Në Tetor të vitit 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Është ligj i rëndësishëm sepse për herë të parë rregullohet procesi i njoftimit dhe i konsultimit publik i projektligjeve, dokumenteve strategjik kombëtar dhe vendor si dhe politikave më interes të lartë publik.
Është veçanërisht i rëndësishëm sepse nëpërmjet dispozitave përkatëse të këtij ligji organet publike janë të detyruar që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të krijuar të gjitha mundësitë për realizimin në praktikë të pjesëmarrjes së publikut dhe të gjithë palëve të interesuar në procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik. Këto dy momente shprehen si më poshtë: a) Projektakti duhet të publikohet në regjistrin elektronik. Ky është hapi i parë për njoftimin e publikut duke krijuar kështu mundësinë e organizimit të konsultimit publik, b) pas këtij njoftimi (që nënkupton njohjen me projektaktin) organizohen konsultimet e drejtpërdrejta dhe takimet publike me palët e interesuara.
Sipas ligjit “palë të interesuara”, në procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik janë organet publike, shtetasit e Republikës së Shqipërisë dhe grupet e interesit, personat fizik të huaj me vendqëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë si dhe personat juridik të huaj të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.
Në ligj jepen gjithashtu sqarime se çfarë duhet kuptuar me nocionin: “organ publik”. Kështu në nenin 2 pika 9 të ligjit thuhet se: “organ publik” është çdo organ i pushtetit qendror, i cili kryen funksione administrative, çdo organ i enteve publike, në masën që ato kryejnë funksione administrative, çdo organ i pushtetit vendor që kryen funksione administrative, çdo organ i Forcave të Armatosura, çdo strukturë tjetër për aq kohë sa këto kryejnë funksione administrative, si dhe çdo person fizik ose juridik, të cilëve i është dhënë me ligj, akt nënligjor ose çdo lloj forme tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, e drejta e ushtrimit të funksionit publik.
Nga sa përmendëm më lart rezulton se informimin e publikut mbi hartimin e një projekt-akti si dhe organizimin e konsultimeve publike duhet ta kryejnë jo vetëm organet e pushtetit qendror por dhe ato të qeverisjes vendore, të forcave të armatosura, çdo institucion që kryen funksione administrative. Siç shihet gama është e gjerë. E megjithëkëtë ka ende organe që nuk njohin detyrimet ligjore që u ngarkon ligj dhe megjithëse kanë kaluar mbi 2 vjet nga miratimi i ligjit nuk rezulton të kenë informuar publikun mbi projektaktet që po përgatiten dhe si pasojë nuk kanë organizuar ndonjë konsultim publik që paraqet interes për palët apo grupet e interesuara.
Të organizosh “konsultim publik”, nuk do të thotë thjesht të kërkosh shfaqen e mendimit ose të pretendosh se informacioni është dhënë, por nuk na janë dërguar propozime apo sugjerime. Kjo siç u përmend më lart është një detyrimi ligjor i organeve publike, ose më mirë të themi ky është hapi i parë që çon në konsultimin publik.
Në ligj thuhet se gjatë periudhës së konsultimit nisur nga rëndësia e projekt-aktit dhe interesit të lartë publik, organi publik mund të organizojë takime publike, ku palët e interesuara paraqesin opinionet e tyre. Për të shmangur çdo lloj formalizmi ligji ka parashikuar se për organizimin e konsultimeve publike njoftimi duhet të bëhet 20 ditë para takimit publik, madje duhet pjesëmarrësve në këtë takim t’u vihet më parë në dispozicion kopja e projektaktit që do të diskutohet.
Në këto takime publike, përfaqësuesi i organit publik që drejton mbledhjen, u krijon pjesëmarrësve të gjitha mundësitë për të shprehur lirisht mendimet e tyre. Theksojmë se mbledhjet në këto raste janë të hapura.
Rëndësia e këtyre takimeve qëndron edhe në faktin se në raste të tilla mbahet proces-verbali përkatës, madje takimi mund të regjistrohet. Do të ishte formale nëse konsultimi publik do të konsiderohej qëllim në vetvete dhe më pas çështja do të quhej e mbyllur. Ligjbërësi ka synuar arritjen e rezultateve efektive dhe konkrete. Është kjo arsyeja që në ligj është parashikuar që komentet dhe rekomandimet e marra gjatë procesit të konsultimit publik duhet që koordinatori i njoftimit të organit përkatës publik t’i grumbullojë.
Pas këtij veprimi është e detyrueshme që të shqyrtohen të gjitha komentet dhe rekomandimet. Ky shqyrtim duhet të kryhet nga organi publik që është përgjegjës për hartimin e projektakti. Është pikërisht ky organ që vendos pranimin ose refuzimin e rekomandimeve që palët e interesuara kanë paraqitur në mbledhjet për konsultim. Në këtë drejtim mund të bëhet pyetja: nëse organi publik do të ketë të drejtat e mësipërme si mund të veprohet kur komentet dhe rekomandimet refuzohen?
Kësaj pyetje i është përgjigjur vetë ligji kur shprehet se nëse palët e interesuara vlerësojnë se organi publik ka cënuar të drejtën e tyre për njoftim dhe konsultim publik kanë të drejtë të ankohen tek organi publik përgjegjës për zbatimin e procedurave të mësipërme. Ky organ është i detyruar që me marrjen e ankesës të përcaktojë masat e nevojshme dhe të reflektojë për vërejtjet e paraqitura. Por jo vetëm kaq, organi publik përgjegjës është i detyruar të njoftojë palën e interesuar për masat e marra, madje t’i ftojë ato t’i japin rekomandime ose të bëjnë komentet për projektaktin e diskutuar.
Veç sa më sipër pala e interesuar ka të drejtë të drejtohet edhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave personale. Duke u mbështetur në këtë ankesë, Komisioneri kur e sheh të përshtatshme organizon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.
Kjo praktikë kur del nevoja është e rëndësishme sepse kur Komisioneri arrin në përfundimin se organi publik ka shkelur dispozitat e këtij ligji, i propozon organit përgjegjës marrjen e masave administrative. Cili është impakti që duhet të arrihet nëpërmjet zbatimit të këtij ligji?
Së pari do të rritet me një shkallë më të lartë ndërgjegjësimi i publikut dhe kontributi i tij në hartimin e projekt-ligjeve dhe projekt-akteve. Së dyti do të rritet përgjegjësia dhe integriteti i organeve publike. Së treti ligji synon të inkurajojë konsultimin publik sepse kjo është mënyra më efikas për miratimin me cilësi të projekt-ligjeve dhe projekt-akteve. Së katërti, konsultimi me publikun, i sanksionuar në ligj, gradualisht do të jetë pjesë përbërëse e veprimtarisë së organit publik që do të kontribuojë edhe në përpunimin e një metodologjie së ma të përshtatshme. Në përfundim e shikoj të nevojshme të përmend se mbas miratimit të këtij ligji, Këshilli i Ministrave me Vendimin Nr.828, datë 07.10.2015 ka miratuar rregullat e krijimit dhe administrimit të regjistrit elektronik, për njoftimet dhe konsultimet publike. Ky vendim është publikuar në Fletoren Zyrtare Nr/177 vitit 2015.