Misioni i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) është të kontribuojë për respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me Kushtetutën dhe me aktet ndërkombëtare të zbatueshme në Republikën e Shqipërisë.
Gjatë vitit 2017, KShH ka patur një aktivitet të larmishëm në drejtim të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke u fokusuar kryesisht në fusha të tilla si gjyqësori dhe zbatimi i reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, burgjet, transparenca e institucioneve dhe konsultimi publik me grupet e interesit, mbrojtja nga ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi, diskriminimi, promovimi i medias së lirë, forcimi i mirëqeverisjes në nivel qendror dhe vendor, garantimi i të drejtave themelore për grupet në nevojë, mbrotja e mjedisit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, etj.
Bazuar në praktikën e KShH-së, edhe për vitin 2017 kemi përgatitur për median dhe publikun një raport konçiz, për disa nga gjetjet dhe problematikat që kanë rezultuar kryesisht nga veprimtaria e KShH-së, përkatësisht nga monitorimi proaktiv, fushatat ndërgjegjësuese dhe edukimi ligjor, reagimet publike në media dhe rrjetet sociale, trajtimi i ankesave të qytetarëve, komunikimi me institucionet shtetërore, përfaqësimi i rasteve nga avokatë të KShH-së në gjykatat vendase, në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, studime dhe analiza të vendimeve gjyqësore, vendimeve të prokurorisë, etj.
Teksa qytetarët kanë pritur frytet e para të zbatimit të reformës në drejtësi, gjatë vitit 2017 janë vërejtur vonesa dhe zvarritje në ngritjen në kohë të organeve të reja të drejtësisë. Në disa raste, këto vonesa kanë qenë të pajustifikuara dhe kanë ardhur si rezultat i polarizimit politik gjatë procesit zbatues të reformës dhe mungesës së dialogut dhe konsensusit politik. Për ngritjen e institucioneve të vettingut, vëzhguesit e KShH-së kanë vërejtur gjatë monitorimit, se edhe pse komisioni i parë parlamentar ad hoc verifikues konstatoi se disa kandidatë plotësonin kriteret formalo – ligjore, ndaj tyre u drejtuan pyetje paragjykuese dhe të njëanshme, duke i vënë kandidatët nën presionin politik-psikologjik. Seanca dëgjimore me këta kandidatë duhet të kishte si objektiv kryesor testimin e nivelit profesional dhe integritetit të tyre. Veç kësaj, në dy komisionet e tjera parlamentare ad hoc të përzgjedhjes së kandidatëve, u vërejtën elementë të formalizmit, për shkak të mungesës së një pjese të anëtarëve të këtyre komisioneve apo të indiferencës së treguar prej tyre gjatë seancës dëgjimore. Gjithashtu, u vërejt se pati një numër të lartë kandidatësh të cilët nuk u përzgjodhën, por ndërkohë ishin arsimuar ose kishin patur përvoja të vlerësueshme në vendet perëndimore. Pengesë në këtë drejtim ishin edhe kriteret e forta kushtetuese dhe ligjore.
Për shkak të vonesës që krijoi ngritja në kohë e organeve përgjegjëse të vettingut, KShH në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë filloi të monitorojë organet ndihmëse të këtij procesi, të cilat nuk treguan transparencë të plotë për dhënien e informacionit statistikor që ka rezultuar nga relacionet që këto organe i kanë vënë dispozicion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për tri komponentët e vettingut (aftësitë profesionale, integritetin dhe pasurinë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve). Prej më shumë se një muaji, KShH është në pritje të vendimmarrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit të cilit i është drejtuar me ankim administrative për DSIK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe ILDKPKI. Çdo vonesë në vendimmarrjen e Komisionerit për të drejtën e Informimit mund të dëmtojë transparencën në kohë të procesit të vettingut, i cili është thelbësor për rikthimin e besimit të shtetasve në organet e drejtësisë.
Ngritja e Këshillave të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë (KLP dhe KLGJ) si dhe e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është shoqëruar gjithashtu me vonesa, ku ka ndikuar ndër të tjerash moskryerja në kohë e vettingut për kandidatët gjyqtarë dhe prokurorë në këto institucione si dhe vështirësitë për gjetjen e kandidaturave të përshtatshme nga shoqëria civile për anëtarin “joprokuror” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Këto vonesa kanë ndikuar në mënyrë zinxhir në mosplotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese, në emërimin e Prokuorit të Përgjithshëm me mandat të plotë, si dhe në mosngritjen në kohë të strukturave të specializuara anti-korrupsion, të shumëpritura për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë e tij. Të gjitha këto vonesa, kanë krijuar ngërçe të herëpashershme në veprimtarinë e institucioneve ekzistuese duke dëmtuar efiçencën e gjykimit dhe drejtësinë e kërkuar nga qytetarët, në mënyrë të veçantë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Vlen të përmendim se kjo e fundit aktualisht po përballet me një mbingarkesë tepër të lartë për shkak edhe të dosjeve të mbartura nga vitet e kaluara.
KShH ka monitoruar pjesërisht procesin e përzgjedhjes së anëtarëve jo prokurorë dhe jo gjyqtarë në KLGJ dhe KLP, i cili është zhvilluar në një klimë tepër të polarizuar politike, para dhe gjatë procedurave të zhvilluara në nënkomisionin parlamentar. Përzgjedhja me short e kandidatëve, në mungesë të konsensusit mes anëtarëve të nënkomisionit parlamentar, edhe pse një mënyrë për ta zhbllokuar procesin kemi mendimin se nuk garanton plotësisht zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ dhe KLP, mbi bazë merite dhe integriteti. Ky proces vazhdon dhe KShH vijon monitorimin e tij.
KShH ka monitoruar Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare të 25 qershorit 2017, ku ndër të tjerash u konstatua shkelja e të gjitha afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor në fuqi, ngritja me vonesë dhe trajnimi jo-cilësor i komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta të administrimit zgjedhor, akuzat reciproke të partive politike për shit-blerjen e votës, inagurimet qeveritare gjatë fushatës zgjedhore, cenim i heshtjes zgjedhore nga disa subjekte zgjedhore, disa incidente gjatë fushatës por dhe ditën e votimit, etj. Marrëveshja politike ndër-partiake e 18 majit edhe pse një mjet për zhbllokimin e ngërçit politik, nuk respektoi parimin kushtetues të ligjshmërisë dhe sigurisë juridike. Disa çështje të kësaj marrëveshje nuk u shoqëruan me ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor.
Reforma zgjedhore që duhet ti paraprinte këtyre zgjedhjeve dështoi për shkak të polarizimit të skajshëm politik, i cili nuk mundësoi uljen e të gjitha palëve në një tryezë për të vendosur mbi interesat politik, nevojën e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Edhe me ngritjen e Komisionit të ri të Reformës Zgjedhore pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, sërisht vërehet se ka vonesa dhe mungon vullneti politik për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, ku duhet të mbizotërojnë interesi publik dhe orientimi drejt standarteve ndërkombëtare dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Gjatë 2017-ës, KShH ka reaguar publikisht në 46 raste, përkatësisht 16 herë bazuar në informacionet e marra prej medias dhe në 30 raste referuar monitorimeve të vetë KShH-së dhe ankesat e përcjella nga qytetarët. Në total, përgjatë vitit janë përcjellë 235 ankesa. Përafërsisht gjysma e këtyre rasteve vazhdon të dominohet nga ankesat e personave të privuar nga liria në sistemin e burgjeve. Ankesat për shërbim avokator përbëjnë 24 % të totalit, ndërsa konfliktet e pronësisë dhe nevoja për ndihmë ekonomike apo mbrojtje shoqërore, me rreth 11 % të ankesave. Sistemit gjyqësor i atribuohet 8% e ankesave. Problematikat e përcjella me ankesat i janë adresuar institucioneve përgjegjëse, ku vlen të evidentohet fryma bashkëpunuese dhe reagimet pozitive për marrjen e masave në disa raste nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Në komunikimin me institucionet e tjera, shpesh herë janë vërejtur reagime formale dhe shmangie nga kompetencat me natyrë mbikqyrese dhe të llogaridhënies karshi publikit, por dhe midis organeve eprore dhe atyre të varësisë. Ka patur gjithashtu raste, kur institucionet nuk kanë dhënë informacion për ankesat e përcjella, duke evidentuar mungesë transparence, çka na ka kushtëzuar ti drejtohemi Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Sipas informacioneve në media dhe ankesave drejtuar KShH-së rezulton se qyetarët vazhdojnë të përballen me mungesën e sigurisë për jetën dhe shëndetin e tyre, për shkak edhe të formave të ndryshme të kriminalitetit. Vlen të evidentohet rënia e numrit të vrasjeve dhe aksidenteve rrugore, ndërkohë që dhuna në familje mbetet shqetësuese, si rezultat i së cilës kanë kanë humbur jetën disa vajza dhe gra në 2017-ën. Ndotja mjedisore në disa zona të vendit si dhe mungesat në infrastrukturën shëndetësore dhe në medikamente në Spitalet publike, ka përbërë në disa raste rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e shtetasve.
Gjatë vitit të kaluar, KShH ka vënë në lëvizje me nismën e saj ose ka përfaqësuar disa shtetas për çështje me interes publik para Komisionerit për Mbrotjen nga Diskriminimi, gjykatave vendase, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Strasburgut. Vlen të përmendim këtu raste të tilla si, mungesa e furnzimit me ujë të pijshëm i banorëve të disa fshatrave të Mallakastrës (përfshi Visokën), ndotja e shkaktuar prej vitesh nga furrat gëlqerore në fshatrat e Krujës, dsikriminimi nga policët bashkiakë i disa anëtarëve të Komunitetit Rom që mbledhin mbetjet e riciklueshme, mungesa e ilaçeve në shërbimin e Hematologjisë të QSUT-së, mosshpërblimi i dëmit të shkaktuar nga tërmeti në disa banesa në një zonë të Librazhdit, mungesa e shpërblimit adekuat ndaj punës së të dënuarve, të dhënat shqetësuese të publikuara nga disa gazetarë investigativë për ndotjen e shkaktuar nga nafta që tregtohet në vendin tonë, etj.
Gjatë vitit 2017, KShH i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut për 2 çështje, e para për cënimin e së drejtës së votës për një kategori të dënuarish dhe e dyta për shkeljen e procesit të rregullt gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria. Aktualisht, pranë kësaj gjykate janë në shqyrtim edhe 3 çështje të dërguara nga shtetas të përfaqësuar nga KShH, gjatë vitit 2016. KShH ka ngritur një rrjet të ri avokatësh për ndëshkueshmërinë e korrupsionit dhe mashtrimit financiar, kur nga këto vepra dëmtohet interesi publik.
Sipas një studimi të kryer nga KShH gjatë vitit 2017, të drejtat e personave të ndaluar dhe arrestuar në flagrancë nuk rezultojnë të jenë respektuar plotësisht nga organet e drejtësisë penale. Sipas standarteve ndërkombëtare, kufizimi i lirisë zbatohet përjashtimisht dhe në kushtet e sanksionuara në ligj. Monitorimi i 400 seancave gjyqësore dhe studimi i 1800 vendimeve gjyqësore për masat e sigurimit personal në gjykatat e rretheve gjyqësore Tiranë dhe Durrës, evidentoi të kundërtën, një përdorim tepër të lartë të masës së sigurimit “Arrest në burg”. Në këtë trend të gjykatës vlerësojmë se kanë ndikuar një sërë faktorësh por gjithashtu edhe ashpërsimi i politikës penale. Arresti në burg zbatohet në përqindje të lartë edhe kur të ndaluarit akuzohen për vepra penale që nuk paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore si: “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “vjedhja”, etj. Gjithashtu kjo masë rezulton se aplikohet edhe ndaj të ndaluarve të mitur, të rinjve të moshës 18-21 vjeç dhe ndaj grave.
KShH ka kryer rreth 22 misione verifikimi ankesash në sistemin e burgjeve. Vëzhguesve të KShH-së nuk i janë krijuar pengesa në akses në monitorim. Mbipopullimi ka vijuar të jetë kryefjala e problematikës me të cilin përballen veçanërisht sektorët e paraburgimit. Në disa raste, ky mbipopullim është bërë shkak për vendosjen e të paraburgosurve dhe të dënuarve në dhomat e veçimit, ku duhet të mbahen vetëm personat me masë disiplinore. Mosmiratimi nga Kuvendi i amnistisë për vitin 2017 si dhe shfuqizimi i nenit 478 të Kodit të Procedurës Penale që parashikonte lirimin e të burgosurit kur rrezikohet jeta e tij, vlerësojmë se përbëjnë regres në drejtim të standarteve që kërkohen nga politika penale bashkëkohore që duhet të përshkohet nga humanizmi. Sipas rregullave minimale të Kombeve të Bashkuara, të burgosurit shumë të sëmurë dhe të pashpresë për shërim duhet të lirohen dhe tu sigurohet kujdesi dhe qëndrimi në familje me miqtë ose në institucione të tjera të përshtatshme.
Infrastruktura e dobët dhe kushtet e papërshtatshme të akomodimit të të dënuarve u vërejtën veçanërisht në IEVP-të Krujë (Zahari), Sarandë, Lezhë, Vaqarr, Burrel, etj. Vijojnë vonesat në hapjen e Burgut të ri në Shkodër që do të mundësonte ndërprerjen e mbajtjes në kushtet e trajtimit ç’njerëzor të të dënuarve të akomoduar në Burgun e Zaharisë. Në disa raste, personat e privuar nga liria në burgje kanë pretenduar raste të korrupsionit pasiv nga personeli i burgjeve, lidhur me dhënien e lejeve shpërblyese, transferimet, praktikat e uljes së dënimit dhe lirimit me kusht, blerjen e artikujve në dyqanet e burgjeve, etj (kryesisht nga IEVP Peqin, Fier, Burrel, Fushë-Krujë, Rrogozhinë).
Në raste sporadike, KShH ka konstatuar shenja dhune tek të dënuarit, të cilët pretendojnë se janë dhunuar nga stafi me uniformë i burgjeve. Rasti më flagrant është ai i të dënuarit në IEVP Peqin, të cilit j’u konstatuan në trup shenja të përdorimit të shkopit të gomës (Shtator 2017). Vitin që shkoi ka patur 5 raste të vetëvrasjes në sistemin e burgjeve, çka dikton nevojën për rritjen e elementëve të sigurisë dhe mbikëqyrjes. Në këto raste nevojitet gjithashtu një hetim i plotë dhe i gjithëanshëm nga prokuroria. Kjo e fundit, për rastet kur ka përfunduar hetimet ka vendosur mosfillim të procedimit penal ose pushimin e çështjes. KShH ka vërejtur mungesa në personelin mjekësor dhe në medikamente. Programeve edukuese dhe rehabilituese nuk u kushtohet vëmendja e duhur. Pengesë në këtë drejtim është edhe infrastruktura e papërshtatshme e disa institucioneve dhe numri i kufizuar i punonjësve social dhe psikologëve.
Edhe gjatë 2017-ës, ka vijuar akomodimi në kundërshtim me ligjin i mbi 160 personave me probleme të shëndetit mendor me masë mjekësore, në sistemin e burgjeve. Një nga këta shtetas ka paditur shtetin Shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, rast i cili po përfaqësohet nga avokatë të KShH-së. Shteti duhet ti japë fund mbajtjes së këtyre personave në kushtet e trajtimit çnjerëzor dhe degradues në sistemin e burgjeve dhe të marrë masat për vendosjen e tyre në institucione të specializuara mjekësore, në përputhje me ligjin dhe standartet ndërkombëtare.
Gjatë monitorimit të ushtruar në Komisariatet e Policisë nuk janë konstatuar raste dhune. Kushtet infrastrukturore të ambjenteve të ndalimit/arrestimit në komisariate kanë nevojë për investime të ndjeshme. Monitorimet e kryera në pikat e kalimit kufitar dhe institucione të tjera të trajtimit të azilkërkuesve dhe refugjatëve në Shqipëri, evidentojnë mungesa në infrastrukturë, personel dhe shërbime si dhe nevojën për trajnime shtesë të personelit, me qëllim që të garantohet një respektim më i mirë i të drejtave të kësaj kategorie individësh. Flukset migratore janë ende të paqëndrueshme në rajon dhe para një situate eventuale emergjence, vendi ynë mund të përballej me kapacitete tepër të kufizuara të pritjes. Studimi i kryer nga KShH në vitet 2012-2017, për vendimet e gjykatave vendase për migrantët që kalojnë pikat e Kalim Kufirit në Shqipëri, evidenton se gjykatat i kanë dhënë prioritet dispozitave të Kodit Penal, duke dënuar dhe ashpërsuar masat e dënimit për të huajt që kanë hyrë në mënyrë të parregullt, përfshirë edhe shtetasit sirianë, të cilët janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës. Dënimet penale ndaj kësaj kategorie bien ndesh me standartet ndërkombëtare dhe frymën e përgjithshme të trajtimit të azil-kërkuesve dhe migrantëve të parregullt, të cilët nuk duhet të jenë subjekt i burgosjes në burgje.
KShH ka ndjekur edhe disa ankesa të qytetarëve të lidhura me çështjet e strehimit dhe pronësisë. Nga trajtimi i tyre është vërejtur mosrespektimi i afateve ligjore të njoftimit për prishjen e 250 banesave në Shkozë si dhe mungesa e alternativave të qëndrueshme të strehimit për njerëzit në nevojë. Gjithashtu, banorë të prekur nga zbatimi i projektit TAP kanë ngritur pretendime për kompensim të padrejtë dhe në vlera të ulëta të pronave të tyre. Tepër shqetësuese janë masat tepër të larta të dëmshpërblimit që Gjykata e Strasburgut i jep shtetasve shqiptarë për cenim të së drejtës së pronës. Ndërkohë që shtetit shqiptar i lind detyrimi për të paguar këto shuma tepër të larta për takspaguesit shqiptarë, realiteti me të cilin përballen nga ana tjetër ish pronarët në vendin tonë, është kompensimi i pjesshëm që do të ekzekutohet me këste në periudhë afatgjatë.
KShH ka dhënë kontribut modest dhe të orientuar drejt cilësisë për përmirësimin e akteve të ndryshme ligjore që janë hartuar gjatë vitit 2017, nga ekzekutivi dhe legjislativi. Dëshirojmë të veçojmë këtu oponencën ligjore për një pjesë të paketës ligjore të reformës në drejtësi në fillim të 2017-ës. Gjithashtu, KShH ka monitoruar gjatë periudhës Korrik 2016 – Maj 2017, zbatimin e ligjit për njoftimin dhe konsultimin publik nga institucionet qendrore të ekzekutivit. Në tërësi, u vërejt se ligji është zbatuar në nivele të ulëta nga këto institucione. Procesi i konsultimit publik mbetet në nivele të pakënaqshme dhe përgjithësisht ka nota formalizmi. Në të shumtën e rasteve, institucionet e ekzekutivit kanë anashkaluar kërkesat që dikton ligji për respektimin e afateve dhe procedurave të kërkuara për konsultimin publik, duke cenuar parimin e transparencës dhe të qeverisjes së hapur. Vërehet gjithashtu mungesë besimi i vetë grupeve të interesit në procesin e konsultimit publik dhe tek institucionet që e realizojnë atë. Kjo ka ndikuar edhe në aktivizimin relativisht të ulët të përfaqësuesve të këtyre grupeve për të dhënë sugjerime cilësore në proceset vendimmarrëse.
Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizimi janë probleme që shqetësojnë mbarë njerëzimin, ndërkohë që Shqipëria cilësohet si një vend me rrezik mesatar në këtë drejtim. KShH në bashkëpunim me tre organizata simotra në rajon dhe në Bashkimin Evropian dhe organizatën Together for Life ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese dhe parandaluese për ekstremizmin dhe radikalizimin në vendin tonë. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim po luan Koordinatori Kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm. Megjithatë, përdorimi i lartë i hapësirës dixhitale nga grupe ekstremiste shqipfolëse për të rekrutuar kryesisht të rinjtë që përdorin rrjetet sociale, kërkon mbështetje të plotë në burime njerëzore dhe infrastrukturë të agjencive të specializuara ligjzbatuese si dhe koordinim të masave për parandalimin dhe adresimin e këtij fenomeni.
Konferenca që KShH realizoi për lirinë e shtypit dhe të gazetarëve në vitin 2017 evidentoi ndikimin e zhvillimit të epokës digjitale, të lidhjeve të papërshtatshme të interesave të biznesit dhe politikës me median. Shqetësues është fakti se vetë media vazhdon të pranojë se ka gazetarë që nuk paguhen dhe janë pa sigurime shoqërore, se ka mungesë të solidaritetit mes gazetarëve, se në disa raste fake news përdoret si kundërpeshë për t’ju kundërvënë medias. Etiketimet me ngjyrime ofenduese ndaj medias vijojnë të dëmtojnë fjalën e lirë dhe integritetin moral dhe profesional të gazetarëve. Nga ana tjetër adresohet si nevojë respektimi i etikës gazetareske dhe nevoja për vëmendje të shtuar të medias ndaj grupeve në nevojë. Referuar hulumtimeve të prezantuara në këtë konferencë, në disa raste media bëhet burim diskriminimi nëpërmjet imazheve të ngarkuara me vlera që reflektojnë stereotipe mbi grupe të ndryshme sociale, veçanërisht ndaj komuniteteve Rome, Egjiptiane, Personave me orientim të ndryshëm seksual (LGBTI), Personave me Aftësi të Kufizuar apo stereotipave me bazë gjinore.