Tiranë, më 3 Shkurt 2025
DEKLARATË PËR SHTYP
Ndryshimet në legjislacionin procedural të sistemit të drejtësisë cenojnë aksesin në drejtësi dhe cilësinë e saj ndaj qytetarëve
Nëpërmjet platformës së Konsultimit Publik të Kuvendit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit është njohur me tre projektligje, të cilat kanë rëndësi për veprimtarinë dhe misionin e organizatës tonë, në mbrojtje të parimeve të shtetit të së drejtës si dhe të drejtave dhe lirive të njeriut, përkatësisht:
- Projekt- ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
- Projekt –ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8116, datë 29.03.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
- Projekt –ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar;
Me anë të një oponence ligjore, KShH i është drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë pasi ka identifikuar dhe analizuar disa problematika të natyrës kushtetuese. Oponenca e KShH-së fokusohet kryesisht në parime kushtetuese specifike, si parimi i sigurisë juridike dhe i pritshmërive të ligjshme sipas nenit 4 të Kushtetutës, parimi i ankimit efektiv në një shkallë më të lartë gjykate sipas nenit 43 të Kushtetutës, parimi i cilësisë së vendimmarrjes gjyqësore si tërësi e elementëve të procesit të rregullt ligjor, por po aq dhe i administrimit të drejtësisë, sipas nenit 42 të Kushtetutës, parimi i proporcionalitetit në ndërhyrjen kufizuese të të drejtave themelore të njeriut sipas nenit 17 të Kushtetutës.
Ndër propozimet ligjore më të rëndësishme që KShH kundërshton janë si vijon:
- Kundërshtojmë uljen e numrit të gjyqtarëve në trupat gjykuese si në çështjet penale ashtu dhe në çështjet civile, pasi:
- Trupat gjyqësore, diskutimet, qëndrimet e ndryshme, pakicat dhe paralelet brenda një trupi gjykues i japin vlerë vendimmarrjes cilësore dhe janë një garanci më tepër për individin, edhe për vendimin potencial në favor ose disfavor të tij;
- Trupa gjykuese me tre gjyqtarë, ku potencialisht ka dhe hapësira për qëndrime të ndryshme në vendimin gjyqësor, rrit edhe mundësinë dhe cilësinë për kontrollin e mëtejshëm efektiv të tij në rast rekursi në Gjykatën e Lartë dhe ankimi kushtetues në Gjykatën Kushtetuese, bazuar në parimin kushtetues të ndërveprimit mes gjykatave dhe parimit të subsidiaritetit;
- Ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale ofrojnë gjykim në apel me një gjyqtar nga tre që përbëhej më parë trupa gjykuese për gjykime themeli penale mbi fajësinë ose jo, ndryshim i cili mund të zbehë cilësinë e gjykimit për një sërë procesesh penale për vepra penale ku parashikohet dënimi nga gjobë deri dy vite burg.
Vlen të theksojmë se në muajin Maj 2021, hynë në fuqi dhe u ofruan ndryshime në trupat gjyqësore për çështje të ndryshme për aq sa u panë të arsyeshme, në shkallë të parë, në apel, dhe në Gjykatën e Lartë, përmes ligjit nr.41/2021 që ndryshoi Kodin e Procedurës Penale dhe ligjit nr.44/2021, që ndryshoi Kodin e Procedurës Civile. Ndryshimet e shpeshta legjislative, në hapësira kohe shumë të ngushta për ligje procedurale që kërkojnë shumicë të cilësuar, në kuadër të problematikave që janë shfaqur për sa i takon efiçiencës gjyqësore si rrjedhojë e uljes së numrit të gjyqtarëve/prokurorëve, po krijojnë në vlerësimin e KShH-së modele të dëmshme eksperimentale në drejtim të aksesit në drejtësi dhe cilësisë së drejtësisë në vendin tonë.
- Kundërshtojmë zgjerimin e rasteve të kufizimit të së drejtës së ankimit, pasi:
- duke parashikuar të drejtën për heqje dorë nga ankimi në apel, në Kodin e Procedurës Penale, me vullnetin e të pandehurit, edhe pse në pamje të parë duket se i pandehuri do të përfitojë (ulje e dënimit me burgim ose gjobë me një të gjashtën), në fakt shuan thelbin e së drejtës për ankim në një gjykatë më të lartë, sipas parashikimeve të nenit 43 të Kushtetutës, duke i hequr të drejtën për të kërkuar pafajësi të dënuarit, me argumentin përfitues të uljes së denimit.
- Kundërshtojmë zgjerimin e rretheve të subjekteve që kanë kompetenca të lëshimit të urdhri të ekzekutimit, sikundër noterët, organet publike dhe nëpunësit publik, pasi:
- Noterët dhe nëpunësit publikë, duke mos patur ekspertizën e duhur profesionale në lëshimin e titujve ekzekutivë dhe duke u ngarkuar edhe me këto kompetenca quasi gjyqësore, mund të sjellin edhe më shumë vështirësi për procesin dhe palët e përfshira;
- Kalimi i përgjegjësive nga gjykatat tek shërbimi noterial/noterët mund të dëmtojë në tërësi besueshmërinë e individëve në ndjekjen e këtyre proceseve për lëshimin e titujve ekzekutivë;
- Në respektim të parimit të panësisë dhe objektivizmit, noterët të cilët janë përgjegjës për nënshkrimin e kontratave apo akteve noteriale të palëve që përbëjnë titull ekzekutiv nuk mund të jenë edhe lëshues të urdhrave të ekzekutimit. E njëjta logjikë vlen edhe për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit nga vetë nëpunësi publik, ose organi, ose personi juridik i së drejtës publike për vendime të cilat përbëjnë tituj ekzekutivë sipas ligjit. I njëjti organ që harton dhe lëshon titullin ekzekutiv, kështu noteri apo organi publik, nuk mund të nxjerrë në të njëjtën kohë edhe urdhrin e ekzekutimit;
- Gjykata e caktuar me ligj, në lëshimin e titujve ekzekutivë si gjykatë kompetente ka qenë në nivel tradite legjislative dhe organizimi të sistemit juridik, dhe si çdo traditë e konsoliduar nuk është e thjeshtë ta ndryshosh dhe të krijosh një tjetër model nga e para, sidomos në kushtet ku ndodhet i gjithë sistemi i drejtësisë sot, nën një proces të fortë reformimi shumëplanësh, ku duket se fokusi dhe qëllimi kryesor i ekzistencës së tij, dhënia e shërbimit publik të drejtësisë me profesionalizëm dhe eficencë qytetarit duket se është spostuar.