Vendi duhet të distancohet përfundimisht nga kultivimi dhe trafikimi i bimëve narkotike


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) përshëndet aksionin e forcave të Policisë së Shtetit për të imponuar zbatimin e ligjit në disa zona të mbjelljes së bimëve narkotike si dhe trafikimit të tyre. Aksioni aktualisht është përqendruar në Komunën Lazarat, ku prej kohësh është folur se është një ndër qendrat kryesore të kultivimit e tregtimit të këtyre bimëve.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bën thirrje organeve të Policisë së Shtetit të zbatojnë me rigorozitet dhe me korrektësi ligjin, duke shkatërruar çdo rrënjë të kësaj bime të kundraligjshme dhe duke vënë para përgjegjësisë penale personat përgjegjës, por në të njëjtën kohë të bëjë kujdesin maksimal për respektimin e të drejtave të ligjshme të banorëve të këtij fshati e më gjerë. Duhen marrë të gjitha masat me qëllim që të mos dëmtohet asnjë person i pafajshëm, qoftë fizikisht ashtu dhe në të drejtat e interesat e tyre të ligjshme.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënon aktin banditesk të disa personave, banorë të zonës, që ushtruan presion dhe terror ndaj gazetarit te A1 Report, si dhe ndaj pasurisë së këtij televizioni, duke djegur makinën dhe aparaturat profesionale të regjistrimit e transmetimit të informacionit.

A1 Report ishte në krye të detyrës së vet fisnike, për të parë gjendjen në vend dhe për të realizuar informimin e publikut, prandaj keqbërësit duhet të vihen menjëherë përpara përgjegjësisë për veprimet që kanë kryer.

Parandalimi dhe goditja e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike është detyrë e strukturave të shtetit, por dhe interes parësor i shoqërisë. Prandaj duke mbështetur dhe inkurajuar forcat e Policisë së Shtetit për këtë aksion që po ndërmarrin, nxitim organet e ndjekjes penale dhe organet e gjyqësorit, që në mënyrë të pavarur dhe objektive, të hetojnë dhe gjykojnë me shpejtësi veprat të tilla me rrezikshmëri të theksuar shoqërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2020 >
July
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  
TOP