Procesi lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 është në fazën më të rëndësishme, ditët e fundit të fushatës, administrimit të votës së diasporës dhe përgatitjeve për ditën e votimit. Gjykuar nga ky moment i rëndësishëm dhe bazuar në gjetjet tona gjatë monitorimit aktiv që i kemi bërë të gjithë procesit, organizatat tona, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qëndresa Qytetare dhe Instituti i Studimeve Politike, dalin me këtë deklarim publik.
Lidhur me fushatën elektorale
- Të gjitha partitë politike kanë publikuar programe elektorale, një risi e rëndësishme kjo në raport me zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, ne konstatojmë me keqardhje se debati politik në fushatë dhe reklamat zgjedhore, sidomos midis dy forcave kryesore politike, nuk është fokusuar te debati rreth alternativave, llogaridhënia, rrugëzgjidhjet mbi problematikat si dhe reformat prioritare në interes të vendit dhe qytetarëve, por kryesisht tek retorika e personalizuar, fushata negative, gjuha jo etike, me elementë denigrues ndaj dinjitetit njerëzor dhe tensionimi i situatës. Kjo krijon një klimë apatie në raport me pjesëmarrjen e zgjedhësve në ushtrimin e të drejtës së votës, të cilën me keqardhje e shohim të reflektuar nga kontaktet që vëzhguesit tanë kanë në terren në 12 qarqet kryesore të vendit.
Avantazhimi i dy partive politike kryesore në hapësirën audiovizive të mediave kryesore në vend ndikon në tkurrjen e hapësirës së informimit të zgjedhësve për programet dhe alternativat e 9 subjekteve të tjera zgjedhore që garojnë në këto zgjedhje parlamentare.
- Ne apelojmë liderit politikë të respektojnë angazhimin e tyre solemn në deklaratën regjistruese në KQZ dhe Kodin Etik në komunikim. Ata dhe forcat e tyre politike kanë përgjegjësi dhe rol thelbësor në investimin tek standardet e debatit dhe procesit zgjedhor, kulturën demokratike zgjedhore dhe pjesëmarrjen qytetare, si dhe në tërësi në rritjen e besimit tek integriteti dhe legjitimiteti i procesit zgjedhor.
- Ne apelojmë subjektet elektorale, kandidatët dhe institucionet të shmangin plotësisht rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe çdo forme presioni apo ndikimi informal ndaj punonjësve të administratës shtetërore, familjarëve të tyre dhe votuesve në tërësi.
- Ne inkurajojmë subjektet politike të bëjnë në mënyrë periodike transparencën e plotë financiare të shpenzimeve të tyre elektorale brenda e jashtë vendit, si dhe organet ligjzbatuese, të hetojnë çdo rast që përbën devijim në financim dhe nga neni 9 i Kushtetutës së RSH.
Lidhur me votën e diasporës
- Zgjedhësit e regjistruar jashtë vendit përbëjnë afro 15% të zgjedhësve që kanë ushtruar aktivisht të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të fundit, të katër viteve më parë. Ne përshëndesim faktin se shumica e qytetarëve në diasporë të regjistruar në KQZ kanë ushtruar ose janë duke ushtruar edhe të drejtën e votës. Pjesëmarrja aktive e tyre është risi, një akt historik dhe një nevojë e madhe për demokracinë përfaqësuese dhe legjitimitetin e qeverisjes në Shqipëri.
- Ne shprehim shqetësimin për rastet e publikimit të votës personale online, presioneve të ndryshme dhe shqetësimeve të ngritura publikisht për krijimin e aplikacioneve patronazhuese që mbledhin dhe përpunojnë të dhëna sensitive për votën e diasporës, mangësive në administrimin e dërgimit të votës, si dhe mungesën e transparencës financiare të partive politike për aktivitetet jashtë territorit të RSH.
Lidhur me krimet zgjedhore
- Ne jemi të inkurajuar nga njoftimet e SPAK mbi rastet e deritanishme të regjistrimit dhe nisjes së hetimeve për krime zgjedhore. Gjithashtu është pozitiv fakti që platforma e ngritur nga SPAK ka bërë të mundur denoncimin jo vetëm nga subjektet zgjedhore por edhe qytetarët që në zgjedhjet e kaluara pothuajse nuk denonconin krimin zgjedhor. Një proces zgjedhor me integritet kërkon parandalim, evidentim dhe hetim shterues për çdo rast të raportuar si krim zgjedhor, pavarësisht nga forca politike, përkatësia e kandidatëve apo individëve të përfshirë.
- Ne inkurajojmë Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, si dhe partitë politike dhe kandidatët, median, grupet monitoruese dhe çdo qytetar, të vijojnë e raportojnë çdo rast të abuzimit me integritetin e votës, si dhe të kontribuojnë për jetësimin e plotë të legjislacionit dhe parimit kushtetues për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
- Ne refuzojmë çdo rast të cenimit dhe abuzimit me të dhënat personale apo të diskriminimit për shkak të gjinisë, moshës, bindjeve politike, duke kërkuar nga KQZ dhe organet ligjzbatuese që raste të tilla të bëhen objekt hetimi administrativ dhe reagimi institucional sipas legjislacionit në fuqi.
Lidhur me administrimin e procesit zgjedhor
- Në tërësi organizatat tona vlerësojnë aktivitetin dhe angazhimin e KQZ për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kryesisht në nxjerrjen e akteve ligjore, fushatën informuese ndaj qytetarëve dhe sfidën me votën e diasporës.
- Duke qenë organizata aktive në denoncimin e rasteve të abuzimit në KQZ, ne gjithashtu shqetësim shqetësimin lidhur me faktin se strukturat përbërëse të KQZ nuk kanë standarde të njëjta në leximin dhe interpretimin e dispozitave ndaluese të Kodit Zgjedhor, duke pamundësuar premtimin për penalizimin e çdo subjekti abuzues me burimet shtetërore në periudhën 4 mujore të parashikuar nga KZGJ. Me keqardhje vërejmë se shumë prej denoncimeve të përcjella në KQZ nga organizatat e shoqërisë civile për shpërdorimin e aseteve publike janë pushuar dhe nuk kanë sjellë sanksionimin e zyrtarëve përgjegjës. Leximi dhe interpretimi i ngushtë i dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe aktit normativ të KQZ-së nga organet drejtuese të KQZ-së në këtë fushë ka sjellë një përkeqësim të standardit ndëshkues administrativ të këtyre rasteve, në raport me zgjedhjet e kaluara të qeverisjes vendore. Afro 2% e raporteve të përcjella nga monitoruesit e caktuar nga KQZ kanë bërë të mundur identifikimin dhe parandalimin e shkeljeve të konstatuara në procesin parazgjedhor. Ne vlerësojmë se ka nevojë për një angazhim më cilësor dhe objektiv të këtyre strukturave, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin efektiv të shkeljeve të legjislacionit zgjedhor.
- Administrimi zgjedhor kërkon edhe kontributin konstruktiv të strukturave shtetërore dhe organeve ligjzbatuese, subjekteve politike dhe kandidatëve. Në fazën aktuale ne nxisim të gjithë këta aktorë të përmbushin premtimet e dhëna lidhur me integritetin e zgjedhjeve dhe të shmangin çdo praktikë që me veprim ose mosveprim mund ti cenojë ato.
Së fundi, ne apelojmë politikanët të evitojnë thirrjet apo praktikat dekurajuese për pjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe vetë qytetarët të bëhen pjesë sa më aktive në procesin elektoral. Ne besojmë se një proces zgjedhor efektiv dhe me integritet kërkon pjesëmarrje sa më aktive qytetare.
Gjatë periudhës në vazhdim organizatat tona do të vijojnë të jenë aktive në monitorimin e fushatës dhe ditës së zgjedhjeve, si dhe në procesin e administrimit të rezultateve zgjedhore. Ne kemi qenë dhe jemi të hapur për të mirëpritur çdo ankim nga qytetarët dhe për të adresuar në KQZ dhe organet ligjzbatuese shqetësimet që përbëjnë devijim nga standardet e mira zgjedhore.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), Instituti i Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), janë angazhuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.