Për njohjen e Kodit të Procedurës Penale
I pandehuri dhe të drejtat e tij


-Kur personi merr cilësinë e të pandehurit?

Ai merr cilësinë e të pandehurit kur akuzohet për kryerjen e një vepre penale. Në këtë rast atij i njoftohet akuza.

-Çfarë të drejtash ka i pandehuri?

a) Ai duhet të njoftohet për veprën penale që hetohet, edhe për shkaqet e akuzës;

b) Të përdorë gjuhen që flet ose që kupton dhe të ndihmohet nga një përkthyes dhe interpretues nëse ka aftësi të kufizuara në të folur dhe në të dëgjuar;

c) Të heshtë dhe të mos u përgjigjet pyetjeve, të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi të caktuar prej tij;

ç) Të ketë një mbrojtës të siguruar nga shteti kur nuk ka mundësi financiare;

d) Të takohet privatisht dhe të komunikojë me mbrojtësin që e përfaqëson;

dh) Të ketë kohë të mjaftueshme dhe lehtësi për të përgatitur mbrojtjen;

e) Të njihet me materialet e çështjes;

f) Tu bëjë pyetje dëshmitarëve, ekspertëve dhe të pandehurve të tjerë;

g) Të paraqesë prova që i shërbejnë mbrojtjes së tij;

-Veç të drejtave të mësipërme a ka edhe të drejta të tjera?

Po, ai ka gjithashtu të drejtë të takojë vetëm për vetëm mbrojtësin e tij përpara marrjes në pyetje për herë të parë.

a) Të njihet me aktet, provat e nevojshme, me arsyet e arrestimit ose ndalimit të tij;

b) Të kërkojë që një anëtar i familjes ose një person tjetër i afërt të njoftohet menjëherë për arrestimin e tij;

c) Të marrë menjëherë përkujdesjen e nevojshme mjekësore;

-A duhet të merret në pyetje i pandehuri?

Sigurisht që po. Atij nuk duhet ti bëhet asnjë presion. Duhet ti sigurohen të drejtat që atij i garanton ligji.

-Si veprohet kur gjendja mendore e të pandehurit tregon se ai duhet të kurohet?

Në raste të tilla gjykata vendos edhe kryesisht shtrimin e të pandehurit në një institucion psikiatrik. Gjatë hetimeve paraprake, prokurori i kërkon gjykatës të vendosë për shtrimin e të pandehurit në një institucion psikiatrik dhe kur vonesa paraqet rrezik, kërkon shtrimin e përkohshëm deri në marrjen e vendimit nga gjykata.

-Nëse prokurori zgjat afatin e hetimeve i pandehuri a ka të drejtë të ankohet?

Po, në Kodin e Procedurës Penale, thuhet se i pandehuri brenda 10 ditëvë nga marrja njoftim që është zgjatur afati i hetimeve, ka të drejtë të ankohet në gjykatë kundër vendimit të prokurorit.

-Cilat janë të drejtat e të pandehurit kur çështja e tij dërgohet në gjyq?

Seanca gjyqësore duhet të zhvillohet edhe me pjesëmarrjen e të pandehurit. Kur i pandehuri është në gjendje të lirë ose në paraburgim dhe nuk është paraqitur në gjykatë pa shkaqe të arsyeshme ose refuzon të paraqitet, gjykata deklaron me vendim mungesën e tij. Nëse mosparaqitja është për shkaqe të arsyeshme, seanca gjyqësore shtyhet. Në gjyq i pandehuri mund të paraqesë prova, të kundërshtojë provat e paraqitura nga prokurori, të pyesë dëshmitarët, të kërkojë kryerjen e ekspertimit etj. Nëse i pandehuri shpallet fajtor ai ka të drejtë të ankohet ne Gjykatën e Apelit.

-A ka të drejtë i pandehuri të kërkojë gjykim të shkurtuar?

Po, e ka këtë të drejtë dhe kërkesën e paraqet vetë ai nëpërmjet mbrojtësit në seancën përgatitore të gjykatës ose në seancën gjyqësore. Gjykata mund të vendosë pranimin ose refuzimin e kërkesës.

-Çfarë kuptimi ka gjykimi i shkurtuar?

Në gjykimin e shkurtuar gjykata bazohet në provat që ka në dosje. Nuk kërkohen prova të tjera.

-Çfarë interesi ka gjykimi i shkurtuar?

Gjykimi i shkurtuar bëhet për ekonominë gjyqësore dmth shkurtohet afati i gjykimit. Kur në këtë rast gjykata e deklaron fajtor të pandehurin, ajo e ul dënimin me burgim ose gjobë me një të tretën. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëjë ankim si prokurori edhe i pandehuri. Nuk lejohet kërkesa për gjykim të shkurtuar për vepra penale për të cilat parashikohet dënim me burgim të përjetshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Postime

eventet

Event Calendar WD requires PHP Calendar module to display events. Contact your hosting provider or enable it manually.
TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit