Për shkeljet e konstatuara gjatë monitorimit të kryer në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier dhe Fushë – Krujë


Në dt. 28 Tetor 2016, vëzhgues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) realizuan një monitorim në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Fier. Gjatë këtij monitorimi rezultoi se ndaj të dënuarit A.G ishte marrë masë disiplinore e përjashtimit nga të gjitha veprimtaritë e përbashkëta deri në 20 ditë, bazuar në nenin 53 pika 1 shkronja “ç” e ligjit nr.8328 datë 16-04-1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Nga pikëpamja e respektimit të procedurës, KShH vërejti se kjo masë disiplinore ishte dhënë në përputhje me ligjin. Ndërkohë, KShH konsideron shkelje të rëndë të ligjit, mbajtjen e të dënuarit në dhomat e veçimit përtej afatit të parashikuar në këtë masë, përkatësisht për 9 ditë më shumë, në total 29 ditë, çka përbën një shkelje flagrante të ligjit.

Të pyetur lidhur me shkaqet e kësaj shkelje të konstatuar nga KShH, punonjësit e IEVP Fier deklaruan se i dënuari është “problematik” dhe institucioni nuk ka patur mundësi që pas përfundimit të afatit të veçimit ta vendosë në një ambient ose në një dhomë ku ishte më parë ose në një tjetër. Justifikimi i mësipërm është jo vetëm i papranueshëm, por i kundërligjshëm dhe i ndëshkueshëm.

KShH e shikon të nevojshme të përmend se edhe për masën e ligjshme disiplinore kërkohet një dokument me shkrim nga mjeku që duhet të dëshmojë se i dënuari ose i paraburgosuri mund ta përballojë atë, në përputhje me nenin 53 të ligjit nr. 8328, dt. 16.04.1998. Mbajtja e të dënuarit në veçim edhe 9 ditë të tjera tej afatit ligjor e bënin edhe më të domosdoshme vizitën mjekësore, sepse kjo mund të ndikonte në keqësimin e shëndetit të tij dhe mund të shtronte çështjen e elementëve të trajtimit çnjerëzor, sipas nenit 3 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Veç sa më sipër, në datën 15.11.2016, KShH ushtroi edhe një monitorim në IEVP Fushë Krujës ku rezultoi një mbipopullim veçanërisht i theksuar në sektorin e paraburgimit. Kapaciteti i këtij institucioni, siç na u tha, është për treqind e pesëdhjetë persona, ndërsa në të ishin vendosur katërqind e pesëdhjetë të burgosur, pra më shumë se 50% se kapaciteti i lejuar. Ishte shqetësuese gjithashtu se në disa dhoma kishte të burgosur që flinin në dysheme me lagështirë dhe në kushte higjienike të këqija.

KShH vlerëson se në këtë situatë mund të kenë ndikuar negativisht shtimi i rasteve të masave të sigurimit “arrest me burg” ose/dhe zbatimi relativisht i pakët i dënimeve alternative. Por pavarësisht nga këto arsye dhe pjesërisht edhe problemeve që kanë të bëjnë me infrastrukturën ekzistuese, KShH vlerëson se problemi është serioz dhe shqetësues. Për këtë arsye, KShH kërkon trajtim të veçantë të këtij problemi nga organet e sistemit të drejtësisë penale sepse gjendja e mësipërme cënon drejtpërsëdrejti të drejtat e ligjshme të të dënuarve dhe të paraburgosurve, ndërsa vazhdimi i saj mund te shtrojë çështjen e trajtimit ç’njerëzor gjë që mund dhe duhet parandaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit