ndërkohë që Shqipëria ka në fuqi një kuadër ligjor që i jep mundesi çdokujt ti drejtohet gjykatës nëse ështe cënuar në nderin dhe personalitetin e tij nga lajmet e rreme.
- Lidhur me prioritetin vazhdimi i reformës në drejtësi, KShH sugjeron që paralelisht me vettingun duhet të ecë procesi i emërimeve në sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë, duke promovuar në gjykatat/prokuroritë me teë larta, gjyqtarë/prokurorë që e kanë kaluar procesin e vettingut me sukses – KLGJ dhe KLP duhet të kenë një strategji të veçantë, duke harmonizuar veprimtarine e tyre per t’ju pergjigjur plotësimeve të sistemit me qëllim që të mos krijohen pengesa sa i takon aksesit në drejtesi të qytetarëve. Masa të veçanta duhen parashikuar për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, institucion i ri i ngritur në fillim të këtij viti, ende i pajisur me infrastrukture/buxhet/ personel. Pranë këtij institucioni presin për tu hetuar disiplinarisht një numër i konsiderueshëm ankesash ndaj gjyqtarëve/prokurorëve.
- Lidhur me prioritetin Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve, KShH evidenton se Shqipëria ka miratuar një ligj shumë të rëndësishëm anti-korrupsion, për sinjalizimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Legjislacioni po zbatohet me ritme tepër të ngadalta dhe ka shume pak sinjalizues që raportojnë korrupsionin në vendin e tyre të punës. Plani duhet të propozojë masa si të bëhet efektiv zbatimi i ketij legjislacioni, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë dhe ILDKPKI-në.