Lënda: Letër e hapur për marrjen e masave urgjente për krijimin e një ambienti të sigurtë në Institucionet e Ekxekutimit të Vendimeve Penale


Për:                Z. Petrit Vasili
                       Ministër
                       Ministër i Drejtësisë

Për dijeni:     Z. Miklovan Kopani
                       Drejtor
                       Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve

Nga:               Znj. Erida Skëndaj
                        Drejtore Ekzekutive
                        Komiteti Shqiptar i Helsinkit

                        Znj. Elma Tërshana
                        Drejtore Ekzekutive
                        Observatori për të Drejtat e Fëmijëve

I nderuar z. Vasili

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, dy organizata jofitimprurese, duke marrë shkas nga incidenti i fundit, me pasojë vdekjen e një të mituri në IEVP Shën Koll shprehin shqetësimin lidhur me kushtet e papërshtatshme dhe sigurinë në sistemin e burgjeve.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit është duke ndjekur në vazhdimësi gjendjen e realizimit të te drejtave të personave të burgosur, qofshin të paraburgosur apo të dënuar, që trajtohen në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP). Gjithashtu, Observatori për të drejtat e Fëmijëve ka monitoruar situatën e respektimit të të drejtave të të miturve në konflikt me ligjin në IEVP Shën Koll dhe Institucionin e të Miturve në Kavajë.

Monitorimi i kryer nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në bashkëpunim me Institucionin e Avokatit të Popullit evidentoi se, ambientet ku mbaheshin të miturit në konflikt me ligjin në IEVP Lezhë nuk ishin të përshtatshme për moshën e tyre. Megjithëse para disa muajsh, në prezencën e disa organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve hollandezë dhe Komitetit Hollandez të Helsinkit u bë përurimi i ambienteve të reja për të miturit në IEVP Shën Koll, të financuara nga qeveria Hollandeze, ne vërejmë se këto ambiente nuk janë ende funksionale dhe të miturit vazhdojnë të mbahen ende në kushte të papërshtatshme.

Veç sa më sipër, në muajt e fundit, në sistemin e burgjeve (në IEVP në Rrugën “Mine Peza”, Tirane, në IEVP Rrogozhinë, dhe së fundi, në IEVP Lezhë (e përsëritur), kemi konstatuar shtim të ngjarjeve të rënda me pasojë humbjen e jetës së personave të privuar nga liria, ngjarje të cilat sipas medias, janë shkaktuar nga vetë personat që kanë humbur jetën. Keto ngjarje të përsëritura cënojne rëndë sigurinë e burgjeve dhe tregojnë nevojën e theksuar për të ndërhyrë nga autoritetet shtetërore për t’i ndaluar ato.

Ndër të tjera, si shkak për shkaktimin e vdekjes është edhe përdorimi i bombolave të gazit nga të burgosurit dhe të paraburgosurit për plotësimin e nevojave të tyre të përditshme. Ngjarjet e mesipërme po hetohen nga organi i Prokurorise i cili përmes veprimeve hetimore do të sqarojë rrethanat e tyre dhe personat përgjegjës. KShH po monitoron ecurinë e këtyre hetimeve dhe mbetet në pritje të vendimeve përkatëse të organit të prokurorisë.

Sipas nenit 21, të VKM nr. 437, dt. 20.05.2015, “Për miratimin e Rregullores së Pergjithshme të Burgjeve”, në mjediset e brendshme të IEVP-së nuk lejohet të mbahen sendet që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e të burgosurve dhe personelit, si dhe sigurinë e institucionit. Ndërsa, sipas Rregullave Europiane të Burgjeve, masat e sigurimit në burg përbëhen nga masat minimale të mundshme për të pasur një kufizim lirie të sigurtë.

Përsa më sipër, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Observatori për të Drejtat e Fëmijeve inkurajojnë marrjen e masave urgjente për krijimin e një ambienti të sigurtë për të miturit por gjithashtu edhe për të rrturit në të gjitha institucionet penitenciare. Në këtë drejtim, vleresojmë se duhen marrë masa përpjestimore, për ndalimin e përdorimit të bombolave të gazit në dhoma dhe njëkohësisht krijimit të ambienteve të përbashkëta të gatimit nga vetë personat e privuar nga liria në kushte që garantojnë sigurinë në të gjitha IEVP-të.

Gjithashtu, KShH dhe Observatori për të Drejtat e Fëmijëve sugjerojnë marrjen e masave të menjehërshme për të vënë në funksionim të plotë ambienteve të reja për të miturit në IEVP Shën Koll.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, mbetemi në pritje të një reagimi pozitiv që do t’i japë zgjidhje efektive problematikave të adresuara në këtë shkresë.

Me konsideratë,

Erida Skëndaj
Drejtore Ekzekutive
Komiteti Shqiptar i Helsinkit

   Elma Tërshana
Drejtore Ekzekutive
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit