Thirrje publike për të drejtat dhe liritë e komunitetit LGBTI në Shqipëri


Sot, në datën 17 maj, në ditën kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) bën thirrje publike për respektim më të mirë të të drejtave dhe lirive që gëzon komuniteti LGBTI në vendin tonë.

Shtetasit që i përkasin këtij komuniteti përballen me një sërë problemesh që pengojnë ushtrimin efektiv dhe të plotë të të drejtave të tyre. Një pjesë e tyre nuk pranohen si të tillë nga familja apo shoqëria, duke pësuar paragjykime denigruese dhe diskriminim të shumëfishtë. Në disa raste anëtarët e këtij komuniteti, janë viktimë e urrejtjes, dhunës verbale apo fizike në ambiente publike apo i dhunës në familje. Mungesa e strehimit për të individët në nevojë që nuk pranohen nga familja e tyre, vështirësi në punësim apo mungesa e shërbimeve cilësore psiko-sociale janë gjithashtu disa nga problematikat e tjera me të cilat përballet ky komunitet.

Personat që i përkasin këtij komuniteti duhet të gëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur identitetin gjinor në varësi të përkatësisë të tyre. Gjykata e Strasburgut ka vendosur sanksione ndaj një sërë shtetesh të Këshillit të Evropës për shkelje të së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare të personave transgjinorë. Disa nga këto shkelje konsistojnë në mungesën e një kuadri ligjor të plotë dhe të qartë për ndryshimin e gjinisë në gjendjen civile, refuzimin nga gjendja civile për të ndryshuar gjininë në çertifikatat e personave transgjinorë, kufizimet buxhetore që nuk mundësonin operacionet mjekësore për ndryshimin e gjinisë, refuzimin nga skema e detyrueshme e sigurimit shëndetësor të rimbursimit të shpenzimeve për kryerjen e këtyre operacioneve, etj.

E drejta për të mos u diskriminuar dhe e drejta për barazi janë të drejta universale të sanksionuara në Kushtetutën e vendit tonë por edhe në aktet ndërkombëtare si Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Të drejtat dhe liritë themelore që gëzon çdo shtetas i vendit tonë, janë të drejta që gëzon edhe çdo anëtar i komunitetit LGBTI.

KSHH bën thirrje publike për më shumë ndërgjegjësim për të mundësuar efektivisht akses të barabartë në arsim, shëndetësi, punësim dhe trajtim dinjitoz të komunitetit LGBTI. Me qëllim respektimin më të mirë të drejtave të tyre dhe veçanërisht të drejtës për jetë private dhe familjare, nevojiten të realizohen fushata ndërgjegjësuese.

KShH inkurajon zbatimin e plotë dhe efektiv të planit të veprimit për personat me orientim të ndryshëm seksual, me qëllim që ky dokument i rëndësishëm të mos mbetet vetëm në letër. Së fundmi dëshirojmë të përgëzojmë të gjithë aktivistët e komunitetit që mbrojnë kauzat dhe të drejtat e tij dhe ftojmë qytetarët të bashkohen dhe solidarizohen me këto kauza duke marrë pjesë në veprimtaritë që do të realizohen gjatë kësaj jave kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit