Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vijon të monitorojë disa prej aspekteve të lidhura me mbarëvajtjen e procesit parazgjedhor, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në vend në datë 25 Prill 2021. Ky monitorim është relativisht i pjesshëm dhe i kushtëzuar nga masat kufizuese të pandemisë globale COVID-19.
KShH e shikon të nevojshme të shprehë shqetësimin e tij se fushata politike për zgjedhjet e vitit të ardhshëm ka filluar me kahje të një polarizimi të tensionuar politik. Ky polarizim vërehet teksa po administrohen disa aspekte të rëndësishme të procesit parazgjedhor nga Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve, i cili po punon me ritme intensive, teksa jemi në fazën e procesit të publikimit periodik (çdo muaj) të listave të zgjedhësve, dhe veçanërisht kur ende partitë politike nuk kanë marrë statusin e subjektit zgjedhor. Kjo retorikë, përveç se nuk i shërben interesave legjitime të çdo zgjedhësi dhe kryhet në periudhë që nuk përkon me fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore, mund të shkurajojë dhe të thellojë apatinë që një pjesë e zgjedhësve kanë në drejtim të procesit zgjedhor, të drejtës kushtetuese për të zgjedhur që është gur themeltar i një demokracie dhe ndaj partive politike në tërësi.
Çdo ditë në media dëgjohen deklarata me akuza të ndërsjellta midis përfaqësuesve të partive më të mëdha politike. Ato shpesh shoqërohen me gjuhën e urrejtjes, të fyerjeve dhe denigrimeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me fjalën e lirë dhe kritikën konstruktive. Deklarata të tilla janë të papranueshme kur cënojnë dinjitetin e njeriut. Ato janë tregues i mungesës së etikës elementare dhe të emancipimit demokratik. Për më tepër, këto deklarata edhe pse në ndonjë rast justifikohen me mbrojtjen apo në emër të interesit publik, në vlerësimin e KShH-së janë larg interesave dhe shqetesimeve të jetës së përditshme të njerëzve.
KShH vëren se nëse ka të dhëna për korrupsion, shpërdorim detyre të fondeve publike ose për vepra të tjera penale, veç kritikave të nevojshme dhe të ligjshme, duhet të ndërmmerren veprime konkrete: ato duhen denoncuar në organet e ndjekjes penale. KShH edhe më parë ka reaguar për respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë.
Përgatitjet në vazhdim të zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 zhvillohen në kushte të veçanta dhe të vështira. Tërmeti shkaktoi plagë të rënda dhe pasoja të ndjeshme sociale dhe ekonomike që ende nuk janë rikuperuar plotësisht. Pandemia COVID-19, që çdo ditë rrezikon jetë njerëzish, veç të tjerash, kërkon masa të koordinuara parandaluese, proporcionale dhe nën kujdesin dhe orientimet e dhëna nga ekspertët teknikë të fushës. Shteti me anë të institucioneve të tij ka përgjëgjësinë e vet, por në fatkeqesi të tilla të paparashikuara, solidariteti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i të gjithëve është domosdoshmëri.